E Shtunë, 31 Tetor 2026

Apolonia nuk lë gjurmë në transfertën e parë

Nga BUJAR RAMA

Fierakët janë dorëzuar në 45 minutat e dyta, duke mos treguar asgjë, sidomos në fazën sulmuese

Ëndrra dhe dëshira e Apolonisë për të mos dalë pa pikë nga fusha e Peqinit është sfumuar. Përballë një Shkumbini të etur për të bërë autokritikë për humbjen e javës së parë në Ballsh, fierakët vetëm në pjesën e parë janë dukur në fushën e lojës dhe kaq. Goli i shënuar në minutat ekstreme të fraksionit të parë nga lojtari i përvojës Klement Xhyra, i ka demotivuar totalisht dhe i ka goditur nga ana morale bardhejeshilët.

Realisht, transferta e Peqinit është parë si një nga mundësitë më të mira që Apolonia të mos dilte pa pikë, duke pasur parasysh dhe goditjen që kishte marrë nga java e parë skuadra peqinase, si dhe firot që Shkumbini pati gjatë merkatos së verës. Në letër tingëllonte një ndeshje me shanse të mira për fierakët, por trajneri Mile kishte bërë punë të mirë gjatë javës, duke i motivuar lojtarët e rinj të skuadrës së vet, të cilët kanë luajtur mirë.

Trajneri Nica i ka besuar të njëjtit formacion me të cilin ka luajtur me Dinamon, sërish me 4-4-2 dhe janë të njëjtët lojtarë që luajnë nga minuta e parë. Dhe nuk luajnë keq, përkundrazi, janë të kujdesshëm, luajnë me përgjegjësi të plotë, vihen në përgjim të aksioneve sulmuese të vendësve dhe vigjilojnë që të mos pësojnë, por pa harruar të shohin dhe nga porta e Kotorrit, ku Rama ka tronditur në një moment edhe shtyllën traversale të Shkumbinit.

Meto dhe Gërxho përpiqen të organizojnë aksione sulmuese, madje Nica guxon dhe hedh në fushë edhe Oliver Pepën, duke pretenduar që ky i fundit të bëhet një mbështetje e fuqishme për Ribajn dhe Ramën. Goditja është e rëndë për fierakët, të cilët në pjesën e dytë nuk duken asfare në fushë. Një lojë apatike, një skuadër në pamje të parë e trembur, pa nerv dhe tërësisht e nemitur.

Assesi nuk mund të arrihej barazimi dhe pikët me lojën e zhvilluar nga Apolonia në pjesën e dytë dhe Shkumbini mund të ishte ndëshkuar edhe më thellë. Nica është i dëshpëruar për aksionet sulmuese të skuadrës dhe i pakënaqur nga rendimenti i Ribajt. Duket se ngarkesa psikologjike e fjalës transfertë ka ndikuar edhe në këtë takim dhe ka qenë sërish mallkim për Apoloninë. Të pretendosh që pikët të sigurohen vetëm në shtëpi, nuk është komode për asnjë ekip.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›