Pas kontrollit: Memia jep dorëheqjen nga kreu i Legalizimeve

Shaban Memia
Drejtori i ALUIZNI-t largohet pas gjashtë vitesh në detyrë,
ish-deputeti i PD-së, Ardian Kollozi, favorit për postin.
Kreu i Agjencisë së Legalizimeve, Shaban Memia, jep dorëheqjen nga posti që e mbante që nga viti 2005. Burime zyrtare bënë të ditur mbrëmë për gazetën se Memia i ka paraqitur dorëheqjen Kryeministrit Sali Berisha. Vendimi për shkarkimin e tij, pasi të firmoset nga kreu i qeverisë, do të kalojë në mbledhjen e ardhshme të Këshillit të Ministrave për tu miratuar. Nuk dihen ende shkaqet që e kanë çuar anëtarin e Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike në dhënien e dorëheqjes, por ky vendim i tij vjen pak kohë pas përplasjes publike që ai pati me vartësin e tij, nëndrejtorin e Agjencisë së Legalizimeve, Ferdinand Shehun. Burimet saktësojnë gjithashtu se një nga emrat e përfolur për të zënë vendin e Memisë në këtë pozicion është ish-deputeti i Partisë Demokratike dhe kryetari i kësaj force në qytetin e Vlorës, Ardian Kollozi. Ai e la mandatin në muajin maj për tu futur në garën për kryetar të Bashkisë së Vlorës, të cilën e humbi ndaj kryebashkiakut Shpëtim Gjika.
Kontrolli
Pak javë më parë, Kryeministri Sali Berisha nxori një urdhër për të kontrolluar veprimtarinë e Agjencisë së Legalizimeve, të drejtuar nga Shaban Memia. Në krye të grupit të punës u vendos këshilltari i Kryeministrit, Flamur Kuçi. Task-Forca ka një afat 45-ditor për të përgatitur një raport për kreun e Ekzekutivit lidhur me procesin e legalizimeve. Grupi i punës është duke analizuar statistikat e procesit të dhënies së tapive, marrëdhëniet që ka ALUIZNI me Agjencinë e Kthimit të Pronave, Zyrën e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme dhe me pushtetin vendor. Pjesë e raportit që do ti dorëzohet Kryeministrit do të jetë edhe mendimi i qytetarëve për mënyrën se si ka ecur procesi i legalizimeve.
Përplasja
Kreu i ALUIZNI-t, Shaban Memia, u përplas publikisht pak kohë më parë me zv.drejtorin e këtij institucioni, Ferdinand Shehu, të cilin e shkarkoi me argumentin se ka qenë hetues përpara vitit 1992. Përmes manipulimeve në jetëshkrim ka lënë jashtë tij një eksperiencë pune 4-vjeçare si hetues në hetuesinë e rrethit të Vlorës (Urdhri nr.8, datë 22.8.1988 i Hetuesisë së Përgjithshme), thuhet në argumentet e Memisë. Por, vetëm një ditë më vonë, Kryeministri pezulloi urdhrin e shkarkimit duke e rikthyer prapë në punë, Shehun.