E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pas kritikave të OSBE-së, rikthehet procesi Gërdeci

Mesa duket, thirrjet e diplomatëve të huaj në vendin tonë këtë herë nuk kanë rënë në vesh të shurdhët. Thirrja e ambasadorit të OSBE-së Eugen Wollfarth dy ditë me parë për shtyrjet e seancave të tragjedisë së Gërdecit për shkak të avokatëve, këtë herë ka dhënë rezultat. Ditën e premte, gjyqi i tragjedisë së Gërdecit është zhvilluar dhe në të ka dëshmuar ish- financieri e MEICO, e pandehura Juliana Margarita.

Gjatë deklaratës së saj përpara togës së zezë, ajo ka pohuar se akuzat e Prokurorisë nuk qëndrojnë për të, pasi veprimet që ajo ka kryer për llogari të kësaj firme, nuk i kanë shkaktuar shtetit shqiptarë asnjë dëm ekonomik. Ndër të tjera, Margarita e akuzuar për shpërdorim detyre, ka pohuar para gjykatës se firma Alb Demil me administrator Mihal Delijorgjin, ka qenë përfaqësuese tatimore e firmës amerikane SAC dhe se ajo ka zbatuar urdhrat përkatës që i janë dhënë nga eprorët.
 

Po gjatë kësaj seance, i pandehuri tjetër Ndue Marku nuk ka dashur që të përgjigjet para Gjykatës dhe për këtë arsye janë lexuar deklarimet që ai ka dhënë në Prokurori gjatë hetimeve të zhvilluar për tragjedinë e Gërdecit. Ndërkohë që pritet ditën e hënë në seancën e rradhës të jenë dy dëshmi të rëndësishme siç është ajo e Mihal Delijorgjit, i cili në këtë gjyq është përfaqësuar gjithmonë nga avokati i tij dhe nuk ka qenë asnjëherë prezent si dhe dëshmia e ish drejtorit të MEICO Ylli Pinari. Nëse këta të pandehur do të të dëshmojnë, atëherë këto do jenë edhe dy nga dëshmitë kyçe të këtij procesi.
 

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›