E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pas krizës globale, ja rreziqet që kërcënojnë ekonomitë

17/05/2009  Analistët e huaj japin alarmin: Rritja e çmimeve mund të jetë dyshifrore

Ekonomitë mund të përfshihen në spiralen e rritjes së çmimeve, duke u rrezikuar seriozisht nga efektet e inflacionit. Kjo dhe një kujdes më i madh në procesin e kredidhënies së bankave janë dy prej sfidave që theksuan në fjalën e tyre, ekspertët e huaj financiarë. Këto kanë qenë përfundimet e një debati mbi krizën ekonomike, zhvilluar dje në ambientet e Universitetit Evropian të Tiranës, ku morën pjesë 2 anëtarë të Dhomës së Lordëve në Britaninë e Madhe, të cilët referuan mbi sfidat e së ardhmes.

Sfidat

Në prezantimet e tyre ekspertët paralajmëruan se reformat fiskale dhe masat e marra nga qeveritë e shumë vendeve të botës për të luftuar krizën financiare, mund të prodhojnë një tjetër krizë, atë të inflacionit. Inflacioni nuk është gjë tjetër veçse rritja e nivelit të përgjithshëm të çmimeve në rrjedhën e viteve. Gjatë leksionit të tij, Brian Griffiths, anëtar i Dhomës së Lordëve në Britaninë e Madhe tha se është evident rreziku që bota të përballet me rritje masive të çmimeve. “Me gjithë këto stimuj fiskalë dhe monetarë ka rrezik të hyjmë në krizën e rritjes së çmimeve. Banka e Shqipërisë duhet të ngrejë normat e interesit, por kjo do të sillte konflikt se do të akuzohej se nuk lufton recensionin”, - u shpreh Griffiths. Ndërsa, eksperti tjetër Luis Greig, njëkohësisht drejtor menaxhimi në bankën JP Morgan u shpreh se rritja e çmimeve mund të jetë dyshifrore. Sipas tyre, pas krizës është e nevojshme që të ndërmerren rregulla më të forta bankare, kryesisht në drejtim të kredidhënies. Kryesisht në muajt tetor dhe nëntor të vitit të kaluar konsumatori shqiptar e humbi besimin ndaj sistemit bankar për shkak të përhapjes së efekteve të krizës financiare në të gjithë botën. Kjo krizë besimi u shfaq me një tërheqje të depozitave të klientëve të bankave të nivelit të dytë. Situata duket më e stabilizuar, por ende sipas drejtuesve të Bankës së Shqipërisë, ky ndërgjegjësim nuk është në nivelin e duhur. Një prej faktorëve që mund të rrisin nivelin e depozitave në sistemin bankar, sipas ekspertëve, mund të jetë rritja e garancisë së depozitave deri në 2,5 milionë lekë. Në këtë takim ishin të pranishëm edhe përfaqësues të qeverisë dhe të opozitës. Sipas zëvendësministrit të Financave, Florion Mima, qeveria është e sigurt se pavarësisht se disa nga sektorët e ekonomisë po vuajnë pasojat e krizës, në buxhetin e shtetit nuk do të ketë surpriza negative. Shqipëria është një vend importues dhe deficiti tregtar është rritur muaj pas muaji, ndërsa vitin e kaluar shënoi një shifër prej 327 miliardë lekësh. Arritja dhe ruajtja e stabilitetit të çmimeve është objektivi themelor i Bankës së Shqipërisë, e cila ka një rol akoma edhe më të madh në stabilitetin e vendit, tanimë që Shqipëria nuk ka asnjë marrëveshje me Fondin Monetar Ndërkombëtar. Nëpërmjet politikave të saj dhe në funksion të detyrave që i përcakton ligji, Banka e Shqipërisë bën përpjekje për arritjen e këtij objektivi themelor që nënkupton kontrollin e nivelit të inflacionit.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›