E Shtunë, 31 Tetor 2026

Apostoli kalon djathtas me Berishën

17/05/2009  KQZ regjistron katër koalicione. Koalicioni i PD-së ka 17 subjekte zgjedhore

Zgjedhjet e përgjithshme 2009, Ngjela do të kandidojë i vetëm

Kalimi i PBDNJ-së majtas në përbërje të koalicionit që kryesohet nga Partia Socialiste, nuk përbën më çudinë më të fundit në opinion, pasi vendin e ka zënë kalimi i Gaqo Apostolit djathtas. Partia e kryesuar prej tij, partia “Aleanca për Demokraci dhe Solidaritet”, është regjistruar në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve në listën e gjatë të koalicionit që kryesohet nga Partia Demokratike “Aleanca për Ndryshim”. Burime nga ky institucion deklaruan se Apostoli e ka marrë vendimin e tij për të kaluar djathtas ditën e regjistrimit të koalicioneve. Gaqo Apostoli, ish-anëtar i Lëvizjes Socialiste për Integrim, në fillim të muajit mars deklaroi largimin nga kjo forcë politike, duke paralajmëruar krijimin e një partie të re. Sipas asaj që ai deklaroi dy muaj më parë, partia me emrin “Aleanca për Demokraci dhe Solidaritet” (ADS) do të jetë një parti e qendrës së majtë. Apostoli u afrua me LSI-në pas ndarjes me Skënder Gjinushin, kryetarin e Partisë Socialdemokrate.

Koalicionet

Ndërkohë që dje KQZ-ja gjatë mbledhjes së djeshme miratoi përbërjen e katër koalicioneve: “Aleanca për Ndryshim”, në përbërje të së cilës janë gjithsej 17 subjekte zgjedhore; “Bashkimi për Ndryshim”, që kryesohet nga Partia Socialiste dhe ka 5 subjekte zgjedhore në përbërje; “Poli i Lirisë”, me në krye ish-kryeministrin Aleksandër Meksi dhe me 6 parti politike në përbërje; “Aleanca Socialiste për Integrim”, me në krye Lëvizjen Socialiste për Integrim të Ilir Metës dhe 6 subjekte zgjedhore në përbërje. Ndërkohë partia “Ligj dhe Drejtësi”, e kryesuar nga deputeti Spartak Ngjela, pritet të kandidojë e vetme në zgjedhjet e ardhshme parlamentare. Nga lista e partive që janë përfshirë në koalicionet e miratuara dje nga KQZ-ja partia e tij nuk figuron në asnjërën nga listat e katër koalicioneve që janë regjistruar për zgjedhjet e ardhshme parlamentare.

Listat shumemërore

Brenda 19 majit këto koalicione duhet të depozitojnë pranë KQZ-së listat shumemërore. Kodi Zgjedhor në nenin 67, pika 2, përcakton se “Partia politike që është pjesëtare e një koalicioni, depoziton në KQZ listën shumemërore të kandidatëve të saj për çdo zonë zgjedhore jo më vonë se 40 ditë para datës së zgjedhjeve”. Asnjëra nga këto koalicione të regjistruara nga KQZ-ja nuk kanë detyrimin që përcakton neni 68 i Kodit Zgjedhor. “Në rastin e koalicionit zgjedhor listat e kandidatëve duhet të kenë marrë mbështetjen e jo më pak se 15 000 zgjedhësve. Bën përjashtim nga ky rregull koalicioni ku partitë pjesëtare zotërojnë bashkërisht në Kuvend një numër mandatesh jo më të vogël se numri i partive pjesëtare të koalicionit”, - thuhet në të.

“Aleanca e Ndryshimit”

Në datën 13.05.2009 në Zyrën e Protokollit të KQZ-së, partitë e sipërpërmendura kanë depozituar një kërkesë të përbashkët, nëpërmjet të cilës kërkohet regjistrimi i koalicionit i përbërë nga:

1. Partia Demokratike, Sali Berisha

2. Partia Republikane, Fatmir Mediu

3. Partia e Agrare Ambientaliste, Lufter Xhuveli

4. Partia “Aleanca Demokratike”, Neritan Ceka

5. Partia “Aleanca për Demokraci dhe Solidaritet”, Gaqo Apostoli

6. Partia “Bashkimi Liberal Demokrat”, Arian Starova

7. Partia “Për Drejtësi dhe Integrim” , Tahir Muhedini

8. Partia “Lidhja Demokristiane Shqiptare”, Nikollë Lesi

9. Partia “Lëvizja e Legalitetit”, Ekrem Spahia

10. Partia “Balli Kombëtar Demokrat”, Artur Roshi

11. Partia “Balli Kombëtar”, Adriatik Alimadhi

12. Partia “Aleanca e Maqedonasve për Integrim Evropian”, Kimet Fetahu

13. Partia Demokracia e Re Evropiane, Koçi Tahiri

14. Partia “Forca Albania”, Iledin Pillati

15. Partia e të Drejtave të Mohuara e Re, Fatmir Hoxha

16. Partia “Rruga e Vërtetë Shqiptare” Muharem Doda

17. Partia “Ora e Shqipërisë”, Zef Shtjefni

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›