E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Fatos Nano ka përuruar sot në mesditë në Rubik fillimin e punimeve për segmentin Milot-Rrëshen, 26 kilometra, pjesë e rrugës nacionale Durrës-Kukës-Morinë. Z.Nano është s

Kryeministri Fatos Nano ka përuruar sot në mesditë në Rubik fillimin e punimeve për segmentin Milot-Rrëshen, 26 kilometra, pjesë e rrugës nacionale Durrës-Kukës-Morinë.

Z.Nano është shoqëruar nga Ministri i Mbrojtjes Pandeli Majko, Ministri i Transporteve dhe Telekomunikacionit Spartak Poçi, Nënkryetarja e Kuvendit MakbuleÇeço, deputetë të lobit parlamentar për ndërtimin e rrugës Durrës-Morinë dhe përfaqësues të pushtetit lokal.

Fillimisht Kryeministri Nano ka prerë shiritin e përurimit dhe më pas në mënyrë simbolike ka telekomanduar shpërthimin e parë për fillimin e punimeve të ndërtimit.

Segmenti Milot-Rrëshen, me gjatësi 26 kilometra, gjërësi 20 metra dhe lartësia të skarpateve 20-30 metra, do të ndërtohet në shtratin e lumit Mat dhe do të shkojë paralel me hekurudhën Milot Rrëshen. Ai është një financim i buxhetit të shtetit me një fond prej 8 miliard lekë. Punimet do të kryhen nga një kompani xhenjere e Forcave të Armatosura dhe pritet të përfundojnë brenda 6 muajve.

Ndërtimi i aksit rrugor Durrës–Kukës-Morinë është një nga prioritetet e Qeverisë Shqiptare në fushën e infrastrukturës rrugore. Studimi i fizibilitetit dhe vlerësimi i ndikimit të ambjentit janë financuar nga Banka Boterore.

Me rastin e fillimit të punimeve për segmentin e parë të këtij aksi, Kryeministri Fatos Nano mbajti këtë fjalë:

"Zotërinj deputete,
Të nderuar të ftuar,

Edhe pse vetëm një muaj e gjysmë më parë në Këshillin Kombëtar të rrugëve u miratua varianti më i mirë për rrugën Durrës –Morinë, sot ne jemi këtu për të filluar punimet e segmentit të parë të saj, atë Milot - Rrëshen.

Për rëndësinë e kësaj rruge është folur në vazhdim dhe është pohuar me të drejtë se ajo do të jetë jo vetëm një arterie e rëndësishme që lidh korridoret lindje-perëndim dhe veri-jug, por përbën edhe një parakusht për zhvillimin integrues ekonomik të vendit tonë dhe që do të sjellë shndërrime ekonomike dhe shoqërore të rëndësishme. Për këtë arsye akti i sotëm mund të konsiderohet edhe si një hap që do të sjellë një ndryshim të ndjeshëm në hartën e sistemit rrugor të Ballkanit, duke përfaqësuar edhe një hap tjetër real të integrimit rajonal, të cilin ne e konsiderojmë si pjesë të procesit të gjerë integrues europian.

Studimi i fizibilitetit dhe vlerësimi i ndikimit të ambjentit janë financuar nga Banka Boterore dhe janë miratuar nga organet kopetente të Qeverisë Shqiptare, përfshirë edhe Këshillin Kombëtar të Rrugëve. Janë realizuar tashmë edhe studimet se si energjia zhvilluese e kësaj rruge të re do të injektohet edhe në autostradën Fushë Krujë-Lezhë si dhe në rrugë të tjera të rëndësishme të Shqipërisë, çka do ta bëjë shumëdimesional efektin e saj.

Segmenti që po fillojmë sot ka një gjatësi prej 26 km dhe për ndërtimin e tij do të shpenzohen 8 miliardë lekë. Ky segment do të ndërtohet në shtratin e lumit Mat dhe do të shkojë paralel me hekurudhën Milot Rrëshen. Rruga do të ketë vepra arti të shumta ku spikasin Viadukti i Milotit me një gjatësi prej 330 metrash, Ura e Skurrajt me gjatësi 120 metrash si dhe mbikalim-nënkalimi-kryqëzim i autostradës Fushë Krujë-Shkodër me rrugën e re. Të gjitha këto vepra përfshi edhe 52 ura të mesme dhe të vogla, 25.000 metra kub mure mbajtëse, rreth 6.5 km mbrojtje nga lumenjtë do të përbëjnë ndërtimin që po fillojmë sot.

Kjo rruge, projekti i modernizmit të portit të Durrësit, Aeroporti i ri i Kukësit, janë të gjithë elementë konkretë të qeverisë që nëpërmjet kësaj infrastrukture krijon mundësi më të mira për forcimin e lidhjeve dhe të bashkëpunimit me pjesën tjetër të popullsisë shqiptare, për rritjen e shkëmbimeve tregtare, të tranzitimit të mallrave, të lëvizjes së njerëzve dhe të kapitaleve dhe jo vetëm me Kosovën, por dhe me Rajonin.

Realizimi i tij do të sjelle gjithashtu një ngritje të nivelit ekonomik dhe social të banorëve të zonës verilindore, duke u bërë dhe pjesë e rëndësishme e infrastrukturës për zhvillimin e turizmit.

Siç jeni në dijeni mbrëmë qeveria mori vendimin që kjo rrugë të ndërtohet nga forcat e ushtrisë, gjë që jo vetëm do të menaxhojë më mirë përdorimin e të ardhurave nga taksat e shqiptarëve, por edhe do të sigurojë cilësi të lartë dhe ritmikë të siguruar në ndërtimin e saj. Përveç të tjerash, ky vendim i jep ushtrisë sonë një dimënsion të cilin ajo, në rrugën e vet të reformimit, po e forcon gjitnjë e më shumë dhe ky është dimensioni i ri euroatlantik i ushtrisë sonë.

Ta gëzojmë rrugën e re!"

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›