Kryeministri Fatos Nano ka pritur në një takim sot pasdite, Ambasadorin rus në Tiranë, V.N.Tonkin. Në fillim të këtij takimi, Ambasadori rus i ka dorëzuar Kryeministrit Nano mesazhin e Krye
Kryeministri Fatos Nano ka pritur në një takim sot pasdite, Ambasadorin rus në Tiranë, V.N.Tonkin.
Në fillim të këtij takimi, Ambasadori rus i ka dorëzuar Kryeministrit Nano mesazhin e Kryeministrit rus M.Kasjanov, me rastin e Festës Kombëtare të Republikës së Shqipërisë.
"Shpreh bindjen se zhvillimi i mëtejshëm i bashkëpunimit ruso-shqiptar mbi bazën e interesit të ndërsjelltë i përgjigjet interesave të popujve të vendeve tona, sigurimit të paqes dhe stabilitetit në Ballkan, në Europë e më tej", shprehet ndër të tjera Kryeministri rus Kasjanov në mesazhin drejtuar Kryeministrit Nano.
Gjatë takimit, bashkëbiseduesit ndanë të njëjtin mendim për marrëdhëniet e mira në dialogun politik midis Moskës dhe Tiranës, duke theksuar se është e nevojshme nxitja e bashkëpunimit edhe në fusha të tjera dhe, në veçanti, në atë të shkëmbimeve ekonomike dhe financiare, duke angazhuar më tej kontaktet dhe bashkëpunimin midis sipërmarrësve në të dy vendet.
Kryeministri Nano vlerësoi përgatitjen e Traktatit të Bashkëpunimit dhe Miqësisë midis Rusisë dhe Shqipërisë, shoqëruar me 10 marrëveshje të rëndësishme në fushat e arsimit, bujqësisëë, doganave, për bashkëpunimin e biznesit të vogël dhe të mesëm, kulturës, shkencës, etj.
Ambasadori i Rusisë në Tiranë shprehu kënaqësinë që me rastin e nëshkrmit të Traktatit të Miqësisë, të organizohej vizita e Kryeministrit Nano në Moskë.
Nga ana e tij, zoti Nano e mirëpriti ftesën dhe shprehu bindjen se kjo vizitë do të kontribuonte në forcimin e marrëdhënieve midis Shqipërisë dhe Rusisë dhe do të përcillte një mesazh optimist për aktorët politikë, shoqërorë dhe sipërmarrësit në të dy vendet.
Në takim, u vlerësua fakti që shkëmbimet tregtare midis dy vendeve kanë njohur rritje gjatë vitit të fundit. Kështu ato kanë arritur shifrën e 20 milionëve, krahasuar me 5 milionë që kanë qënë në vitet e shkuara.
Më tej, biseda është përqëndruar në situatën në rajon e më gjerë, ku Ambasadori rus Tonkin ka shprehur vlerësimet e vendit të tij për kontributin e Kryeministrit dhe të Qeverisë Shqiptare në stabilitetin rajonal, në luftën kundër trafiqeve dhe, në veçanti, në luftën globale kundër terrorizmit.