E Diel, 1 Nëntor 2026

Këshilli i Ministrave, nën drejtimin e Kryeministrit Fatos Nano, miratoi sot, në mbledhjen e tij, një numër projekligjesh dhe vendimesh. • Këshilli i Ministrave miratoi vendimin "Për m

Këshilli i Ministrave, nën drejtimin e Kryeministrit Fatos Nano, miratoi sot, në mbledhjen e tij, një numër projekligjesh dhe vendimesh.

• Këshilli i Ministrave miratoi vendimin "Për miratimin në parim të marrëveshjes financiare ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Komisionit të Komuniteteve Europiane, për programin vjetor të veprimit të fqinjësisë "Cards 2004".

Ndihma financiare e BE në mbështetje të procesit të Stabilizim Asociimit, përveç programit Cards kombëtar për Shqipërinë, përfshin dhe asistencën që BE u ofron vendeve fqinje nëpërmjet programeve Interreg, të cilat financohen nga Fondi Europian i Zhvillimit Rajonal.

Kjo marrëveshje financiare mbulon financimin për vitin 2004, duke vënë në dispozicion për vendet e Ballkanit për të gjitha programet e fqinjësisë shumën prej 15 000 000 euro. Duke iu referuar ndarjes së fondit të t ë gjithë programit të fqinjësisë për vitin 2004, Shqipëria është përfituese në programet e mëposhtme me fondet respective:

- CADSES 1.600 000 euro
- IT/Adriatiku 2.000 000 euro
- IT/Shqipëri 1.000 000 euro
- GR/Shqipëri 2.200 000 euro

Periudha e zbatimit e marrëveshjes financiare fillon me hyrjen në fuqi të marrëveshjes financiare dhe përfundon më 31.12.2011. Kjo periudhë zbatimi do të përfshijë dy faza: një fazë operative të zbatimit, e cila do të fillojë në momentin e hyrjes në fuqi të Marrëveshjes financiare dhe do të përfundojë në datën 31.12.2009. nga kjo datë do të fillojë faza e mbylljes, e cila do të përfundojë në fund të periudhës së zbatimit.

• U miratua vendimi "Pë mënyrën dhe kriteret e rimbursimit të barnave për ushtarakët e Forcave të Armatosura".

Sipas vendimit, përfitojnë rimbursim në masën 80% të çmmimit të alternativave të listës që rimbursohet nga Instituti i Sigurimeve të Kujdesit Shëndetësor, ushtarakët aktivë të FA, ushtarët e shërbimit të detyrueshëm ushtarak aktiv, oficerët që kanë dalë në rezervë dhe lirim. Rimbursimi bëhet nga ISKSH në bazë të kontributit që derdhin ushtarakët dhe fondit që do të derdhë çdo vit në ISKSH Ministria e Mbrojtjes.

Ushtarakët që pasojën dëmtime gjatë operacioneve ndërkombëtare, iu rimbursohen barnat në masën 100%. Rimbursimi bëhet sipas vërtetimit të institucionit shëndetësor që ka kryer trajtimin e ushtarakut dhe do të vazhdojë deri në riaftësimin e plotë të ushtarakut.

Efekti financiar që rrjedh nga zbatimi i këtij vendimi është 11.3 milion lekë në vit.

• U miratua vendimi për miratimin e rregullores "Për organizimin dhe funksionimin e Inspektoriatit të Instituteve Private të Pensioneve Suplementare dhe për procedurat e licensimit e të mbikqyrjes".

Projekti ka të bëjë me organizimin dhe funksionimin institucional të inspektoriatit të Instituteve Private të Pensioneve Suplementare lidhur me licensimin dhe mbikqyrjen e Instituteve Private të Pensioneve Suplementare. Rregullorja përmban kompentencat në fushën e organizimit, funksionimit, rregullat për licensimin, mbikqyrjen dhe kontrollin financiar, procedurat për likujdimin e falimentimin e instituteve private të pensioneve.

• U miratua vendimi Për disa ndryshime në vendimin nr.786, datë 17.12.1998, të Këshillit të Ministrave, "Për kualifikimin shkencor pasuniversitar dhe klasifikimin e punonjësve pedagogjikë e kërkimorë", të ndryshuar.

Synimi kryesor i këtyre ndryshimeve është që të forcohen më tej kërkesat e treguesit kryesor në të gjitha nivelet lidhur me fitimin e titujve shkencor, "profesor" e "profesor i asociuar" të personelit mësimdhënës e kërkimor, në kuadër të reformës në arsim.

1. Për të njëjtin nivel kualifikimi është bërë njësimi i emërtesave të titujve shkencorë të punonjësve të institucioneve shkencore, duke hequr emërtesat "mjeshtër kërkimesh" dhe "drejtues kërkimesh" dhe përdorur "profesor" dhe "profesor i asociuar".

2.Në mënyrë që të vlerësohet më saktë niveli i punimeve të kandidatit për marrjen e titullit "profesor" është parashikuar oponenca për monografitë, tekstet, artikujve shkencore më të rëndësishëm etj.

• U miratua projektligji "Për Kodin Ajror në Republikën e Shqipërisë".

Kodi Ajror, si ligji themeltar i aviacionit, përmbledh gjithë legjislacionin e nevojshëm për aviacionin civil dhe aviacionin shtetëror (përfshirë këtu edhe aviacionin ushtarak). I gjithë drafti është në funksion të:

- Përdorimit efektiv të hapësirës ajrore;
- Zhvillimit të aktiviteteve të operimit ajror, aktiviteteve aeroportuale, të shërbimit të trafikut ajror, të prodhimit dhe të mirëmbajtjes;
- Garantimit të nevojave të zhvillimit të ekonomisë dhe nevojave publike të lëvizjes së lirë të njerëzve;
- Garantimit të mbrojtjes së hapësirës ajrore, integrimit në sistemet europiane dhe euroatlantike, garantimit të sigurisë së shtetit dhe njerëzve;
- Përdorimit efikas të infrastrukturës së transportit ajror.

• U miratua vendimi "Për shpronësimin për interes publik të pronarëve të pasurive të paluajtshme, pronë private, që preken nga zbatimi i programit "Phare" për projektet e rehabilitimit të kanaleve të ujërave të zeza, në rrugën në veri të ish-kombinatit të konservave dhe të sistemim-asfaltimit të rrugës nr.5 (segmenti shkolla "Ali Demi" rruga nr.3) në qytetin e Vlorës"

Rehabilitimi i sistemit të kanalizimit të ujrave të zeza për rrugën në veri të ish-Kombinatit të Konservave dhe sistemim-asfaltimin e rrugës nr.5 (segmenti shkolla Ali Demi rruga nr.3) në qytetin e Vlorës, krijon mundësinë e realizimit të projekteve dhe investimeve me interes publik. Shpronësimi i pasurive të paluajtshme pronë private për interes publik që preken nga ndërtimi i këtyre dy objekteve në qytetin e Vlorës, kap vlerën e 31 165 811 lekë.

• U miratua vendimi "Për shpronësimin për interes publik të pronarëve të pasurive të paluajtshme, pronë private, që preken nga ndërtimi i rrugës së varrezave të reja, në qytetin e Shijakut"

Shpronësimi i pasurisë së paluajtshme, pronë private për interes publik që preken nga ndërtimi i rrugës së varrezave të reja në qytetin e Shijakut kap vlerën e 523 600 lekë.

• U miratua vendimi "Për lejimin e shoqërisë anonime "Albtelekom" të përdorë procedurën "Prokurim i drejtpërdrejtë", për auditimin e shoqërisë.

Me anë të këtij vendimi, lejohet "Albtelekom", që për fondin prej 7 100 000 leke të përdorë procedurën "Prokurim i drejtëpërdrejtë" me shoqërinë "Deloitte & Touche" për auditimin e shoqërisë në kuadër të privatizimit të saj, për shkak se kjo kompani jep garanci dhe eksperiencë ndërkombëtare.

• U miratua projektligji "Për disa shtesa dhe ndryshimi në ligjin nr.8734, datë 1.2.2001, "Për garantimin e sigurisë së punës dhe pajisjeve dhe të instalimeve elektrike", të ndryshuar.

Ndryshimet konstatojnë në përcaktimin e saktësimin e disa termave teknike, detyrave dhe të drejtave të subjekteve të kontrolluara dhe organeve që kontrollojnë, të cilat e përshtasin ligjin me legjislacionin kumunitar.

Ndryshimet e porpozuara do të ndikojnë në rritjen e efektivitetit të punës në Inspektoriatin e Pajisjeve dhe të Instalimeve Elektrike, shkallën e përgjegjësisë së subjekteve që ushtrojnë veprimtari në tregtimin dhe shfrytëzimin e pajisjeve dhe impianteve elektrike, duke plotësuar më mirë kërkesat e sigurisë dhe duke parandaluar aksidentet apo avaritë e rënda në këtë fushë.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›