Pas presionit të bankave, Fullani gati të ulë normën e interesit
Banka e Shqipërisë është gati të ulë normën bazë të interesit për lekun. Pas kërkesës së bërë nga bankat e nivelit të dytë, Banka Qendrore pritet të marrë së shpejti vendimin për uljes së normës së interesit për lekun. Sipas bankierëve, ulja e normës bazë të interesit do të çonte në një kosto më të ulët të lekut për bankat dhe për rrjedhojë do të kishte edhe norma interesi më të ulëta për kreditë në lekë. Ndërkohë një vendim i tillë pritet të merret dhe si pasojë e tregut ndërkombëtar. Norma bazë e interesit, REPO, është 6.25 për qind. Kjo normë është vendosur në nëntor të viti 2007 dhe që atëherë nuk është ndryshuar nga Këshilli Mbikëqyrës i bankës. Aktualisht, sipas burimeve konfidenciale nga BSH, pritet që Banka të vendosë uljen e normës bazë të interesit për lekun. Vendim ky, që do të pasojë zvogëlimin e normës bazë të interesit nga Banka Qendrore Evropiane për euron dhe rezerva federale për dollarin amerikan. Vendimi, pritet të ndodhë së shpejti. Por në një farë mënyre, vetë Guvernatori Fullani ka paralajmëruar një veprim të tillë. Në takimin e fundit, duke analizuar gjendjen monetare të vendit, ai nënvizoi se tashmë po krijohen kushtet për një lehtësim të politikës monetare. Fullani ju referua stabilizimit të inflacionit. “Balanca e rreziqeve për inflacionin në të ardhmen është e zhvendosur në kahun zbritës, duke krijuar hapësira për manovrim në të ardhmen e afërt”.