Pas raportit të OSBE-së, Brukseli thotë se Shqipëria duhet të marrë statusin e kandidatit
Ministri suedez Karl Billd, vendi i të cilit ka presidencën e Bashkimit Evropian si dhe Olli Rehn, komisioneri evropian për zgjerimin, deklaruan dje se Shqipëria kishte mbërritur në një stad të ri të integrimit në union. Raporti final i OSBE/ODIHR forcon perspektivat evropiane të Shqipërisë, ndërkohë që mbajtja e zgjedhjeve sipas standardeve, afron vendimin për marrjen e statusit të vendit kandidat për në Bashkimin Evropian, gjatë vjeshtës së këtij viti
TIRANE – Raporti i OSBE/ODIHR, për zgjedhjet parlamentare në Shqipëri, i cili i vlerësoi ato si më të arrirat dhe duke evidentuar progres të prekshëm në të gjithë elementët e mbarëvajtjes së procesit, forcon në thelb perspektivën e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian. Pas raportit të publikuar nga OSBE/ODIHR, Bashkimi Evropian shprehet se Shqipëria është tani në një pozicion më të favorshëm për të ecur përpara me proceset e integrimit evropian. “Shqipëria është në një pozitë më të mirë pas raportit të OSBE-ODIHR-it mbi zgjedhjet”, u shpreh dje Ministri i Jashtëm suedez Karl Bildt. Po kështu në të njëjtin mendim është edhe Komisioneri i Zgjerimit të Komisionit Evropian, Olli Rehn, i cili thekson se, “është dakord që Shqipëria tani ka një shans më të mirë të përparuar në proceset e saj evropiane”. Shqipëria e paraqiti aplikimin e saj për kandidaturën e BE-së në prill. Ndërkohë BE-ja është shprehur gjithmonë se ajo do të merrej vetëm pas raportit të vëzhguesve të zgjedhjeve, duke shtuar se kryerja e zgjedhjeve do të ketë një ndikim të rëndësishëm në Bruksel ku do të vendoset edhe për vizat. Ministri i Jashtëm suedez Karl Bildt, vendi i të cilit udhëheq presidencën e radhës të BE-së, është shprehur se pas publikimit të raportit të OSBE/ODIHR, është mbyllur përfundimisht edhe procesi zgjedhor dhe se BE duhet të marrë në konsideratë kërkesën për statusin kandidat. “Bashkimi Evropian do të marrë në konsideratë kërkesën e Shqipërisë për të marrë statusin e vendit kandidat në BE. Me mbylljen procesit zgjedhor, KE është gati të shqyrtojë kandidimin e Shqipërisë”, ka bërë të ditur Bildt. Raporti përfundimtar i zgjedhjeve të 28 qershorit në Shqipëri, është konsideruar nga Brukseli si vendimtar për të ardhmen e sigurt në BE. Raporti shënoi progres dhe përmbushje të standardeve, që do të thotë se për Shqipërinë është hapur drita jeshile për marrjen e statusit kandidat. Sipas burimeve në Bruksel, në tetor BE-ja pritet të sigurojë një mandat për t’u zhvilluar nga Komisioni Evropian një analizë më të thellë nëse Shqipëria ka përmbushur të gjitha kushtet e kërkuara për një vend kandidat të BE-së . Misioni i OSBE-ODIHR-it në raportin final për zgjedhjet e 28 qershorit theksoi se Shqipëria ka shënuar progres, dhe se në këto zgjedhje nuk kishte prova për manipulim rezultati. Deri në tetor, do të arrihen kushtet për liberalizim të vizave/Lëvizja e lirë - Sllovenia i bën thirrje BE-së të ndihmojë Shqipërinë TIRANE – Ministri i jashtëm i Sllovenisë, Samuel Zhbogar, u ka bërë thirrje vendeve anëtare të Bashkimit Evropian, që t’i ndihmojnë Bosnjë Hercegovinës dhe Shqipërisë, në procesin për realizimin e kushteve për heqjen e vizave, raportojnë mediat sllovene. BE-ja tashmë e ka miratuar vendimin për heqjen e vizave për Serbinë, Maqedoninë dhe Malin e Zi dhe kjo, sipas ministrit Zhbogar, “ka nxitur reagim negativ në Bosnjë Hercegovinë”. Ai ka kërkuar që të ndihmohen Shqipëria dhe Bosnjë Hercegovina, që deri në raportet e tetorit të arrijnë përparim më të madh, në mënyrë që pas Serbisë, Maqedonisë dhe Malit të Zi, t’i arrijnë kushtet për liberalizim të vizave.
...