E Diel, 1 Nëntor 2026

Pas shëtitjes me shoqen zhduket 17-vjeçarja

09/04/2005  Rrëmbehet 17-vjeçarja vetëm 50 metra larg organit blu Policia:

dyshohet se ka ikur me të dashurin

BERAT - Marsina Hima, 17 vjeçe, nxënëse e vitit të dytë në gjimnazin “Shyqëri Lakra”, në Berat, është zhdukur, ndërsa një i ri 19 vjeç dyshohet të ketë lidhje me ngjarjen. Ngjarja ndodhi mbrëmjen e së enjtes dhe u bë publike pas denoncimit të prindërve.

Zhdukja

Banore në katin e dytë të një pallati në lagjen “30 vjetori”, vetëm 50 metra larg komisariatit dy netë më parë ishte duke shëtitur me një shoqen e saj, deri në orën 20.00. Kjo është dëshmia e shoqes së saj, e cila pretendoi në polici se ishin ndarë nga njëra-tjera fare pranë shtëpisë. Por, pikërisht në këtë orë dhe në ato të mëvonshme, ajo nuk është kthyer në banesë. Prindërit të shqetësuar me kalimin e orëve pa vajzën në shtëpi, kanë nxituar ta kërkojnë atë duke pyetur së pari komshijtë e pallatit. Kërkimi edhe te të afërmit e tyre në lagjet e tjera rezultoi pa sukses. Gjimnazistën nuk e kishte parë asnjë i afërm dhe ajo nuk ishte kthyer në banesë, edhe pas disa orë kërkimi.

Të frikësuar nga mospasja e asnjë informacioni prindërit vendosin të kërkojnë ndihmën e policisë dhe për këtë nisën djalin e tyre në komisariat.

“E pritëm deri në orën 22.00. E kërkuam kudo, ngaqë mendonim se ndoshta kishte shkuar për ndonjë vizitë te të afërmit tanë në lagje dhe në lagjet e tjera të qytetit. Kur nuk e gjetëm, erdhëm këtu në polici për të kërkuar ndihmën tuaj për të gjetur motrën“, mësohet të ketë thënë në sportelin e komisariatit të policisë vëllai i 17 vjeçares së rrëmbyer, Sajmon Hima.

I riu ka treguar në polici çdo dyshim rreth një rrëmbimi të mundshëm, rrethin shoqëror me të cilin qëndronte e motra, shoqet e ngushta të saja. Ai ka treguar tiparet e saj dhe veshjen e asaj dite, me shpresën se policia do të bënte diçka.

Policia

Pas lajmit, policia ka shkuar për kontroll të befasishëm në vendet dhe banesat ku janë dhënë dyshimet. Në këtë operacion në shumë shtëpi të Beratit punonjësit e policisë kanë siguruar të dhënat e nevojshme dhe më pas janë venë në kërkim të autorit, i cili dyshohet të ketë kryer rrëmbimin e së miturës.

Po dje, pas sigurimit të fotove të vajzës dhe të djalit, që dyshohet se mund ta këtë rrëmbyer 17-vjeçaren, polica ka shpërndarë fotot në të gjitha pikat e kontrollit kufitat tokësor dhe detar si dhe në postblloqet e ngritura enkas për këtë rrëmbim.

Sipas komunikatës të Drejtorisë të Policisë, pas verifikimeve përkatëse të bërë nga policia kriminale dhe ajo e rendit, ka rezultuar se Marsina Hima dyshohet të jëtë larguar së bashku me të dashurin e saj, shtetasin Romeo Troka, banor i lagjes “Kushtrimi”. Po sipas policies, dyshimi për largimin e vajzës me 19-vjeçarin Troka është bazuar edhe nga verifikimi dhe kontrolli që policia ka bërë në banesën e Trokës, në lagjen “Kushtrimi”. Natën që vëllai i të miturës denoncoi rrëmbimin e motrës dhe personin, për të cilin dyshonte, Troka nuk është gjetur në shtëpinë e tij.

I pyetur për rrëmbimin e vajzës, babai i saj, Patrioti, nuk ka dashur të flasë. Ai u ka kërkuar gazetarëve ta lënë të qetë në hallin që e ka zënë.

Rasti i dytë

Një vit më parë,u rrëmbyer 15-vjeçarja

Ky është rasti i dytë që në Qarkun e Beratit rrëmbehen vajza të mitura. Rasti i parë ka ndodhur gati një vitë më parë në fshatin Gegë, të rrethit të Kuçovës, kur tre djem me një makinë mashtrojnë një vajzë 15-vjeçare, e quajtur A. G. Nxënësja e klasës së VIII në shkollën e fshatit rrëmbehet nga tre djemtë momentin kur po kthehej në shtëpi. Autorët e çuan vajzën e rrëmbyer në qytetin e Durrësit, por, pas një nate, ajo mundi të shpëtojë nga kthetrat e trafikantëve dhe e ndimuar nga shoferi i taksisë, Horbet Troka është dërguar në policinë e komisariatit, ku dhe e morën prindërit.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›