Pas shumë kohësh një komunikatë komuniste; dhe Lenini e Stalini të lyer me bojë të kuqe
Dje, në orët e para të mëngjesit, dy statuja, ajo e Leninit dhe Stalinit, të cilat gjenden në pjesën e pasme të Galerisë së Arteve, u panë të lyera me bojë të kuqe. Ndërkaq, po dje në Tiranë kanë qarkulluar disa fletushka, teksti i të cilave bën si më poshtë:
KOMUNIKATË
Pse sot më datë 10 shkurt në orën 4 të mëngjesit Lenini dhe Stalini u zgjuan të kuq?
1. Sepse e vjetra nuk shembet
2. Sepse e shkuara nuk humbet
3. Sepse kjo e kuqe është e re.
Dikush (një nga autorët e aksionit, me siguri; duhet të jetë po ai që u kujdes që komunikata tna binte në dorë) na mori në telefon si redaksi, dhe na bëri me dije se lyerja e statujave është një apel (origjinal e provokativ, duhet thënë. Re.Pu.) kundër synimit për të prishur gjithë sa vjen nga periudha e komunizmit: piramida, mozaiku etj., duke mos u njohur këtyre të fundit asnjë vlerë historike, arkitekturore dhe artistike.
Mësohet se në orët e para të ditës së djeshme punonjësit e Galerisë së Arteve kanë fshirë pjesërisht bojën dhe kanë ndaluar fotografimin e statujave nga kureshtarët, pasi vendi konsiderohej zonë krimi dhe së shpejti do të vinte policia.