E Shtunë, 31 Tetor 2026

Topalli sulmon AK-në: Realitet fals

Në një intervistë për “Deutsche Welle”-n kryeparlamentarja shqiptare ka komentuar zhvillimet më të fund në vend.
Lidhur me mundësinë e krijimit të një partie të re, nga ish-nënkryetari i KLD-së Kreshnik Spahiu, Topalli u shpreh se Aleanca Kuqezi është krijuar me shpresën se mund t’i prishë punë qeverisë “Berisha”.

“Është një realitet fals, i ushqyer më shumë nga disa media të caktuara që tregojnë interes për të, ndoshta me shpresë se mund t’i prishë punë Sali Berishës. Në fakt ajo s’ka asgjë të përbashkët me PD-në, sepse PD-ja është forcë perëndimore që ka lindur për të integruar Shqipërinë në Bashkimin Evropian”, tha Topalli.

Sipas saj, AK-ja është kundër aspiratës dhe qëllimit kombëtar të shqiptarëve, pavarësisht se lobon me këtë çështje. “Kjo lëvizje është e kundërta e aspiratës dhe qëllimit kombëtar të shqiptarëve. Ndaj dhe them që është pa bazë, pa rrënjë dhe jashtë realitetit, dhe e drejtuar nga një sharlatan të cilin shqiptarët e njohin”, ka shtuar Topalli.

Sa i takon mundësisë që ajo të kandidojë për postin e Presidentit dhe sa e gatshme do ishte për të marrë përsipër këtë detyre, kryetarja e Kuvendit tha se për këtë çështje mund të fitet kur zgjedhja e Kreut të Shtetit të vendoset në rend të ditës, pas disa muajsh.

“Në kalendarin e Kuvendit të Shqipërisë ka një agjendë krejt tjetër. Zgjedhja e Presidentit do të vendoset në rend të ditës pas disa muajsh, atëherë mund të flasim sërish për këtë çështje”, u shpreh kryeparlamentarja.
/Start/E.B/

                                                                                             2012-02-10 17:20
   

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›