E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ekonomia shkurt

Bashkia e Tiranës gënjen, MPPTT-ja ka paguar të gjitha detyrimet vendore

Të gjitha detyrimet që Ministria e Punëve Publike, Transporteve dhe Telekomunikacionit ka ndaj pushtetit vendor i ka shlyer ndaj tyre. Kështu kanë deklaruar dje burimet zyrtare pranë MPPTT-së lidhur me akuzat e Bashkisë së Tiranës se ky dikaster nuk ka paguar taksat. Për të vërtetuar këtë, MPPTT ka publikuar dhe fatura që vërtetojnë detyrimet e paguara. “Në mënyrë të paturpshme, dje Bashkia e Tiranës në një prononcim për mediat ka gënjyer qytetarët e saj dhe mbarë publikun, se disa institucione shtetërore dhe konkretisht MPPTT-ja janë debitorë ndaj saj, pasi nuk kanë paguar taksat dhe tatimet vendore”, - thuhet në deklaratën e ministrisë. Ky dikaster i bënë me dije Bashkisë së Tiranës se MPPTT-ja i ka paguar të gjitha detyrimet e saj, por mesa duket paaftësia e Bashkisë së Tiranës ka pushtuar çdo hallkë të saj jo vetëm në menaxhimin e fondeve, por edhe në informimin e qytetarëve. “Ftojmë Bashkinë e Tiranës të bëjë verifikimet e saj, kësaj radhe nga njerëz të aftë dhe në mënyrë sa më të saktë”, - thotë deklarata e ministrisë.

Olldashi dhe Limaj nënshkruajnë marrëveshje bashkëpunimi për hapësirën ajrore

U nënshkrua në Prishtinë, nga ministri Olldashi dhe homologu i tij kosovar, Limaj, memorandumi i mirëkuptimit në lidhje me rolin e mundshëm të Shqipërisë për të qenë pjesë e zgjidhjes për hapësirën ajrore të Kosovës. Gjatë këtij takimi, Limaj dhe Olldashi biseduan për thellimin e bashkëpunimit midis Kosovës dhe Shqipërisë dhe në veçanti midis dy ministrive. Memorandumi i mirëkuptimit u nënshkrua edhe midis përfaqësuesve të Autoritetit të Aviacionit Civil të Kosovës dhe Drejtorisë së Përgjithshme të Aviacionit Civil të Shqipërisë. Në konferencën për media, kreu i MTPT-së, z. Limaj, e falënderoi homologun e tij, Olldashi, për vizitën e tij në Kosovë dhe u shpreh se me z. Olldashi kanë biseduar për të gjitha zhvillimet në Kosovë dhe Shqipëri, në fushën e transportit dhe telekomunikacionit, në drejtim të thellimit të mëtejshëm të këtij bashkëpunimit. Gjatë fjalës së tij, z. Limaj, duke falënderuar ministrin Olldashi dhe qeverinë e Shqipërisë për angazhimet dhe thellimin e bashkëpunimit midis dy vendeve, theksoi se ky memorandum është tepër i rëndësishëm për të dyja vendet. Ministri Olldashi, duke falënderuar ministrin Limaj dhe stafin e tij për këtë bashkëpunim, u shpreh se “besoj se ka qenë një bashkëpunim shumë i frytshëm. Gjatë këtyre muajve të fundit kemi arritur në një sërë marrëveshjes. Kemi një marrëveshje për postat, tre marrëveshje në fushën e aviacionit civil dhe jemi në përfundim të një marrëveshjeje për transportin rrugor, e cila do të jetë shumë e dobishme për transportuesit e dy vendeve”, - tha Olldashi.

Xhaferi: Infrastruktura rrit turizmin me 36% në 2009

Përmirësimi i infrastrukturës rrugore, atyre në zonat turistike dhe investime të shumta që janë bërë në vendin tonë kanë qenë një faktor kyç, që kanë ndikuar në rritjen e numri të turistëve gjatë vitit 2009. Ministri i Turizmit, Kulturës, Rinisë e Sporteve, Ferdinand Xhaferri, në analizën vjetore të dikasterit të tij, tha se është rritur ndjeshëm numri i turistëve gjatë këtij viti. “Ia vlen të përmendet që viti 2009 krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar ka pasur një rritje prej 36% dhe krahasuar me 2005, rritja është 2.5 herë. Qeveria shqiptare në programin e saj, e ka konsideruar zhvillimin e industrisë së turizmit si një nga prioritetet e saj, duke synuar kthimin e vendit në një destinacion të rëndësishme mesdhetar, për vetë larminë e madhe të atraksioneve natyrore, kulturore, kulinare e mikpritjen e veçantë”, - tha ministri Xhaferri. Ai tha se në një nga strategjitë në vazhdim, është zgjerimi i turizmit nga turizëm tradicional ku përfshihet ai i diellit dhe rërës, turizmi malor, ekoturizmi etj., në turizëm kulturor dhe pikërisht këtij qëllimi i shërbejnë edhe investimet në fushën e trashëgimisë kulturore, si edhe krijimi i një Drejtorie të Përgjithshme të Turizmit dhe Trashëgimisë, e cila do të koordinojë më mirë aktivitetin në favor të turizmit, duke rivitalizuar dhe funksionalizuar edhe vetë trashëgiminë tonë të pasur kulturore. Ministri Xhaferri tërhoqi edhe një herë vëmendjen drejt një koordinimi më të mirë të aktivitetit të ministrisë, AKT-së dhe Pushtetit Vendor, si faktor i rëndësishëm në efikasitetin e turizmit.

Mbi 40 mijë pensionistë morën dje shpërblimet në zyrat postare

Punonjësit e Postës Shqiptare janë vënë në punë me dy turne në shërbim të 555 mijë pensionistëve, për të marrë shpërblimin e dhënë nga qeveria për festat e fundvitit.
Bazuar në vendimin nr. 1216 të Këshillit të Ministrave, datë 16.12.2009, ka nisur shpërndarja e shpërblimit për festën e fundvitit për të 555 mijë pensionistët në zyrat postare. Sipas vendimit, të gjithë pensionistët do të mund të tërheqin në sportelet e postës shpërblimin prej 2.500 lekësh, duke nisur që sot deri më 31 dhjetor, por asnjë pensionistë nuk do të mbetet pa marrë dhuratën e qeverisë edhe në janar. Vetëm dje 40 mijë kanë mundur të tërheqin shpërblimet në sportelet e Postës Shqiptare, ose 10 herë më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë të viti të kaluar. Për të mos krijuar probleme në shpërndarjen e pensioneve, si dhe në përfundimin e dhënies së këtij shpërblimi, ISSH-ja, në bashkëpunim me Postën Shqiptare ka hartuar një grafik, i cili do të mundësojë shpërndarjen pa probleme të tij deri në fund të dhjetorit.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›