E Diel, 1 Nëntor 2026

Pas takimit të partive të koalicionit qeveritar, Kryeministri Berisha bëri në emër të koalicionit deklaratën e mëposhtme: Në një hark kohor qartësisht të shkurtër, ekspertët më të

Pas takimit të partive të koalicionit qeveritar, Kryeministri Berisha bëri në emër të koalicionit deklaratën e mëposhtme:

Në një hark kohor qartësisht të shkurtër, ekspertët më të shquar të partive të koalicionit qeveritar u angazhuan dhe hartuan një paketë të rëndësishme propozimesh. Jam i autorizuar të lexoj para jush këtë deklaratë të partive të koalicionit qeveritar:

Ne, partitë e koalicionit qeveritar, të bindura në respektimin e ligjeve dhe Kushtetutës së vendit dhe të drejtës së votës së lirë si e drejtë e parë e qytetarëve në një shoqëri demokratike, të bindura se këto zgjedhje kanë një rëndësi përcaktuese për ecurinë e procesit të integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian dhe NATO, të vendosura për realizimin e një procesi zgjedhor të lirë e të ndershëm, të standarteve më të mira për zgjedhjen e organeve vendore të datës 20 janar 2007 vendosëm t'u paraqesim partive opozitare dhe opinionit publik shqiptar këto propozime që garantojnë zgjidhjen e preokupimeve të shprehura nga opozita në mënyrë tërësisht trasparente dhe të plotë për listat e zgjedhësve dhe përdorimin për qëllime votimi të certifikatave të identitetit nga zgjedhësit.

Këto propozime që paraqesim sot janë masa shtesë që rrisin besueshmërinë e procesit zgjedhor.

Partitë e koalicionit qeveritar ftojnë partitë opozitare të shqyrtojnë këto propozime dhe mbeten të hapur për propozimet e sugjerimet e tyre.

Partitë e koalicionit qeveritar mendojnë se nuk mund të pretendosh për standarte duke i shkelur ato. Ndaj dhe një herë i bëjmë thirrje Partisë Socialiste, në respekt të Kodit Elektoral dhe shtetit ligjor të mos bllokojë më tej dorëzimin e listave si dhe të paraqesë përfaqësuesin e saj në Komisionet Zonale të Qeverisjes Vendore në mënyrë që të bëjë të mundur përmbushjen e standarteve që varen prej saj për zgjedhje të lira e të ndershme.

Lista përmban një sërë propozimesh, të cilat realisht vendosin një kuadër shumë të gjërë e të plotë për të gjitha shqetësimet e paraqitura dhe ne shpresojmë se do të konsiderohen me seriozitet dhe vullnet për një proces të lirë e të ndershëm nga partitë opozitare.

Më pas, duke iu përgjigjur interesimit të gazetarëve, Kryeministri bëri këto komente:

Pyetje: Zoti Meta ka akuzuar eksponentë të PS-së se nuk duan zgjedhje. Si mendoni se do ta gjeni kompromisin me ta?

Kryeministri: Axhenda ime nuk është opozita, por koalicioni qeveritar. Problemet midis opozitës janë të opozitës. Unë jam karakterizuar dhe karakterizohem nga një mosndërhyrje totale në punët e brendshme të saj.

Pyetje: Zoti Meta ka thënë se nuk beson në një kompromis, përderisa nuk shtyhet data e zgjedhjeve për të bërë të mundur arritjen e standartave.

Kryeministri: Paragjykimi nuk shërben. Ajo që ne i ftojmë është shqyrtimi i paketës. Këto janë propozime shumë serioze. Një gjë është e sigurtë dhe më lejoni t'ju garantoj ju dhe qytetarët shqiptarë se në këtë vend nuk do të mund të qendrojë njeri në karrige jashtë mandatit. Kjo është absolute. Jashtë kohës së përcaktuar nga ligji të afatit ligjor të mandatit askush nuk do të mund të qendrojë në karrige, as dhe një ditë të vetme. Republika është e fortë sa asnjëherë tjetër. Ndaj të punojmë në kuadrin e Kushtetutës dhe të ligjeve. Jashtë mandatit do të thotë të shohësh veshin pa pasqyrë apo të gjesh një eskimez në shkretëtirë.

Pyetje:Çdo të thotë kjo?

Kryeministri: Do të thotë se do të mbrohet Kushtetuta me të gjitha mjetet kushtetuese.

Pyetje: Po nëse paketa nuk pranohet nga opozita?

Kryeministri: Këto janë të palidhura me njëra-tjetrën. Afati kushtetues i mandateve është i qartë.Çdo qytetar i këtij vendi, nga kreu i shtetit deri tek të mandatuarit e tjerë, duhet ta harrojë se mund të qendrojë jashtë asaj që i takon, ajo karrige është e tjetër kujt dhe jo e tij, cilido qoftë ai. Kjo është absolute.

Pyetje: Me kë do ta bëni marrëveshjen?

Kryeministri: Ne ua drejtojmë të gjitha partive opozitare. Nuk kemi dhe nuk udhëhiqemi nga paragjykimi. Është tjetër gjë ajo çfarë mendoj unë, por jemi një koalicion që dimë të krijojmë ujdi në qendrime. Përfaqësoj partinë më të madhe dhe të jeni të sigurtë se kam mendime të kristalizuara, por unë i nënshtrohem mendimit të kësaj tryeze, e cila gjykon se duhen bërë këto hapa. Unë kam sensin e vetkufizimit të mendimit të tim.

Pyetje: Në fakt zoti Nano tha se ju nuk keni ditur ta gjeni konsensusin. Kjo e sotmja ishte mënyra për të kërkuar konsensus?

Kryeministri: Nuk do të resht ndonjëherë së kërkuari konsensus aty ku është e mundur. Ju siguroj se ndjej një keqardhje të jashtëzakonshme për mosrespektimin e Kodit Elektoral, i cili, larg të qënurit i përsosur, është konsensual dhe nuk ka ligj më të çmuar se ligji konsesnsual. Edhe vendet me traditë shumë më të fortë demokratike nuk e kanë konsensual Kodin siç e kemi ne. Prandaj siç e kemi konsensual, duhet edhe ta ndryshojmë konsensualisht. Një trashëgimi pozitive të krijuar nuk duhet ta hedhim në kosh. Edhe sikur një forcë politike të fitojë 90 vota e ta miratonte atë, do të bënte një gabim të madh ta ndryshonte pa konsensus. Nuk është e lehtë të hedhësh poshtë një marrëveshje. Por e theksoj se unë i nënshtrohem mendimeve të tryezës dhe i lë mënjanë mendimet e mia pak më të veçanta.

Pyetje: Ka mendime se ju ‘underground' po përpiqeni të shtyni zgjedhjet deri në shtator?

Kryeministri: Këtë nuk e kam menduar kurrë. Ky është një spekulim i deklaratës sime personale se po të mos ishte Kushtetuta çfarë humbte qeveria po të ishin zgjedhjet në shtator. Ky është një keqinterpretim i kësaj deklarate, sepse as nuk më ka shkuar dhe as nuk më shkon ndonjëherë ndërmend të dal mbi Kushtetutën e këtij vendi. Unë kam deklaruar se po të mos qe Kushtetuta nuk kishte problem që zgjedhjet të ishin në shtator, tetor apo dhjetor dhe këtë e kam deklaruar si dëshmi që nuk kam asnjë lidhje me datën e zgjedhjeve. Datën e ka Kushtetuta. Nuk do të qendrojë kush në karrige jashtë mandatit as dhe një ditë të vetme. Përpjekja për zgjatje mandatesh, ky hem i sheqerosur që u projektua, është tendenca më të rrezikshme për një vend. Mandati nuk zgjatet, ai dorëzohet. Por të presim. Ka kohë për ardhur ajo ditë e orë.

Pyetje: Edhe një herë, nëse opozita nuk e pranon paketën?

Kryeministri: Përse ta paragjykojmë opozitën? I jepni opozitës kohën e duhur dhe mos paragjykoni. Kjo është ftesë dhe pse të paragjykosh ftesën. Edhe ne jemi njohur me këtë tekst sot pasdreke, sepse ekspertët tanë kanë punuar dje gjithë natën dhe e kanë dorëzuar atë sot në mëngjes.

Pyetje: Por opozita ka kërkuar ...

Kryeministri: Ju lutem nuk e keni lexuar tekstin, prandaj mos e komentoni.

Zgjedhjet do të vëzhgohen nga vëzhgues ndërkombëtarë dhe ata do të japin mendimet e tyre. Ju them se është marrë modeli amerikan i votimit të atyre që mungojnë. Ka një univers të tërë formash të votimit dhe të identifikimit. Është marrë ai model që përdoret në zgjedhjet në SHBA për votat me postë nga zgjedhësit që nuk janë dhe e kanë këtë të drejtë. Përse të mos e përdorim dhe të rrisim sigurinë e opozitës? Nuk po ua imponojmë, por nuk është shpikur nga ne. Është marrë nga arkivi botëror i zgjedhjeve të vendeve demokratike.

Pyetje: Besoni se zoti Rama do t'i japë përgjigje pozitive kësaj pakete?

Kryeministri: Ajo çfarë unë besoj është çështje e tryezës. Kjo tryezë e partive të koalicionit qeveritar ka vendosur tua besojë me këtë deklaratë, këtë dokument partive opozitare. Ju lutem mos më shtyni të bëj paragjykime.

Pyetje: Ka zëra të tjerë në këtë tryezë?

Kryeministri: Në këtë tryezë jemi unikë. I qendrojmë plotësisht kësaj.

Pyetje: Besoni se PS-ja do të shprehet pozitivisht, kur ju keni deklaruar se zoti Rama nuk do zgjedhje?

Kryeministri: Nëse marrim deklaratat e zotit Rama ndaj meje dhe të miat ndaj zotit Rama, ne nuk duhet t'i drejtohemi ndonjëherë njëri-tjetrit. Por tjetër janë deklaratat dhe tjetër është imponimi epror, interesi suprem për dialog. Këto ditë ka diçka pozitive, dialogu vazhdon në të gjitha drejtimet dhe nivelet, ndërinstitucional dhe ndërpartiak pa asnjë kompleks dhe paragjykim. Dy nga partitë në këtë tryezë kanë qenë sot tek presidenti i republikës dhe kjo është normale. Zoti Mediu është takuar me zotin Majko. Kjo është pozitive, në reflektim të trashëgimisë demokratike që është krijuar në Shqipëri.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›