Kryeministri Fatos Nano do të zhvillojë nesër një vizitë zyrtare në Mal të Zi me ftesë të Kryeministrit malazez z. Milo Djukanovic. Në Podgoricë do të zhvillohet një takim trepalësh mes
Kryeministri Fatos Nano do të zhvillojë nesër një vizitë zyrtare në Mal të Zi me ftesë të Kryeministrit malazez z. Milo Djukanovic. Në Podgoricë do të zhvillohet një takim trepalësh mes tre Kryeministrave të Malit të Zi, Maqedonisë dhe Shqipërisë.
Ky është takimi i tretë trilateral që organizohet në kuadër të thellimit të mëtejshëm të bashkëpunimit mes vendeve të rajonit, pas takimeve të para të organizuara në Ohër dhe në Durrës.
Ky takim i shërben shkëmbimit të eksperiencave mes të tre vendeve tona lidhur me situatën aktuale dhe identifikimin e rrugëve dhe mundësive të bashkëpunimit për përafrimin rajonal drejt integrimit në strukturat euroatlantike.
Qëllimi i këtij takimi lidhet dhe me shprehjen e angazhimit nga ana e të tre Kryeministrave për ndërtimin dhe forcimin e sigurisë, stabilitetit dhe prosperitetit në rajonin e Europës Juglindore.
Në këtë kuadër do të bisedohet edhe për rëndësinë e projekteve rajonale në fushat e infrastrukturës, energjetikës, turizmit, telekomunikacionit dhe mbrojtjes së mjedisit, të cilat konsiderohen si mjaft të rëndësishme në funksion të zhvillimit rajonal dhe forcimit të marrëdhënieve shumëpalëshe mes të tre vendeve tona.
Një vëmendje e veçantë pritet t'i kushtohet edhe çështjeve të situatës politike dhe atyre të sigurisë në Europën Juglindore, si dhe përpjekjeve për të luftuar kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit përmes mekanizmave rajonalë dhe një bashkëpunimi të gjerë ndërkombëtar.
Në përfundim të këtij takimi të tre Kryeministrat do të dalin në një konferencë të përbashkët për shtyp.