E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri i Shqipërisë dhe Kryetari i PSSH Fatos Nano ka marrë pjesë sot në përvjetorin e 12-të të Forumit të Rinisë Eurosocialiste të Shqipërisë. Në këtë aktivitet zoti Nano u shpr

Kryeministri i Shqipërisë dhe Kryetari i PSSH Fatos Nano ka marrë pjesë sot në përvjetorin e 12-të të Forumit të Rinisë Eurosocialiste të Shqipërisë. Në këtë aktivitet zoti Nano u shpreh:

"Të dashur motra e vëllezër, bashkëmoshatarë politikë të PSSH,

Ta gëzoni ditëlindjen e Forumit Rinor Eurosocialist
Eshtë një nder dhe kënaqësi që si Kryetar i Partisë t'ju përshëndes në emër të gjithë socialistëve dhe progresistëve shqiptarë.
Unë kam edhe privilegjin e pjesëmarrjes bashkë me themeluesit në pagëzimin e Forumit tuaj me emrin e nderuar "eurosocialist".
Për 12 vjet pranë PSSH, organizata juaj është rritur dhe pjekur duke mbetur gjithnjë rinore dhe vitale.
Për 12 vjet ne arritëm të krijojmë harmoninë e brezave në vend të kontradiktave.
Për 12 vjet ne zgjodhëm rrugën e plotësimit reciprok të vlerave dhe kontributeve në vend të përjashtimit.
Për këto arsye roli dhe misioni i eurosocialistëve si brenda Partisë Socialiste dhe gjirin e rinisë shqiptare në përgjithësi ka qenë dhe mbetet i respektuar dhe i vlerësuar, i pazëvëndësueshëm edhe kur ishim në opozitë edhe gjatë ushtrimit të mandateve qeverisëse.
Anëtarët e FRESSH kanë edhe një vlerësim të vecantë, pasi idealet e tyre të moshës nuk i shkrijnë nëpër qirinj dhe nuk i varin nëpër banderola, por i kanë shndërruar në objektiva dhe kontribute progresiste në dobi të të gjitha brezave, të të gjithë shqiptarëve për një të sotme dhe të ardhme më të mirë, për një Shqipëri moderne dhe evropiane.
Ju keni vënë përgjegjësitë e brezit, përgjegjësitë qytetare dhe politike duke i vënë ato mbi tundimet dhe kënaqësitë e moshës.
Ju keni zgjedhur të punoni pranë nesh në vend të frekuentoni diskot apo chat-et në internet kafe.
Ju keni zgjedhur të mësoni me ne në vend të shëtitjeve boshe në bulevardet plot zhurmë dhe pluhur.
Nga pritës të fatit nëpërmjet horoskopeve ju jeni shndërruar në bashkëpunëtorët tanë më të mirë për të lexuar nevojat e njerëzve dhe për t'i zgjidhur ato.

Motra e vëllezër,
Shoqe dhe shokë,

Për ne socialistët në qeverisje një nga kënaqësitë më të mëdha është bashkëpunimi dhe partneriteti me brezin e ri për ta ngritur atë në standartet bashkohore të dijes, formimit profesional, kulturës, aftësisë për të konkuruar. Vrullin këmbëngulës të brezit tuaj ne e kemi mbështetur dhe do të vazhdojmë ta stimulojmë me politika zhvillimi, me zgjerim hapësirash, me investime monetare e njerëzore pasi ju do të jeni qytetarët e parë evropianë të Shqipërisë moderne që së bashku ndërtojmë cdo ditë.
Ne nuk e kemi parë ndonjëherë të sotmen dhe të ardhmen e brezit të ri tek emigrimi dhe aq më nëpërmjet industrisë së trafiqeve, por tek integrimi.
Më lejoni që edhe në emrin tuaj të shpreh sërish ngushëllimet dhe solidaritetin më të thellë për viktimat e Karaburunit pak ditë më parë. Midis tyre kishte edhe bashkëmoshatarë tuajët.
Kjo fatkeqësi e shkaktuar nga mbeturinat e trafiqeve kriminale nuk do mund të na kthejë dot në vendimin dhe aksionin tonë të vazhdueshem për të mos i eksportuar, por për t'i integruar të gjithë shqiptarët në Evropë. Aq më pak nuk do të lejojmë të rikthehet koha e regjimit të Berishës, këtij krokodili pa lot, i cili sot dhe gjithë jetën ka edhe përgjegjësinë për zhdukjen, vdekjen dhe mbytjen e mbi 200 shqiptarëve nga industria e skafeve dhe gomoneve që u krijuar me lejen dhe nxitjen e tij, që nga 3 shtatori i vitit '94 e deri në 28 mars 1997.
Lufta kundër trafiqeve kriminale nuk është vetëm punë e policisë dhe e shtetit ligjor. Kjo luftë e fituar për muaj e vite me radhë nga ne, që të mbyllet përfundimisht ka nevojë edhe për një aksion politik dhe qytetar të organizuar, ku FRESH dhe rinia në përgjithësi do të kenë një rolin e pazëvëndësueshëm. Brezi juaj karakterizohet nga shpresa e fortë dhe prandaj natyrshëm është shpresa e madhe e Shqipërisë së re. Nuk mjafton "MJAFT" në trotuare bulevardesh apo ekrane televizori.
Ftoj solemnisht Forumin tuaj eurosocialist të bëhet pjesë aktive e aksionit të madh politik të socialistëve dhe progresistëve për kuvendimin e madh me popullin shqiptar në kuptimin edhe më të mirë të problemeve dhe sfidave, për të arritur në formulimin dhe zbatimin e zgjidhjeve dhe politikave më efikase që konsolidojnë lirinë dhe shtetin ligjor, që përmirësojnë më shpejt mirëqenien, që rrisin standartet e sigurisë dhe mbi të gjitha e bëjnë reale shpresën për të ardhmen e afërt. Ne jemi votuar vazhdimisht në maxhorancë për atë c'ka kemi bërë.Çështja është se cfarë dhe ku duhet të bëjmë më mirë dhe më shpejt. Ne do të angazhohemi që rezultatet e reformave dhe transformimeve tona evropiane të mbërrijnë tek cdo individ, tek cdo familje, në cdo skaj të Shqipërisë. Prandaj kemi nevojë të punojmë, të jetojmë dhe të bisedojmë e bashkëveprojmë me cdo qytetar dhe fermer, cdo burrë dhe grua, cdo veteran dhe të ri, cdo kristian, mysliman apo ateist etj. Prioritet i këtij aksioni do të jetë brezi i ri që ju përfaqësoni të ndajë përgjegjësinë dhe kontributin me të gjithë. Për rininë shqiptare edukimi, formimi profesional, integrimi në tregun e punës, lufta kundër drogës, krimit etj, janë sfidat reale që duhet t'i përballojmë së bashku.
Ju ftoj të mos prisni që ne vëllezërit dhe motrat tuaja më të rritur t'u hapim dyert e karrierës në Parti dhe Qeveri, por së bashku të hapim çdo derë dhe zemër shqiptare për të mbjellë shpresën e madhe të të ardhmen evropiane të Atdheut tonë të përbashkët. Kjo është meritë dhe meritokraci, kjo është vlerë dhe kontribut. Për 12 vjet organizata juaj i ka dhënë Partisë Socialiste jo pak përfaqësues në forume politike apo institucione qeverisëse. Besoj se ndaj me ju të njejtin gjykim se ka ardhur koha që FRESSH ka të gjitha mundësitë t'i vazhdojë t'i japë PSSH më shumë vlera, më shumë kontribute, më shumë energji, më shumë freski dhe më shumë përfaqësues të freskët.
Rroftë rinia eurosocialiste,
Rroftë FRESSH,
Gëzuar ditëlindjen"

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›