“Pas tenderit online për fshesën ndaj administratës, nga Edi Rama prisni tenderin e miellit”

Berisha: Tepron edhe për ndonjë mik të çmuar që çmendet pas gjahut dhe trafiqeve
Kryeministri i vendit Sali Berisha reagoi dje përmes rrjetit social “Facebook” për nismën e kryetarit të PS-së Edi Rama për aplikimet online për punësim. Berisha akuzon liderin e PS-së se ka hapur tenderin online për fshesën ndaj administratës dhe sektorit privat. Sipas kreut të qeverisë, pas listave të partisë dhe fshesës në administratë dhe sektorin privat, Rama do bëjë edhe tenderin e miellit, për të kënaqur miqtë e tij të dhënë pas trafiqeve.
“Të dashur miq, në selinë mavi revansh i paparë. Pas hapjes së tenderit online për fshesën ndaj administratës, z.Rama njofton se konkurset për vendet e punës në administratë nuk kanë qenë të hapura (paçka se botoheshin në të gjitha mediat e kontrolluara prej tij), prandaj për t’i hapur ato ai ka vendosur që çdo njeri për të marrë pjesë në konkurse për punësim në administratë duhet më parë të aplikojë online dhe të presë biletën në selinë e PS. Por siç thotë fjala e urtë oreksi vjen duke ngrenë z.Rama njoftoi se fshesa e partisë do të fshijë (pastrojë) edhe sektorin privat, i cili së shpejti do të “ndihmohet” me aplikantët e “virtytshëm” online të selisë së PS. Kjo është lule. Prisni prisni tenderin e miellit. Aty deti bëhet jo kos, por flori. Tepron edhe për ndonjë mik të çmuar që çmendet pas gjahut dhe trafiqeve! Ndryshim! Me vrap drejt të shkuarës!”- shkruan kryeministri Berisha në faqen e tij zyrtare në “Facebook”. Reagimi i shefit të ekzekutivit vjen pasi kreu i PS, Edi Rama publikoi strategjinë ekstraligjore të punësimeve me formularë në administratë, përmes dorëzimit të CV-ve, në zyrën e PS. Praktikë e panjohur dhe e padëgjuar më parë. Kjo është cilësuar edhe si shkelje flagrante e ligjit për administratën publike, pasi punësimet në shtet bëhen sipas një konkursi të Departamentit të Administratës Publike dhe jo nga formularët apo CV-të e lançuara nga kryetari i PS-së. Këtu nis edhe absurditeti që lidhet me faktin se si Rama e njeh shtetin, ligjin dhe zbatimin e tij.
Mëhilli: Edi Rama, drejt regjimit të regjimit të partisë shtet dhe kontrollit partiak/Erla Mëhilli, zëdhënësja e Kryeministrit Sali Berisha reagoi dje ndaj nismës së Partisë Socialiste për aplikimin online për punësim. Në një konferencë për mediat, ajo tha se kreu i PS, Edi Rama, pretendon se Data Base i PS që do të përdoret për këtë qëllim, do t’i ofrohet edhe sektorit privat. Sipas saj, kjo është forma më staliniste e kontrollit të tregut të punës, është kazma në themelet e lirisë së këtij tregu. “Kryetari i mazhorances së re, z.Edi Rama ka hapur prej ditësh në një akt flagrant anti-shtetëror, tenderin për fshesën ndaj administratës. Madje ai pretendon se Data Base i PS që do të përdoret për këtë qëllim, do ti ofrohet edhe sektorit privat. Pra fshesa e partisë, tenderi i saj për punësim, do të përfshijë edhe punonjësit e sipërmarrjeve private. Kjo është forma më staliniste e kontrollit të tregut të punës, është kazma në themelet e lirisë së këtij tregu. Për të justifikuar veprimin e tij, vendosjen me shpejtësi të sistemit gjobëvënës socialist, Z Rama deklaron se punëkërkuesit e përzgjedhur nëpërmjet Partisë Socialiste do ti ofrohen konkurseve të hapura që organizon administrata për vende pune sepse sipas tij më parë këto konkurse nuk kanë qenë të hapura dhe tani ai do ti bëjë më të hapura duke rekomanduar nga selia e PS pjesëmarrësit e këtyre konkurseve. Unë sot jam këtu për të denoncuar këtë praktike, si një veprimtari të mirëfilltë anti - shtetërore dhe shkatërrimtare për administratën publike dhe tregun e punës në tërësi”- u shpreh Mëhilli. Ajo theksoi se listat me aplikantët e partisë do përdoren jo vetëm për fshesë ne administratën publike, por për fshesë partiake edhe për të punësuarit ne sektorin privat. “Unike dhe tejet e rrezikshme për tregun e punës është ideja se listat me aplikantët e partisë do përdoren jo vetëm për fshesë ne administratën publike, por për fshese partiake edhe për të punësuarit ne sektorin privat. Zoti Rama pretendon se me aplikantet e partisë, të rekomanduarit e saj, do të furnizojë sektorin privat për të plotësuar vendet e punës. Pra, ai dëshmon se do bëjë çdo gjë për të kontrolluar nga selia mavi tregun e punës. Ne informojmë shqiptarët se pak muaj më parë me fonde dhe ndihmë teknike të qeverisë suedeze është ngritur dhe funksionon pranë Ministrisë së Punës dhe në të gjitha qarqet e vendit portali i e- punësimit, në të cilin çdo i papunë, kudo që banon, aplikon on line me CV-ne e tij dhe pretendimin për vendin e pritshëm të punës. Po ashtu, çdo punëdhënës shpall on line ne këte portal vendet vakante në sipërmarrjen e tij, si dhe kërkesat që duhet të plotësojë punëkërkuesi për tu punësuar në atë sipërmarrje. Pra, me sistemin e tij të ri Z.Rama po hedh hapa të paimagjinueshëm për një vend të lirë, hapat e instalimit të regjimit të partisë shtet dhe kontrollit partiak rrënues të punësimit në administratën publike dhe sektorin privat”- deklaroi ajo.
Zëdhënësja e kryeministrit solli në vëmendje se plotësimi i vendeve të administratës është bërë gjithnjë vetëm pas publikimit të vendit të lirë në mediat shqiptare, përfshirë në të gjitha rastet edhe në mediat e kontrolluara nga z.Rama. “Në plotësimin e vendeve në administratë padyshim ka patur dobësi dhe bërryla por nuk ka patur kurrë listë partie të dërguar në konkurset e organizuara. Me këtë rast, informoj shqiptarët se administrata shqiptare në vitin 2005 kishte vetëm 1% te punonjësve të saj të diplomuar në vendet perëndimore, ndërsa sot ka mbi 21 % të tyre të shkolluar në universitetet me të mira të këtyre vendeve. Të gjithë këta nuk kane ardhur në administratë nga listat e partisë, por kanë ardhur nga konkurset e hapura nga Departamenti i Administratës Publike për plotësimin e vendeve të lira të punës”- tha ajo.