Haxhinasto: Shëndetësia falas, premtim që nuk mund të jetësohet
Hipokrizia e Edi Rama del në shesh – premtimet për shëndetësi falas dhe ulje të taksave ishin mashtrime
“Shëndetësia falas” ka qenë një nga premtimet më të mëdha të socialistëve gjatë fushatës elektorale. Por është Edmon Haxhinasto i LSI-së që ka zbritur aleatët e PS-së me këmbë në tokë, duke deklaruar se shëndetësia do të vazhdojë të financohet me taksat e shqiptarëve. Ndryshe nga sa premtojnë aleatët e tij të PS-së, Edmond Haxhinasto i LSI-së, sqaron se shëndetësinë, në fakt, do të vazhdojmë ta paguajmë të gjithë. “Ndryshimi i sistemit kërkon një kohë të konsiderueshme, duhen sigurisht përpunuar aktet ligjore, duhet të mësohet edhe i gjithë personeli i shërbimit shëndetësor me modelin e ri, pra kërkohet një kohë. Por edhe në rastin kur flasim për një sistem shëndetësor falas, sigurisht do të ketë kontribute nga qytetarët, sepse nuk mund të ketë buxhet shteti, por nuk pati kontribute nga qytetarët. Kështu që ju e kuptoni që në këtë lloj sistemi janë qytetarët ata që duhet të kontribuojnë me taksën e tyre për sistemin shëndetësor. Ne si LSI kemi propozuar që të ruanim sistemin aktual që kontributi shëndetësor të shkonte në një fond të veçantë për shëndetësinë, ndërsa propozimi i PS-së është që kontributi për shërbimin shëndetësor të jetë pjesë e taksës së përgjithshme që paguan çdo qytetar i Shqipërisë, pra duke mos e quajtur atë taksë për shërbimin shëndetësor. Pastaj buxheti i shtetit mbulon në një masa të caktuar, sigurisht ka një masë për buxhetin, shërbimin që i ofrohet qytetarëve”- u shpreh ai. Haxhinasto që kryeson grupin e punës së LSI në hartimin e një programi të përbashkët për 300 ditët e para të qeverisjes me socialistët, tregon ku ndahen dy aleatët e koalicionit të majtë për shëndetësinë. Dy qëndrimet, sipas anëtarit të kryesisë së Lëvizjes Socialiste për Integrim, do të konvergohen, sipas tij, për t’i shërbyer sa më mirë qytetarëve. Sistemi shëndetësor falas ishte një nga premtimet kryesore të PS në fushatë elektorale. Ende pa nisur punë qeveria e re, palët përgjegjëse po heqin dorë nga ato që kanë gënjyer në mitingjet “mavi”, duke i thënë shqiptarëve se “iu mashtruam edhe këtë herë si shumë herë të tjera”. Dhe, krahas dështimit të premtimit për shëndetësi falas, edhe ajo për uljen e taksave (e parealizueshme) është një tjetër dëshmi se qeveria e pas shtatorit është një formacion mashtrimi dhe gënjeshtarësh të paskrupullt. Gjithsesi në secilin rast, të dëmtuarit janë shqiptarët. Besuan verbërisht një alternativë të mbushur me hipokrizi!