E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pas ullirit dhe vreshtave, subvencionohen pjeshka dhe arrorët


E. Senja

Programin për mbështetjen e mbjelljes së pemëve frutore nuk do të mjaftohet vetëm më ullinjtë dhe vreshtat, por do të zgjerohet edhe në drejtim të kulturave të tjera. Qeveria miratoi dje shumën e subvencionit që do të përfitojnë bujqit në rast të kultivimit të ullinjve, vreshtave, arrorëve, serrave, prodhimin e qumështit apo mbarështimin e gjësë së gjallë.

Kështu përshembull, shuma e subvencionit për çdo bujk që mbjell ullinj do të jetë 180 deri 250 mijë lekë për hektarë, me kushtin që të mbjellë një hapësirë jo më të vogël se dy dynym. Referuar këtij vendimi, nëse një bujk mbjell pesë dynym ullinj përshembull, do të përfitojë 90 deri 125 mijë lekë subvencione nga buxheti i shtetit. Diferenca bëhet nga forma e kultivimit. Maksimumin e subvencionit e përfitojnë ata që mbjellin pemë në format intensive të kultivimit.

Qeveria nuk ka harruar arrorët. Bujqit do të përfitojnë 180 deri 250 mijë lekë subvencion për hektar, për mbjelljen e arrave, 180 mijë lekë për lajthitë, bajamet dhe shegët, 200 mijë lekë për mbjelljen e mollëve, dardhave, kumbullave dhe ftonjve. Pjeshka gjithashtu ka tërhequr vëmendjen e ekzekutivit duke i ofruar 200 mijë lekë për hektar subvencion çdo bujku që kultivon pjeshkë. Për mbjelljen e kivit, agrumeve dhe luleshtrydheve gjithashtu ofrohen 200 lekë për hektar subvencion. Kushti për tu përfshirë në skemën e subvencionimit është mbjellja e një hapësire jo më të vogël se dy dynym. Shuma e subvencionit përpjesëtohet me hapësirën e mbjellë.

Për prodhimin e vajit të ullirit ndërkohë, ofrohet një subvencion prej 100 lekë për litër për sasitë deri në 15 tonë në vit. Për sa i përket serrave, fondi do të subvencionojë deri në 200 mijë lekë për hektarë blerjen e plastmasit. Pjesë e programit duket se do të jenë edhe ata që mbarështojnë lopë ose dele me qëllim prodhimin e qumështit, mishit apo leshit. Çdokush që ka një fermë me më shumë se 10 lopë do të përfitojë subvencion 10 lekë për çdo litër qumësht të prodhuar. Projekti gjithashtu parashikon subvencion për çdo kokë lopë, dele, koshere blete, etj., të mbarështuar nga bujqit. 500 lekë për kokë është masa e subvencionit për çdokënd që mbarështon më shumë se 100 kokë dele.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›