E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pas vdekjes së djalit dhe gruas, burri refuzon mjekimin

Gruaja Majlinda Mehmeti kishte lënë amanet që të varrosej pranë varrit të të birit, dje u krye ceremonia mortore

LUSHNJE “Më lini të vdes, dua t’i bashkohem familjes në botën tjetër”, - kështu u është drejtuar mjekëve bashkëshorti i gruas që humbi jetën në mënyrë të dhimbshme dy ditë më parë në fshatin Këmishtaj të rrethit të Lushnjës. Kryefamiljari 45-vjeçar sapo ka dalë nga gjendja kritike u ka kërkuar mjekëve ta linin të shkonte në botën e përtejme për t’u bashkuar me të birin dhe gruan. Momentalisht ai vazhdon të jetë në reanimacion në gjendje të rëndë, por mjekët shprehen se tashmë rreziku ka kaluar. Në orët e paradites së djeshme mjekët kanë vijuar ta mbajnë nën kontroll situatën, ndërsa mësohet se po në mëngjes ka shkuar edhe grupi i hetimit. Burime nga ky grup bëjnë me dije se i kanë kërkuar burrit 45-vjeçar që të jetë i qetë dhe t’u mundësojë atyre një dëshmi rreth ngjarjes, por mesa duket Pandeli Marku ka qenë i prerë.

“Mos më mjekoni, mos u kujdesni, se unë prapë do ta bëj këtë që bëra. Unë nuk jetoj dot pa familjen time”, - kështu mësohet të ketë thënë me zërin e shuar Marku. Ky i fundit do të vazhdojë të jetë nën kontrollin e mjekëve derisa gjendja shëndetësore të përmirësohet.

Ndërkohë dje, në orën 11:00 familjarë dhe të afërm kanë përcjellë për në banesën e fundit gruan 43-vjeçare, e cila u helmua me fostoksinë dy ditë më parë. Mësohet se varri i gruas është çelur pranë djalit të ikur, duke respektuar kështu edhe një letër që ajo kishte lënë në dhomën e gjumit. “Më varrosni pranë varrit të djalit”, kishte shkruar gruaja. Burime nga të afërmit e tyre kanë zbuluar edhe përmbajtjen e letrës së fundit të gruas së re, që kishte lënë amanet edhe varrosjen e saj pranë të birit.

“Unë po vdes. Piva helm, pasi helm ishte e tërë jeta ime pas vdekjes së djalit. Nuk e duroj dot humbjen e tij. Kush e merr në dorë këtë letër, të zbatojë edhe amanetin tim të fundit. Me varrosni pranë varrit të djalit”. Kaq kishte shkruar gruaja fatkeqe, ndërsa letra kishte një shkrim që mezi lexohej.

Burrë dhe grua u vetëhelmuan dy ditë më parë pas dhimbjes për humbjen e djalit të vetëm në një aksident rrugor një vit më parë. Tragjedia familjare ka shokuar gjithë të afërmit e familjes si dhe rrethin e Lushnjës, ndërkohë që policia deklaroi se vetëflijimi erdhi si shkak i depresionit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›