Vodhi kabllon elektrike, shpallet në kërkim drejtori i Ujësjellësit
Operacioni “Kablloja” vë në pranga 4 persona dhe nis hetimi në gjendje të lirë për tre të tjerë. Ata akuzohen se në bashkëpunim me njëri-tjetrin kanë vjedhur në mënyrë të përsëritur kabllon duke lënë pa ujë Patosin
FIER Deklaronin të vjedhur kabllon e energjisë, duke privuar nga furnizimi me ujë të pijshëm banorët e Patosit dhe zonës për rreth, por në fakt atë e shisnin më pas për skrap. Një gjë e tillë ishte ideuar nga drejtori i Ujësjellësit të Patosit, Baftjar Gropa, i cili në bashkëpunim me vartësit e tij e vidhte kabllon dhe më pas e shisnin.
Të paktën, ky është konstatimi i një hetimi disamujor i Drejtorisë së Policisë së Qarkut të Fierit, për vjedhjen e telave të bakrit të linjës që furnizon me energji elektrike stacionin e pompave të ujit të pijshëm të qytetit të Patosit. Edhe dy ditë më parë, në orët e para të mëngjesit të së dielës, dy persona, Pëllumb Nazëraj dhe Nuri Velaj, banorë të fshatit Varibop, u arrestuan në flagrancë teksa kishin vjedhur rreth 250 metra kabllo. Kjo ka qenë vjedhja e fundit e grupit të dyshuar, të përbërë nga tetë persona, që të gjithë punonjës të ndërmarrjes së Ujësjellësit të Patosit.
Arrestimi
Lajmi është bërë i ditur nga burime zyrtare të Drejtorisë së Policisë së Qarkut të Fierit, të cilat sqaruan se si të dyshuar për këtë vjedhje masive dhe të përsëritur janë vënë në pranga katër persona, një është shpallur në kërkim dhe tre po hetohen në gjendje të lirë. Më konkretisht, burimet zyrtare të policisë njoftojnë se është shpallur në kërkim policor Baftjar Gropa 44 vjeç, banor i fshatit Dukas të rrethit Fier, me detyrë drejtor i Ujësjellësit Patos, pasi akuzohet për veprën penale të “Vjedhjes duke shpërdoruar detyrën”. Ndërsa janë vënë në pranga Sajmir dhe Ajet Yzeiri, përkatësisht 34 vjeç dhe 40 vjeç, banorë të fshatit Kreshpan me detyrë pompist të këtij ujësjellësi. Kujtim Shahaj 44 vjeç, banor i Cakranit, me detyrë elektricist i këtij fshati. Të tre të arrestuarit e sipërpërmendur dyshohen se kanë konsumuar veprën penale të “vjedhjes” dhe “shpërdorimit të detyrës”. Ndërsa Ardian Myftaraj 42-vjeç, banor i fshatit Dukas, dyshohet për kryerje të veprës penale të “përvetësimit të mallrave të vjedhur”. Ndërkaq, po hetohen në gjendje të lirë prej policisë për veprën penale të “vjedhjes”, Pëllumb Nazëraj 59 vjeç dhe Nuri Velaj 49 vjeç, banorë të fshatit Varibop dhe me detyrë përkatësisht ndihmës pompist dhe pompist në stacionin e pompave të ujit në fshatin Varibop.
Skema
Sipas burimeve të bluve, vjedhja dyshohet të ketë qenë e mirëorganizuar dhe të jetë përsëritur disa herë. Hetuesit kanë ngritur dyshimet se drejtuesi i ujësjellësit, 44-vjeçari Baftjar Gropa, ka pasur dijeni mbi këtë vjedhje. Madje policia dyshon se ai ka qenë “truri” i gjithë kësaj vjedhje, theksojnë burimet e policisë. Dyshohet se ai bashkëpunonte me vartësit e tij, të cilët i kryenin vjedhjet në terren. Ndërsa më pas kujdesej që ndërmarrja të kryente blerje të sasive të kabllos së vjedhur. Burimet pohojnë se kjo gjë dyshohet të jetë përsëritur disa herë. Kablloja e re vendosej sërish, për t’u vjedhur nga po ata që e kishin grabitur më parë. Ankesat e qytetarëve të Patosit të mbetur disa herë pa ujë të pijshëm si dhe informacionet e marra në rrugë operative, kanë qenë indiciet e para të hetimit ndaj këtij grupi të dyshuar për vjedhje. Qyteti i Patosit vazhdon të jetë në ditën e dytë pa ujë të pijshëm. Ndërkohë që vetëm dy ditë më parë vetë kreu i Ujësjellësit, Gropa, doli në deklaratë për mediat ku denoncoi rastet e vjedhjes, teksa u shpreh se policia duhet të gjejë autorët e kësaj ngjarjeje.
Në kërkim
Baftja Gropa, drejtor
Të arrestuar
Sajmit Yzeiri, pompist
Ajet Yzeiri, pompist
Kujtim Shahaj, elektricist
Ardian Myftaraj
Në gjendje të lirë
Pëllumb Nazëraj
Nuri Velaj
Agron Meçaj