E Diel, 1 Nëntor 2026

Sot pasdite, Kryeministri Berisha zhvilloi në Vlorë një takim me qytetarët vlonjatë. Duke iu drejtuar të pranishmëve, në fjalën e tij përshëndetëse, Kryeministri u shpreh: "Para s

Sot pasdite, Kryeministri Berisha zhvilloi në Vlorë një takim me qytetarët vlonjatë.

Duke iu drejtuar të pranishmëve, në fjalën e tij përshëndetëse, Kryeministri u shpreh:

"Para së gjithash dëshiroj të përulem me nderim të madh e mirënjohje të thellë për mbështjen dhe votën tuaj të 3 korrikut, me të cilën ju, qytetarë të Vlorës, ndryshuat Vlorën, ndryshuat Shqipërinë.

Kam ardhur sot tek ju për t'ju premtuar ju dhe për t'ju dhënë fjalën se me zotin Kreshnik Alimerko do të punojmë për të zbatuar dhe konkretizuar të gjitha projektet e mëdha për Vlorën. Në 10 ditëshin e dytë të shkurtit, së bashku me zotin Alimerko, do të presim shiritin e autostradës me 4 korsi që lidh Vlorën me Fierin, Durrësin, Tiranën, Kukësin, Prishtinën. Ndërtimin e saj e ka filluar nga një prej kompanive më të mëdha të Evropës, përfundimi i së cilës 4-fishon ardhjen e turistëve dhe vizitorëve në Vlorën e mrekullueshme.

Zoti kryetar i ardhshëm i Bashkisë, javën që vjen këtu firmoset kredia për ujësjellësin e Vlorës; nisin punimet për impiantin e përpunimit të ujërave të zeza me qëllim pastrimin dhe mbajtjen pastër të Vlorës, ujërave e brigjeve të saj. Projekte të tjera të mëdha nisin këtë vit për Vlorën. Porti i Vlorës, modernizimi i tij është një tjetër projekt i madh që së bashku me zotin Alimerko do ta shndërrojmë në realitet për Vlorën. Parku industrial do të jetë një zhvillim tjetër madhor për Vlorën dhe gjithë rajonin, në të cilin do të mund të punësohen mijëra qytetarë vlonjatë. Vlora do të ketë termocentralin e saj si kusht të domosdoshëm për zhvillimin e turizmit, të industrisë, zhvillimin e Vlorës e të gjithë bregut. Vlora do të ketë, gjithashtu, aeroportin e saj. E theksoj sërish ne jemi të bindur se në Vlorë do të ndërtohet porti më i fuqishëm turistik i vendit. Orikumi, Himara, Selenica do të jenë në vëmendje të qeverisë. Vetëm për infrastrukturën e bregut të Jonit ka një kredi për dhjetëra projekte, që në 4 vjet do të arrijë në 76 milion euro.

Jam këtu për t'ju bërë thirrje të vazhdojmë së bashku për të realizuar projektet e mëdha, të vazhdojmë së bashku për të luftuar me tolerancë zero krimin e organizuar, korrupsionin, trafiqet. Jemi këtu për t'ju shprehur mirënjohjen, sepse ishte pikërisht mbështetja juaj, mbështetja e qytetarëve shqiptarë që bëri të mundur luftën me tolarancë zero kundër korrupsionit.

Ne ia dolëm në një vit të kursejmë nga shpenzimet abuzime të qeveritarëve, nga prokurimet publike, evazioni fiskal, kontrabanda 600 milion euro, të cilat ne i shndërruam në pensione duke i rritur ato më shumë se në 15 vitet e fundit; i shndërruam në rroga për mësuesit tanë, infermierët, mbarë punonjësit. I shndërruam në studime universitare, në rrugë, ujësjellësa, kanalizime. Por dua t'ju garantoj se këtë e konsiderojmë vetëm një stacion. Më e ashpër, më e sigurt dhe më e suksesshme do të jetë lufta jonë në vitet që vijojnë. Në të gjitha përpjekjet tona ne kemi një qëllim, të përmirësojmë jetën tuaj e të fëmijëve tuaj, shërbimet ndaj jush, shkollat për fëmijët tuaj, strehimin dhe punësimin tuaj. Ndaj ju ftoj të vazhdojmë së bashku.

Në një vit ne ia dolëm të firmosim Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit me BE-në, ia dolëm të vlerësohemi si një vend që mund të marrë ftesën në samitin e ardhshëm për anëtarësim në NATO. Së bashku të vazhdojmë drejt integrimit të vendit në BE e NATO, sepse së bashku ai dolëm të krijojmë një besim të merituar tek partnerët tanë në Evrope e SHBA.

Të dashur qytetarë,

Më 18 shkurt me votën tuaj ju do të votoni për të vazhduar së bashku, do të votoni zotin Kreshnik Alimerko, sepse ai është kandidati juaj, përfaqëson secilin prej jush, përfaqëson çdo vlonjat, përfaqëson vlerat tuaja. Ndërsa shoku Gjika përveç Mezanit, njeri tjetër në Vlorë nuk përfaqëson. Ndaj më lejoni t'i bëj një thirrje, t'i them shoku Shpëtim dil e bëj fushatë se ne jemi qeveri demokratike, jemi për fushata të qytetëruara dhe mos rri në bashki si në kështjellë duke lëshuar përditë fletërrufe, pasi qytetarët duan projekte, duan vizion dhe të ardhme, i ke ditët e numëruara.

Edhe njëherë ju përshëndes përzemërsisht e ju siguroj se Vlora është dhe do të mbetet në epiqendër të të gjitha projekteve të mëdha në Shqipëri dhe të të gjitha investimeve tona madhore. Rroftë Vlora!"

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›