Dështon lista e të pastrehëve
SHKODER- Dështon miratimi i listës së familjeve me statusin e të pastrehëve, që pritet të përfitojnë banesa me kosto të ulët. Në mbledhjen e radhës të Këshillit Bashkiak të Shkodrës që u zhvillua dje, pika me e nxehtë e diskutimit ishte miratimi i sistemit të pikëzimit. Kjo ishte një nga kriteret bazë për komisionin e ngritur nga ky këshill, që do të merret me përcaktimin dhe nxjerrjen e listës së 40 familjeve, të cilët pritet të sistemohen në një pallat të ndërtuar me financimin e Entit Kombëtar të Banesave. Përcaktimi i sistemit të pikëzimit është një nga pikat e rëndësishme, ku qeveria ia ka atribuar qeverisjes vendore me qëllim përcaktimin strikt dhe rigoroz të personave që do të përfitojnë strehim në banesa me kosto të ulët. Shpërndarja e këtyre pikëve, sipas kategorive, provokoi debate për rreth 2 orë. Këshilltarët e majtë, edhe pse në parim ishin pro një sistemi pikëzimi, kërkuan që mbledhja të ndërpritet për 5 minuta me qëllim që të sqaroheshin edhe një herë në lidhje me një rishpërndarje të re të pikëve. Po kur ata u rikthyen në sallë, mbledhja nuk mund të vazhdonte, pasi një pjesë e këshilltarëve të tjerë ishin larguar nga salla. r.d