Pas votimit, Tirana i rikthehet jetës normale
Atmosfera zgjedhore vazhdon të ndjehet në kryeqytet ndërkohë që ende nuk kanë kaluar 48 orë nga moment kur qytetarët hodhën votën e tyre në kuti. Thuajse në çdo tavolinë në baret e kryeqytetit tema e diskutimit mbetet rezultati i 23 qershorit. Por gjithçka përfundon këtu, mes një bisede mes miqsh apo edhe me batuta. Pas minutave të para të bisedës që konsumohen rreth zgjedhjeve, biseda dhe e tërë dita merr rrjedhën e saj normale. Me përjashtim të subjekteve të interesuara politike, simpatizantëve të tyre dhe medias që vazhdon ta ndjekë nga afër procesin zgjedhor deri në përfundim të tij qytetarët i janë rikthyer me shpejtësi normalitetit. Gjithashtu, punët e përditshme dhe axhenda e çdo qytetarit nuk lejon më që të konsumohet më shumë kohë se kaq me zgjedhjet. Bizneset e vogla, bizneset e mëdha, bankat etj vazhdojnë aktivitetin e tyre normal. Zgjedhjet e 23 qershorit zyrtarisht nuk kanë përfunduar ende sepse procesi i administrimit të tyre vazhdon dhe duhet ende kohë deri në shpalljen e rezultatit përfundimtar. Megjithatë për qytetarët duket se procesi zgjedhor ka përfunduar menjëherë pas hedhjes së votës së tyre në kuti. Tashmë ata merren me aktivitetin e tyre të përditshëm ndërkohë që procesin e administrimit të votës e vëzhgojnë në distancë dhe qetësi.
...