Pasaportat, PS kërkon informacion
Partia Socialiste i kërkoi Ministrisë së Brendshme dhe kryetarit të komisionit ad hoc, përmes një shkrese zyrtare, informacion për pasaportat e vjetra. Tre anëtarët socialistë të këtij komisioni, Kastriot Islami, Blendi Klosi dhe Fatmir Xhafaj, janë nisur nga disa fakte në formulimin e kësaj kërkese, në veçanti tani që ka nisur aplikimi dhe shpërndarja e pasaportave biometrike. Duke pasur parasysh që pasaporta jashtë vendit është mjet identifikimi që i jep mundësi votuesit të votojë dhe me synimin për të shmangur përdorimin abuziv të pasaportave të vjetra që mund të lëshohen eventualisht, socialistët e kërkojnë këtë informacion nga Ministria e Brendshme. "Sa është numri i pasaportave të papërdorura dhe cilët janë numrat e serive të tyre? Ku administrohen pasaportat e mbetura dhe ç‘do bëhet me to në të ardhmen? Ku mbahen ato? A po lëshohen pasaportat e vjetra, nëse po, ku? Çfarë aktesh nënligjore janë hartuar për këtë çështje?", thuhet në shkresën zyrtare.