E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama: Tirana do të ndryshojë më shumë pas 28 qershorit

Edhe pse nën trysninë e një qeverie që nuk do dhe nuk di, Tirana ka ndryshuar dhe do të ndryshojë edhe më shumë pas zgjedhjeve të 28 qershorit. Kjo ishte deklarata e kryebashkiakut Edi Rama gjatë inspektimit të punimeve për rehabilitimin e infrastrukturës në Bllokun e banimit nr. 51, i cili ndodhet në pjesën veriore të qytetit të Tiranës dhe kufizohet nga rrugët "Jordan Misja" - Unaza - "Don Bosko", në Njësinë Bashkiake nr. 9. "Përpara pak minutash, një qytetare që takova më shprehu kënaqësinë për çeljen e gjithë këtyre pemëve në qytet dhe më tha: ‘Tirana duket ndryshe‘. Tirana do të duket edhe më ndryshe pas 28 qershorit, sepse e vërteta është se e gjithë kjo punë kolosale zhvillohet nën një trysni të jashtëzakonshme dhe në një vështirësi të patregueshme, për shkak të një qeverie injorante, e cila nuk do, nuk di, dhe nuk mund të bëjë më shumë", tha Rama. Ai shtoi se "qeveria vendore e këtij kryeqyteti duhet të ketë të gjithë hapësirën e domosdoshme që i jep jo vetëm Kushtetuta, por në radhë të parë vullneti i popullit të kryeqytetit". Rama i siguroi të gjithë se ky transformim i madh i Tiranës është vërtet një pjesë e atij transformimi kolosal që do të shihet në vitet në vijim pas 28 qershorit. Janë 249667740 lekë nga të ardhurat e Bashkisë së Tiranës që synojnë përmirësimin e infrastrukturës dhe rehabilitimin e plotë e cilësor të këtij blloku, me sipërfaqe rreth 36 hektarë. Në projekt po trajtohen gjithashtu edhe rrugët ekzistuese sekondare.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›