E Shtunë, 31 Tetor 2026

"Mjaft!": Ja deputetët "memecë" dhe oratorë

Deputetët shqiptarë e kanë shkelur rregulloren e Kuvendit sa herë e kanë parë të arsyeshme. Kjo u konstatua nga organizata "Mjaft!", e cila publikoi dje raportin e saj për monitorimin e legjislativit shqiptar. Sipas këtij studimi, nenet më të shkelura nga deputetët janë ai 15, 34, 35, 57, 62 dhe 67. Janë 15 deputetë të grupeve të ndryshme parlamentare që kanë shkelur nenin 57 të Rregullores së Kuvendit, ku përcaktohet në mënyrë të qartë se votimi është vetjak dhe që e drejta e votës nuk delegohet. Një pjesë e mirë e deputetëve, sipas raportit të "Mjaft!"-it e kanë harruar këtë nen dhe kanë votuar më shumë se një herë për kolegun që ka munguar. Si rrjedhojë e kryerjes së kësaj shkeljeje procedurale vihet në dyshim ligjshmëria e 16 nismave ligjore, sepse nuk ka qenë prezenca e duhur dhe deputetët kanë votuar për kolegët e tyre. Shkelja e Rregullores së Kuvendit është evidentuar nga "Mjaft!" edhe në mbledhjen e komisioneve parlamentare, ku, ashtu si në Kuvend, vihet në diskutim ligjshmëria e nismave ligjore. Deputetët në komisionet parlamentare kanë shkelur nenin 34 të Rregullores, ku përcaktohet që mbledhjet e komisioneve janë të vlefshme kur marrin pjesë më shumë se gjysma e anëtarëve të komisionit dhe vendimet merren me shumicën e votave në prani të më shumë se gjysmës së anëtarëve të komisionit. Në raportin e "Mjaft!" thuhet se gjatë vitit 2008 janë zhvilluar në kushtet e dhunimit të procedurave të përcaktuara 58 mbledhje të komisioneve të përhershme parlamentare, në të cilat janë marrë vendime dhe janë miratuar për kalimin në seancat plenare një numër i madh projektligjesh, të cilat duhet të ishin shpallur të pavlefshme për mungesën e kuorumit gjatë miratimit në komisione.

Në raportin e "Mjaft!" janë evidentuar edhe deputetë, të cilët, në disa votime të projektligjeve në Kuvend, nuk u janë bashkuar qëndrimeve të grupeve parlamentare ku ata bëjnë pjesë. Sipas raportit, ashtu si edhe në sesionin e shkuar, grupi parlamentar i PAA-së shfaqet më i konsoliduar. Nuk ka asnjë rast që anëtarë të tij të kenë votuar ndryshe nga pjesa tjetër e grupit parlamentar. Edhe grupi parlamentar demokrat-reformator nuk ka pasur asnjë deputet antikonformist gjatë këtyre dy sesioneve parlamentare. Grupi parlamentar i PR-së, LSI-së, PS-së, PD-së, PSD-së, grupi i Qendrës Demokrate dhe Grupi i Qendrës kanë deputetët të cilët kanë votuar ndryshe nga vendimi i marrë në grup për projektligje të ndryshme.

Në raportin e "Mjaft!" është evidentuar edhe numri i seancave dhe komisioneve të cilat janë shtyrë për arsye të ndryshme. Sipas raportit, rezultojnë 13 raste të shtyrjeve të seancave plenare, gjatë sesionit të tretë rezultojnë gjashtë të tilla, ndërsa në sesionin e katërt nuk rezulton asnjë shtyrje. Gjatë sesionit të pestë rezultojnë dy raste të shtyrjeve të seancave plenare, ndërsa gjatë sesionit të gjashtë dhe të shtatë rezultojnë pesë raste të shtyrjeve të seancave plenare. Ndërsa në lidhjet me punën e komisioneve parlamentare, rezultojnë 32 raste të shtyrjes së mbledhjeve për arsye të ndryshme.

Sipas raportit të "Mjaft!" në top listën e deputetëve që kanë munguar më shumë në Kuvend, si gjithmonë kryesor, është deputeti i PS-së ish-kryeministri dhe ish-kryetari i kësaj force politike, Fatos Nano. Nga 161 seanca, ai ka marrë pjesë vetëm në 6 seanca parlamentare. Lista pasohet nga Taulant Dedja, Ilir Meta, Vangjel Dule etj. Ndërsa nga deputetët më të rregullt që nuk kanë munguar në asnjë seancë rezultojnë; i pari i listës deputeti i PD-së, Engjëll Cara, i pasuar nga Parid Teferiçi e Dashnor Sula.

Në krye të listës së deputetëve, të cilët kanë qenë më aktivë në seancat parlamentare, është deputeti i PS-së, Erjon Braçe, i pasuar nga Pëllumb Xhufi, Valentina Leskaj, Nikollaq Neranxi, Arben Malaj, Taulant Balla e Dashnor Sula. Në kategorinë e deputetëve më të heshtur, të cilët nuk e kanë marrë fjalën asnjëherë gjatë dy sesioneve të shkuara, figuron emri i Flori Bajramajt, Taulant Dedes, Hamit Kostës e Fatos Nanos.

Analiza

Sa i përmbahen grupet parlamentare në Kuvend premtimeve

Qasja e nismave ligjore

me platformat elektorale

Në krahasim me sesionin e shkuar, Partia Demokratike ka bërë një progres në përputhjen e nismave ligjore të votuara prej grupit të saj parlamentar me premtimet e platformës zgjedhore. Sipas raportit të "Mjaft!", megjithatë niveli i qasjes mbetet i pamjaftueshëm. Në sesionin e parë parlamentar të vitit 2007 Partia Demokratike ka shënuar një nivel të lartë qasjeje të ligjeve me premtimet, rreth 30%, që nuk u ruajt, përkundrazi u ul me kalimin e kohës në 16% dhe së fundi 19%. E njëjta gjë vlen edhe për partitë e tjera, por duhet theksuar që ky shqetësim i rëndon më tepër partisë që ka mazhorancën parlamentare, si dhe drejtimin e qeverisë, prej së cilës propozohen pjesa më e

madhe e politikave. Sipas "Mjaft!", kjo mungesë koherence mes premtimeve dhe zbatimit të politikave është një e dhënë e drejtpërdrejtë që tregon se premtimet elektorale të partive politike bëhen mbi bazën e nevojave emergjente të qytetarëve për të fituar besimin e tyre, duke qenë të ndërgjegjshëm për pamundësinë e realizimit të premtimeve. Prej nga mund të nxjerrim përfundimin se partitë politike përdorin premtime

populiste me qëllimin e vetëm final të marrjes së pushtetit, duke zëvendësuar njëra-tjetrën me pothuajse të njëjtat premtime dhe pa asnjë alternativë të qartë.

Deputetët që nuk kanë folur

Flori Bajramaj

Taulant Dedja

Hamit Kosta

Fatos Nano

Galip Ramadhi

Genc Sharku

Bukurosh Stafa

Ymer Tola

Mevlan Xhindoli

Deputet që flasin më shumë

Erion Braçe

Pëllumb Xhufi

Valentina Leskaj

Nikollaq Neranxi

Arben Malaj

Taulant Balla

Dashnor Sula

Petro Koçi

Genc Ruli

Deputetët që munguan më shumë

Fatos Nano 6-161

Taulant Dedja 54-161

Ilir Meta 67-161

Vangjel Dule 72-161

Shpëtim Idrizi 74-161

Nikollë Lesi 82-161

Tom Doshi 82-161

Ndricim Babasi 93-161

Fatmir Mediu 94-161

Nard Ndoka 94-161

Skënder Gjinushi 98-161

Ben Blushi 100-161

Hamit Kosta 102-161

Dritan Prifti 107-161

Hajrulla Paturi 112-161

Piro Lutaj 113-161

Elmaz Sherifi 114-161

Paskal Milo 114-161

Leonard Solis 117-161

Sadri Abazi 117-161

Deputetët më të rregullt në seanca

Engjëll Cara 161-161

Parid Teferici 161-161

Dashnor Sula 161-161

Safet Sulaj 161-161

Fatos Hoxha 161-161

Genc Sharku 161-161

Gjovalin Prenga 161-161

Galip Ramadhi 161-161

Rrahim Kaleci 161-161

Besnik Bisha 160-161

Mehmet Xheka 160-161

Blerim Cela 159-161

Astrit Patozi 159-161

Engjëll Cara 158-161

Ilir Bano 158-161

Astrit Bushati 156-161

Aurel Bylykbashi 156-161

Gëzim Karapici 156-161

Rajmonda Stefa 156-161

Baki Shehi 155-161



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›