“Pasaportat biometrike, kusht i rëndësishëm për liberalizimin e vizave me vendet e BE-së”

Zëvendësministri i Brendshëm Ferdinand Poni, i cilëson këto dokumente si më të sigurtat
“Qytetarët shqiptarë do të futen në Evropë me dokumente të sigurta”, u shpreh dje, zëvendësministri i Brendshëm, Ferdinand Poni. “Ndërsa Qeveria ka demonstruar vullnetin maksimal dhe përmbushjen e të gjitha kushteve teknike, u takon shqiptarëve që të luajnë edhe ata rolin e tyre në liberalizimin e vizave, që do të thotë se pajisja me pasaportat biometrike është një kusht i domosdoshëm”, tha Poni. Për numrin dy të ministrisë së Brendshme, brenda vitit 2010 rreth 2,3 milionë pasaportat aktuale për jashtë shtetit, duhet domosdoshmërish të zëvendësohen me pasaportat e reja biometrike, për të cilën kompania “Sagem”, garanton të gjitha kapacitetet. I shprehur optimist për ecurinë e procesit të pajisjes së shtetasve me pasaportat e reja biometrike, (mbi 38.567 shtetas, bëri të ditur ai, kanë aplikuar deri tani për t’u pajisur me pasaportën biometrike, ndërkohë që janë prodhuar dhe shpërndarë mbi 35 mijë të tilla). Për të shpejtuar procesin e liberalizimit të vizave me vendet e BE-së, për zëvendësministrin e Brendshëm, nisur edhe nga kapacitetet prodhuese të firmës kontaktuese, do të ishte e domosdoshme që numri i pasaportave të reja biometrike në duart e qytetarëve shqiptarë, deri në fund të vitit 2009 duhet të shënojë 400 mijë të tilla. Kjo shifër, sipas Ponit do të ishte një kusht i nevojshëm për negociatat për liberalizimin e vizave me vendet e BE-së. Zëvendësministri i Brendshëm sqaroi gjithashtu se “një shtetas, që të aplikojë për pasaportën biometrike, duhet domosdoshmërisht që ai më parë të ketë aplikuar për letërnjoftimin elektronik, ndërkohë që procedura e aplikimit është e njëjtë në të dyja rastet”. “Nisur nga shifrat e deritanishme, si dhe krahasuar me ritmin e prodhimit të pasaportave të aktuale për jashtë shtetit, tha Poni, kapacitetet prodhuese të pasaportave biometrike, edhe pse jemi në fillim të këtij procesi, janë shumë herë më të larta”. Sipas tij, edhe pse procesi është në fillimin e tij, aktualisht kapacitet aktuale të prodhimit të pasaportave biometrike, janë mbi 3000 të tilla në ditë. Ndërsa e cilësoi pasaportën biometrike, një dokument tejet bashkëkohor, numri dy i ministrisë së Brendshme i kërkoi të gjithë shtetasve shqiptarë që këtë produkt të mrekullueshëm të verifikimit të identitetit të tij, çdo qytetar duhet ta disponojë. “Edhe pse një pjesë e mirë e qytetarëve shqiptarë kanë në duart e tyre pasaportat aktuale për jashtë shtetit, tashmë ka ardhur koha, tha ai, meqenëse ekzistojnë të gjitha mundësitë, çdo shtetas shqiptar duhet të udhëtojë jashtë vendit me pasaportën e re biometrike, kusht i rëndësishëm për liberalizimin e vizave me vendet e Bashkimit Evropian”. Aplikimi për këtë dokument ka filluar në 25 mars të këtij viti, fillimisht me Tiranën, për t’u shtrirë shumë shpejt në të gjithë vendin, ndërkohë që shpërndarja e këtij dokumenti filloi në 1 maj 2009. Pasaporta e re biometrike me vlerë 6000 lekë, është një dokument sipas të gjitha standardeve evropiane, me elemente sigurie tepër të lartë. Ky dokument, mjaft i rëndësishëm për të gjithë shqiptarët, ndërsa i prezanton ata para kujtdo si qytetarë të denjë, është i prodhuar në përputhje me standardet e Bashkimit Evropian, bazuar në Sistemin Automatik të Identifikimit të Shenjave të Gishtave (AFIS). Pasaporta biometrike, dokument i një sigurie tepër të lartë, ka një numër unik dhe përmban të dhëna demografike dhe biometrike, si portreti i plotë i aplikuesit, firma dixhitale si dhe shenjat e dhjetë gishtave të duarve.
...