Pasaportat biometrike nga mesi i vitit

Ministri i Punëve të Brendshme, Zenun Pajaziti, paralajmëron se nga mesi i vitit 2010 do të fillojë lëshimi i pasaportave biometrike, që është një nga parakushtet për liberalizim të vizave me Bashkimin Evropian.
Megjithëse, Kosova ka mbetur jashtë këtij procesi dhe për këtë ka pasur vërejtje të mëdha nga opozita në adresë të Qeverisë, ministri Pajaziti konsideron se është punuar jashtëzakonisht shumë si në përmbushjen kritereve teknike dhe se ka mbetur të tejkalohen vetëm edhe vështirësitë politike, që Kosova të jetë pjesë e këtij procesi.
“Kemi filluar procesin e avancimit të dokumenteve. Aktualisht po punohet në avancimin procesit të marrjes së të dhënave për pasaporta dhe letërnjoftime. Pra, në qendrat tona nëpër komuna, krejt sistemi është duke u riorganizuar dhe avancuar. Procesi i ndërrimit të dokumentit të pasaportës do të fillojë vitin e ardhshëm. Diku nga mesi i vitit ne planifikojmë të fillojmë me pasaportën biometrike”, ka thënë Pajaziti, në një intervistë për KosovaPress.
Krahas vlerësimeve se viti që po e lëmë pas ka pasur mjaft të arritura, si në fushën e sigurisë, ngritjes profesionale të policisë dhe përgatitjeve për liberalizim, ministri Pajaziti ka thënë se mbeten ende punë që duhet bërë gjatë vitin 2010, ndërsa çështjen e bashkëpunimit policor me Serbinë e ka quajtur si sfidë të ardhshme, por e cila pritet të zgjidhet me angazhimin e EULEX-it.
Nga ana tjetër, ministri i rendit e pranon se vjedhja në prill të këtij viti në dhomën e hetimeve në polici, e ka dëmtuar imazhin e policisë. “Unë kam kërkuar fillimisht nga menaxhmenti i policisë që të merren masa menaxheriale për dështimet në atë drejtim, kurse disa prej të suspenduarave janë kthyer, por normalisht që jo në vendet e mëparshme të punës. Por, unë kam kërkuar prapë prej menaxhmentit të policisë që t’i trajtojë deri në fund këto veprime. Ajo çka është me rëndësi është se hetimet duhet të vazhdojnë dhe duhet të dalin para drejtësisë, jo vetëm ata që kanë bërë këtë vepër, por edhe vepra tjera që janë ende të pandriçuara në vendin tonë”, ka thënë Pajaziti.
Në këtë intervistë më të gjatë, Pajaziti flet edhe për rritjen e të ardhurave mujore për policët. Ai ka saktësuar se prej 1 janarit, për këtë destinim do të jenë edhe 3.5 milionë euro shtesë.
Sipas tij, në sistemin e ri të pagave do të merret parasysh përgatitja e një polici, pozita, grada, orët shtesë të punës dhe rrezikshmëria në punë.