Arrestohen edhe 2 autorët e tjerë të vrasjes së 32-vjeçarit
29/12/2009 I arrestuar edhe një shtetas nga Gjirokastra, i cili u dha ndihmë vrasësve
FIER- Janë vënë në prangat e policisë fierake edhe 2 shtetasit e tjerë nga komunitetit rom, të cilët kanë vjedhur, marrë peng dhe më në fund masakruar e hedhur në një tunel ushtrie në fshatin Frakull të Fierit, shtetasin Leonard Hazizaj 32 vjeç. Sipas burimeve zyrtare nga policia fierake, 2 shtetasit janë kapur nga policia e Gjirokastrës në afërsi të varrezave publike të këtij qyteti rreth orës 3 të mëngjesit të ditës së djeshme. Ka qenë vazhdimësia e operacionit të koduar “Tuneli”, i cili prangosi 2 shtetasit e ngjarjes së rëndë të datës 26 dhjetor në Frakull të Levanit ku 32-vjeçarin e kishin vrarë me armë zjarri automatik. Si rezultat i një pune intensive nga ana e Drejtorisë së Policisë së qarkut Fier në bashkëpunim me strukturat e policisë së Gjirokastrës dje rreth orës 3 të mëngjesit u bë e mundur që në afërsi të lumit Drino në Gjirokastër dhe në afërsi të varrezave publike të kapen autorët Sotir Ajdini 19 vjeç dhe R.O 16 vjeç të dy banues në fshatin Levan të Fierit. Dy shtetasit janë kapur në tentativë për t’u larguar në shtetin fqinj të Greqisë duke kaluar në mënyrë të jashtëligjshme kufirin. Në sajë të veprimeve hetimore u bë i mundur arrestimi në flagrancë e shtetasit Thanas Abedini, 55 vjeç, lindur në Fier dhe banues në Gjirokastër i njohuri i tyre për veprën penale “përkrahje e autorit të krimit”. 55-vjeçari Abedini kishte tentuar t’u jepte 2 vrasësve ndihmë për kalim të jashtëligjshëm të kufirit. Në cilësinë e provës materiale u bë e mundur gjetja dhe sekuestrimi i armës së krimit automatiku, si dhe sendet që i janë grabitur viktimës. Ngjarja e rëndë e ndodhur disa ditë më parë ka pasur për motiv grabitjen e personit. Arrestimi i tyre u bë për veprën penale të vjedhjes me armë me pasojë vdekjen dhe prodhim dhe mbajtje pa leje të armëve luftarake.