I dashuronte motrën, gjobë 500 euro e rrahje me hekur
29/12/2009 Arrestohen dy persona. Ngjarja e rëndë ka ndodhur në fshatin Lundër
TIRANE- Dy persona janë arrestuar nga policia e Tiranës, pasi ndaj tyre një javë më parë ka depozituar kallëzim penal një qytetar, i cili pretendon se është marrë peng, torturuar dhe më pas autorët i kanë vënë edhe një gjobë prej 500 eurosh në këmbim të jetës së tij. Si motiv të kësaj ngjarjeje, hetuesit e Prokurorisë së Krimeve të Rënda thanë se ka qenë lidhja dashurore që kallëzuesi Genti. J ka pasur me motrën 18-vjeçare të njërit prej autorëve të krimit. Ngjarja e rëndë mësohet të ketë ndodhur ditën e mërkurë të javës së shkuar, kur personi kallëzues ka qenë duke ecur në këmbë pranë Drejtorisë së Higjienës që ndodhet në rrugën “Budi” afër Qytetit Studenti. Pikërisht në orën 09:30 të mëngjesit janë afruar me makinë dy shtetas të njohur të tij, Envi Pelinku 20 vjeç nga Tirana dhe Pjerin Prenga 40 vjeç nga Tirana, të cilët me forcë e kanë hipur në automjet dhe janë larguar në drejtim të fshatit Lundër. Në zonën periferike të këtij fshati, pengmarrësit Envi Pelinku dhe Pjerin Prenga, e kanë zbritur nga makina dhe më pas kanë filluar ta qëllojnë atë me grushte dhe sende të forta. Si pasojë e këtyre goditjeve, kallëzuesi ka marrë disa plagë në trup dhe kokë, por fatmirësisht nuk ka pasur dëmtime të rënda për shëndetin e tij. Pas rrahjes, Pjerin Prenga dhe Envi Pelinku i kanë marrë edhe sendet personale të të dëmtuarit si, orën e dorës, telefonin celular si dhe një varëse floriri. Duke mos u mjaftuar me kaq, dy shtetasit e sipërcituar kanë vendosur që ta lenë të lirë pengun e tyre, por me një kusht që ai t’u jepte 500 euro. Në rast të kundërt, jeta e tij do të ishte në rrezik. I ndodhur nën presionin e vazhdueshëm të dy personave, të cilët çdo ditë e më tepër i rikujtonin gjobën prej 500 eurosh, i dëmtuari ka vendosur të thyejë heshtjen duke u paraqitur në datën 23 dhjetor në Drejtorinë e Policisë, ku ka depozituar një kallëzim penal ndaj dy agresorëve. Menjëherë pas këtij denoncimi në lëvizje janë vënë ekspertët e Drejtorisë Kundër Krimeve Seksuale dhe Lirisë së Personit, të cilët kanë shpallur në kërkim dy personat si dhe në të njëjtën kohë kanë shkuar në vendin e ngjarjes për të kryer veprimet hetimore. Për zbardhjen e plotë të krimit dhe lokalizimin e arrestimin e dy personave, në ndihmë të policisë kanë ardhur edhe prokurorë nga Krimet e Rënda, të cilët kanë lënë detyra të posaçme për agjentët. Pas një jave punë, është mundësuar arrestimi i dy personave Envi Pelinku dhe Pjerin Prenga, të cilët pas marrjes në pyetje pranuan autorësinë e krimit duke thënë se atë e kishin kryer si pasojë e një borxhi të pakthyer nga i dëmtuari. Ndaj tyre u ngrit akuza e “heqjes së paligjshme të lirisë”, “vjedhje me dhunë”, “shtrëngim me anë të dhunës e kanosjes për dhënie pasurie” dhe “dëmtime të tjera me dashje”.