Pasaportat biometrike,KSHH:Të shtyhet procesi
Komiteti Shqiptar i Helsinkit i bën thirrje Ministrisë së Brendshme të shtyjë për një afat tjetër procesin e aplikimit të shtetasve me pasaporta biometrike. Përmes një letre publike, KSHH mendon se aplikimi për pasaporta mund të vështirësonte ose të ngadalësonte procesin e pajisjes me karta identiteti të zgjedhësve që nuk kanë pasaportë. Më tej në letrën e këtij Komitetit Shqiptar të Helsinkit ritheksohet fakti se pajisja e zgjedhësve që nuk kanë pasaportë, me karta identiteti është jo vetëm prioritare, por edhe urgjente. Çdo lloj formalizmi, ngadalësimi ose mungesë organizimi mund të shoqërohej me pasoja të dëmshme. E themi kështu edhe për faktin se, koha deri në zgjedhjet e 28 qershorit është relativisht e shkurtër. Shteti duhet t'u krijojë shtetasve mundësitë reale për të ushtruar të drejtën kushtetuese për të votuar. Një tjetër çështje e rëndësishme dhe prioritare, mbi të cilën Komiteti vë theksin është njohja e zgjedhësve me listat paraprake të shpallura. Nga disa vëzhgime që kryer nga aktivistët e KSHH krijohet përshtypja se zgjedhësit nuk janë informuar për shpalljen e listave si dhe për vendet publike ku ato janë vendosur. KSHH i sugjeron kryetarëve të njësive të qeverisjes vendore që të shqyrtojnë këtë çështje, të ushtrojnë kontroll për zbatimin e kësaj detyre brenda afateve të përcaktuara në ligj. Gjithashtu, duke mbajtuar parasysh se është hartuar rregjistri elektronik i gjendjes civile, KSHH i bën thirrje zgjedhësve të verifikojnë saktësinë e emrave në listat paraprake të shpallura dhe në rast pasaktësie ose mungese, në përputhje me ligjin, të kërkojnë korrigjimin e tyre.