E Shtunë, 31 Tetor 2026

Altin Lala voton për “armikun” Frenk Riberi

 

Jetmir Halilaj

Altin Lala rikthehet sot në Portugali, madje me petkun e triumfuesit, pas atij barazimi të bujshëm në Braga më 15 tetor me kombëtaren. Hanoveri do të kryejë atje fazën përgatitore që do të zgjasë rreth 10 ditë dhe kapiteni i kuqezinjve, padyshim që do të jetë në vëmendjen e medias vendase. Në një intervistë të dhënë për “Panorama”, mesfushori i Kombëtares, i cili ka të drejtën e votës në çmimin e FIFA-s për lojtarin e vitit “FIFA WORLD PLAYER”, rrëfen se cilin ka vlerësuar si lojtarin më të mirë të vitit 2008. “Votën për vendin e parë ia dhashë Mesit, ndërsa për vendin e dytë votova për Riberinë. Kristiano Ronaldon e zgjodha të tretin”, ka thënë kapiteni i kuqezinjve.
Si po shkon rikuperimi juaj, pas operacionit të vështirë që kaluat pak javë më parë?
Deri tani gjërat kanë ecur mirë, sepse nuk kam pasur asnjë komplikacion. Megjithatë, më duhet të pohoj se ritmet e përmirësimit kanë qenë të ngadalta, për shkak se mjekët më kanë sugjeruar të evitoj sforcimet, sepse mund të ketë ndërlikime. Ishte një operacion i vështirë, ndaj jam treguar shumë i kujdesshëm. Mendoj se do të më duhen edhe disa javë që të rikthehem në formë optimale.
Sa mundësi ka që të luani kundër Maltës?
Nuk di ta them me saktësi, por mendoj se do të jetë e vështirë që të luaj në këtë ndeshje. Unë do të bëj të pamundurën që të jem, por nuk dua të rrezikoj. Sipas mjekëve duhen edhe pesë ose gjashtë javë që të zbres në fushë, gjithnjë nëse gjërat shkojnë mirë. Unë gjithashtu nuk dua të rrezikoj dhe mendoj se do të jetë e vështirë që të jem gati deri më 11 shkurt.
Fazën përgatitore ku do ta kryeni?
Në Portugali. Nisemi nesër (sot) dhe unë do të jem pjesë e skuadrës, ndonëse do të kryej stërvitje të diferencuar.
Riktheheni në tokën e Kristiano Ronaldos, madje me petkun e triumfuesit, pas atij barazimi të paharrueshëm 0-0 në Bragë më 15 tetor...
Është mirë t’i shohësh ndonjëherë edhe të mëdhenjtë të vuajnë. Në fakt ajo ishte një ndeshje e paharrueshme, ndonëse humbja në Hungari na i prishi planet.
Si do t’u përgjigjeni portugezëve nëse ju përmendin ndeshjen me Kombëtaren?
Që të kënaqen me barazimin që morën se shumë e kanë edhe aq. Nejse, shpresoj që të mos më pyesin shumë se unë nuk di asnjë fjalë portugalisht dhe kush merret me ta....
Barazimi bëri jehonë edhe në Gjermani, madje “Bild” shkruante që shtatshkurtri Lala bëhet makth për milionerët Ibrahimoviç e Kristiano Ronaldo. E keni lexuar besoj?
(Shpërthen në të qeshura)...Nuk e kam lexuar, sinqerisht jo. E bukur kjo, por jo e saktë, sepse këta lojtarë dhe skuadrat e tyre nuk i ndali Altin Lala i vetëm, por e gjithë skuadra shqiptare.
Meqë jemi të Ronaldo, sot (dje) ai fitoi edhe çmimin si lojtari më i mirë i vitit “FIFA WORLD PLAYER”. Ju keni marrë pjesë në këtë votim, pasi jeni kapiteni i Kombëtares tonë. Për cilin votuat?
Votën për vendin e parë ia dhashë Mesit, ndërsa për vendin e dytë votova për Riberinë. Kristiano Ronaldon e zgjodha të tretin.
Riberinë? Ju nuk është se keni ndonjë simpati për të?
Ju i referoheni atij incidentit që ndodhi sezonin e shkuar, por duhet të jemi realistë dhe të pranojmë se është një lojtar i madh. Unë për vete e vlerësoj shumë për talentin që ka dhe për atë çka ka dhënë deri tani në fushat e blerta.
Një koment për ndeshjen kundër Maltës? 
Do të jetë e vështirë. Shqipëria duhet të luajë e përqendruar, sepse është një ndeshje shumë e rëndësishme për ne. Jo më kot trajneri Ari Han ka thënë se kjo është një sfidë kyçe. Duket e lehtë në letër, por nuk është aspak kështu. Ne na duhet patjetër fitorja dhe për Shqipërinë fitoret asnjëherë nuk kanë qenë dhe nuk do të jenë të lehta, ndaj duhet të japim maksimumin. Jam i bindur se mund të merren tre pikë, por vetëm nëse i bëjmë gjërat si duhet.  

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›