Instalacion me hijen e Skënderbeut
Duke ndjekur vijueshmërinë e projekteve të tij, ku ndjek stereotipin “mashkullor” të imazhit të heroit në historinë kulturore evropiane, Franz Kapfer ofron konceptin e tij mbi heroin tonë kombëtar. Instilacioni me dritë “Në hijen e Skënderbeut”, i cili u ngjiz nga hija e shtatores së Skënderbeut në Tiranë, do të shërbejë për ta “thirrur” Skënderbeun – sipas modelit të Batmanit – t’i vijë në ndihmë shqiptarëve sa herë që ata do të kenë nevojë. Përmes hijes, Kapfer kërkon të hedhë dritë mbi përdorimin politik apo social të figurës së Skënderbeut në historinë e shkuar e të tashme të Shqipërisë. Projekti i Franz Kapfer do të realizohet në formën e një projeksioni me dritë mbi fasadën e Akademisë së Arteve, ditën e enjte, në orën 16.30, që do të ndiqet nga një debat i hapur mbi përvetësimin dhe ndërtimin e figurave të heronjve. Gjithashtu, projekti do të plotësohet nga një projeksion mbi ngrehinën e skenës në tarracën e Teatrit të Operës, gjatë tri ditëve në vazhdim, duke nisur nga nesër. Instilacioni i Kepfer realizohet në kuadrin e projekteve të Institutit të Artit Bashkëkohor në Tiranë (TICA).