E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pasaportat, zyrat e aplikimit të hapura nga 8:00-19:30

Ministria e Brendshme, ka zgjatur oraret e shërbimit për qytetarët që aplikojnë për t'u pajisur me letërnjoftimet elektronike e pasaportat biometrike, pas fluksit në rritje të kërkesës për aplikim dhe paisjen me dokumentet e reja. 

TIRANE- Pas fluksit të lartë të aplikimeve për letërnjoftimet elektronike dhe pasaportat biometrike në të gjitha njësite vendore ka reaguar Ministria e Brendshme. Dikasteri blu ka deklaruar se zyrat e aplikimeve do të punojnë me orar të tejzgjatur dhe se procesi po vijon normalisht ndonëse nuk ka shpjeguar reduktimin e sporteleve në këto zyra në pikun e aplikimeve nga emigrantët.
Duke pasur parasysh një rritje të kërkesës për aplikim dhe paisje me dokumentet e reja të identitetit në këtë periudhë, kryesisht nga shtetasit e ardhur për pushime që punojnë e jetojnë jashtë vendit, Ministria e Brendshme dhe “Aleat” kane zgjatur oraret e punës në zyrat e aplikimit kryesisht në zonat me popullsinë më të madhe.
Duke filluar nga dita e djeshme, datë 12 Gusht, deri në fund të muajit, do të punohet nga ora 08:00 e mëngjesit deri në orën 19:30 të mbrëmjes, në zyrat e aplikimit për letërnjoftime elektronike dhe pasaporta biometrike në: Tiranë, Kamëz, Bathore, Elbasan, Durrës, Fier, Patos, Lushnje, Shkodër, Lezhë, Vlorë, Berat, Korçë dhe Gjirokastër.
Ministria e Brendshme u bën thirrje edhe njëherë të gjithë qytetarëve që të vijojnë aplikimin për letërnjoftimet elektronike dhe pasaportat e reja.
(e.n/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›