Pasardhësit e Domenech

Jean-Pierre Escalettes, president i Federatës së Futbollit të Francës (FFF), të mërkurën ka nisur të mendojë për pasardhësin e selektorit aktual, Raymond Domenech, gjashtë muaj para fillimit të kampionatit botëror Afrika e Jugut 2010.
Kreu i FFF-së i ka cituar katër kandidatët e mundshëm që i ka në shënjestër: Laurent Blanc, Alain Boghossian, Didier Deschamps e Jean Tigana.
“E di shumë mirë se duhet të vendosim para qershorit, sigurisht para Kampionatit botëror, për respekt edhe ndaj klubeve që dëshirojnë ta angazhojnë trajnerin e tyre”, ka thënë Escalettes për radion RMC.
Po ashtu, Escalettes, në mikrofonin e Europe 1, e ka veçuar edhe njërin prej ndihmësve aktualë të Domenech, Alain Boghossian si “krahun perfekt” për Bleus.
Pretendent serioz mund të jetë edhe Didier Deschamps, i cili ka kryer me sukses zejen e trajnerit në ekipet që i udhëhoqi deri tash. “Didier është trajner i madh. Ai e ka demonstruar atë që di ta bëjë me Monacon, Juventusin dhe tash me Marseillen”, tha Escalettes.
Ndërsa për Jean Tiganan, numri një i Federatës Franceze të Futbollit ka thënë se për të flet vetë historia e tij. Ai nuk la pa e përmendur dhe lavdëruar edhe trajnerin aktual të Bordeaux, Laurent Blanc.
Pra, mundësitë janë të hapura për të gjithë kandidatët e lartpërmendur. “Janë katër trajnerë të mëdhenj, por vetëm njëri do ta ketë rastin ta udhëheqë Kombëtaren franceze”, tha në fund Escalettes.
Federata e Futbollit e Francës (FFF) muajin e kaluar kishte vendosur të mos e shkarkonte selektorin aktual, Raymond Domenech, deri pas përfundimit të Botërorit 2010, edhe pse një pjesë e anëtarëve të kësaj Federate ishin pro shkarkimit të tij.
Me Domenech, Franca nuk tregoi lojëra të mira gjatë fushatës kualifikuese dhe e siguroi një vend në Botëror vetëm falë ndeshjeve të barazhit dhe falë atij goli të shumë diskutuar të William Gallas, që mori një asistim nga dora e Thierry Henry.