E Shtunë, 31 Tetor 2026

Viti i Zhdrellës

Mesfushori i Hysit, Mentor Zhdrella është shpallur futbollisti më i mirë në Kosovë për vitin që e lamë pas, nga ana e Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK). Epitetin e më të mirit, Zhdrella e fitoi të mërkurën në Prishtinë, në ceremoninë e shpalljes së laureatëve të vitit të organizuar nga FFK-ja.

Pasi u shpall futbollisti më i mirë i vitit, Zhdrella tha se e ka merituar këtë çmim. “Ju falënderoj për çmimin dhe mendoj se e kam merituar”, deklaroi Zhdrella.

Ndërsa, futbollisti i dytë më i mirë u shpall lojtari i FC Prishtinës, Behar Maliqi, kurse vendi i tretë i takoi sulmuesit të Besës, Haxhi Zekës. Në mesin e dhjetë futbollistëve më të mirë të vitit ishin edhe këta lojtarë: Ymer Xhaferi, Enis Zabërxha, Elvis Osmani, Labinot Osmani, Fitim Krusha, Roland Duraku dhe Faton Zejnullahu.

Ndërkaq, Enis Zabërxha është shpallur golashënuesi më efikas i vitit, me 21 golat e tij që i ka realizuar. Por, Zabërxha nuk ishte i kënaqur me këtë çmim, sepse kishte pritur se do ta fitojë epitetin e futbollistit më të mirë.

“Nuk jam i kënaqur aspak. Mua më është bërë një padrejtësi shumë e madhe. E kam merituar epitetin e futbollistit të vitit. Nuk kanë mundur që të m’i anulonin edhe golat që i kam shënuar, sepse as golashënuesin më të mirë me dëshirë nuk do të më zgjidhnin”, deklaroi Zabërxha për Express.

Futbollistët më të dalluar të vitit janë shpallur nga vlerësimi i trajnerëve të klubeve të Raiffeisen Superligës.

Çmimin e trajnerit më të suksesshëm kosovar për vitin 2009 e ka fituar ish-trajneri i Lirisë, aktualisht i papunë, Erdogan Celina. Kurse, klubi më i mirë i vitit është shpallur kampioni aktual, FC Prishtina, derisa klubi më fair-play u zgjodh Hysi. Punëtori më i dalluar i vitit nga FFK-ja është vlerësuar kryetari i Trepçës, Nexhmedin Haxhiu. Po ashtu, FFK-ja ka zgjedhur edhe gjyqtarin më të mirë të vitit, të cilin çmim e fitoi Përparim Hasani për të katërtën herë rresht.

Ndërsa, me mirënjohje të veçantë nga FFK-ja është nderuar ish-futbollisti i famshëm kosovar dhe ish-futbollisti i reprezentacionit të Kroacisë, Ardian Kozniku.

Kurse, klubi më i miri kosovar në Futsall është shpallur Feniksi nga Prizreni, derisa lojtari i vitit në Futsall është zgjedhur Mentor Mejzini.

Në konkurrencën e femrave, klubi më i mirë kosovar është zgjedhur Kosova e Prishtinës, derisa lojtarja më e dalluar u shpall Albina Ramadani.

FFK-ja ka zgjedhur edhe klubin më të suksesshëm kosovar në diasporë. Ky epitet i takoi Kosovës nga Zurichu. FFK-ja me mirënjohje i ka nderuar edhe shumë bashkëpunëtorë të saj.

Në këtë ceremoni, i pranishëm ishte edhe kreu i Federatës së Futbollit të Maqedonisë, Harallampije Haxhiristevski, i cili uroi që Kosova sa më shpejt të pranohet në FIFA e UEFA. Ndërsa, mysafir kishte edhe nga Federata Shqiptare e Futbollit, zyrtarë të Ministrisë së Sportit, udhëheqës të Komitetit Olimpik të Kosovës dhe prijës të federatave të tjera sportive kosovare.

Të gjithë këta i përshëndeti kryetar i FFK-së, Fadil Vokrri, para të cilëve Vokrri shpalosi të arriturat e bëra në futbollin kosovar gjatë dy viteve nën udhëheqjen e tij.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›