E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pashk Përvathi në Galerinë e Arteve

Ekspozita

çelet sot në Galerinë Kombëtare të Arteve në Tiranë ekspozita vetjake e piktorit lezhjan Pashk Përvathi. Ekspozita përmban një koleksion të përbërë nga 60 vepra arti të realizuara në harkun kohor të tri viteve të fundit (2007-2010). Tema dominuese në këtë ekspozitë është peizazhi lirik, natyra shqiptare. Piktori sjell imazhe nga vendlindja, Lezha, nga qyteti i Korçës dhe fshatrat e saj (Vithkuq, Drenovë, Boboshticë), nga bjeshkët shqiptare, nga qyteti i Beratit, Shkodra etj. Një grup prej 10 veprash i përkasin gjinisë së portretit, ku artisti ka pikturuar tablonë e bukur me imazhin e At Zef Pllumit. Portretet e tjera, kryesisht figura të kompozuara, piktori ua kushton figurave të ciganëve të qytetit të tij, ndërsa tri tablo i përkasin imazhit femëror me veshje tradicionale shqiptare. Në ekspozitë janë paraqitur edhe 6 natyra të qeta, të cilat evidentojnë mjeshtërinë teknike dhe saktësinë e artistit në materializimin e objekteve të pikturuar. Ekspozita, e cila do të shoqërohet edhe me një katalog me ilustrime me ngjyra do të qëndrojë e hapur deri në datën 30 qershor. Kjo ekspozitë është e treta që Pash Përvathi ka çelur në GKA në grupin e 30 ekspozitave vetjake që ai ka çelur brenda dhe jashtë Shqipërisë.

#

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›