Berat, bastiset reparti i demontimit
Bllokohen 8 tonë gëzhoja predhash të grabitura nga një repart ushtarak, prangosen dy persona. Policia e Beratit ka bllokuar në orët e para të mëngjesit të djeshëm një sasi të konsiderueshme gëzhoja, sasi e cila do të tregtohej për skrap.
Burime të Drejtorisë së Policisë së Qarkut të Beratit bëjnë me dije se rreth orës 02:00 të së martës është ndaluar një sasi prej 8 tonë gëzhoja predhash artilerie të kalibrit 12,7 milimetra, të ngarkuara në një kamion “Benz Mercedes” me targa BR9163A, që drejtohej nga Gëzim Peshtanaku. Të njëjtat burime saktësojnë se kamioni është bllokuar në dalje të qytetit të Beratit dhe mendohet se sasia e gëzhojave do të tregtohej për skarp në këtë qytet.
Po sipas burimeve të policisë, ngarkesa e gëzhojave ishte transportuar nga fshati Bigas i rrethit të Skraparit drejt qytetit të Beratit. Nga informacionet e siguruara në rrugë operative, ekspertët e policisë kishin mësuar se një sasi e konsiderueshme gëzhojash ishte vjedhur në një repart ushtarak të Skraparit dhe do të tregtohej në një pike hekurishtesh në qytetin e Beratit.
Menjëherë pas marrjes së këtij informacioni, ekspertët e policisë kanë organizuar punën dhe bënë të mundur ndalimin e 49-vjeçarit Gëzim Peshtanaku, banor i lagjes “Uznovë” në qytetin e Beratit. Gjatë marrjes në pyetje të të ndaluarit, policia mësoi se sasia e gëzhojave të predhave ishte vjedhur në fshatin Bigas të Skraparit. 49-vjeçari ka pohuar përpara uniformave blu se e kishte blerë sasinë e gëzhojave kundrejt një shume prej 206 mijë lekësh. Shitësi kishte qenë një banor i çorovodës.
Ekspertët e policisë, nga dëshmitë e dhëna prej Peshtanakut dhe nga informacionet e siguruara në rrugë operative mësuan se sasia e gëzhojave ishte vjedhur nga Artur Gurra, në repartin e demontimit në fshatin Bigas, të Komunës Qendër në rrethin e Skraparit.
36-vjeçari, banor i lagjes “Hasan Seitaj” në qytetin e çorovodës është ndaluar menjëherë nga policia dhe gjatë marrjes në pyetje ka pohuar se sasinë e gëzhojave e kishte vjedhur në repartin ushtarak.
Pas bllokimit të kësaj sasie materialesh ushtarake, policia ka nisur punën për të mësuar nëse bëhet fjalë për një trafik gëzhojash që ka funksionuar për një kohë të gjatë, apo është thjesht një rast sporadik vjedhjeje.
Reparti ushtarak i Bigasit ndodhet në një fshat të largët të Skraparit ku bëhet grumbullimi i gëzhojave të demontuara nga Kombinati i Poliçanit, por kohët e fundit ka nisur dhe pranë tij puna për demontimin e municioneve. Reparti ndodhet larg zonës së banuar, ndërkohë që ende nuk dihet skema se si është arritur të vidhet sasia e gëzhojave të kalibrit 12,7 mm.
Për ekspertët e policisë është e vështirë të besohet se këto gëzhoja janë vjedhur pa bashkëpunimin e personave që janë përgjegjës për ruajtjen e tyre.
Mësohet se për këtë rast ka nisur një hetim edhe nga ana e Prokurorisë Ushtarake, që do të verifikojë nëse efektivë të Repartit Ushtarak të Bigasit janë të përfshirë në trafikun e gëzhojave prej bakri dhe tunxhi, metale që kanë vlerë të konsiderueshme në treg.
#