E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pashkët, Katolikët pritën ringjalljen e Krishtit

TIRANE - Besimtarët katolikë kremtojnë sot Festën e Pashkës, Ditën e Ringjalljes së Krishtit. Ndërsa përgatitjet për kremtimin e kësaj feste nisin që në mes të javës, më e rëndësishmja është e Diela e Shenjtë e Pashkës. Pak përpara mesnate filloi Vigjilja e Pashkës, që në shume raste quhet Shërbesa e Mesnatës.
Ashtu siç do vit, në Tirane besimtarët u mblodhën në katedralen e "Shën Palit" para mesnate, për të ndjekur meshën e drejtuar nga imzot Rrok Mirdita.

Qindra besimtarë u lutën për paqe, shëndet, dashuri dhe ruajtjen e unitetit të familjes.

Gjatë meshësh thuhet se Krishti erdhi në tokë për të dhënë modelin e tij për njerëzimin dhe për të dëshmuar se pas vdekjes së trupit, shpirti jeton në ate që njihet si jeta e përtejme, por për ta fituar atë duhet që çdokush të udhehiqet në jetë nga disa parime biblike dhe virtyte.

Ky proçesion i besimtarëve katolikë gjatë mesnatës të kujton proçesionin pagëzimor prej errësirës dhe vdekjes së kësaj bote në dritën dhe jetën e Mbretërisë së Perëndisë, që kryhej në kishën e vjetër. Ky është proçesioni i kalimit të shenjtë prej vdekjes në jetë, prej tokës në qiell, prej kësaj jete në atë që do të vijë.

Nje dite me pare, Kryetari i Konferencës Ipeshkvnore, Imzot Rrok Mirdita uroi të gjithë besimtarët katolikë në prag të festës së Pashkëve.
“Qofshin këto Pashkë ngushëllim për të gjithë ata që vuajnë dhe burim shprese për të gjithë njerëzit.”- thuhet në mesazhin e Imzot Rrok Mirditës.

“Pashkët nuk janë një ngjarje që i përkasin vetëm krishterimit, por një zbulim hyjnor që prek mbarë njerëzimin në thelbin e tij dhe hedh dritë mbi misterin e vdekjes. Kjo dritë është drita e dashurisë që shpëton. Për dashurinë e njerëzve Zoti është bërë njeri, për dashurinë dhe besnikërinë ndaj nesh ka vdekur në kryq. Pikërisht kjo dashuri besnike e ka mundur vdekjen me ringjalljen e Krishtit. Kush e ka kërkuar të ringjallurin ka njohur dashurinë që shpëton dhe ka themeluar jetën e vet mbi besimin në këtë dashuri.”- deklaroi Imzot Rrok Mirdita.

Sipas tij, “duke kumtuar lajmin e mirë të ringjalljes së Krishtit, kisha i tregon njërëzimit se pushteti i vetëm që mund ta çlirojë është pushteti i dashurisë dhe rruga e dashurisë, që kalon përmes kryqit të vetëmohimit.” 

Mëngjesorja e Pashkës dhe Mesha Hyjnore kremtohen së bashku me orët e para të ditës së parë së javës me qëllim që t'i japë njerëzve përvojën e 'krijimit të ri' të botës dhe t'i lejojë ata të hyjnë mistikërisht në Jeruzalemin e ri, i cili shkëlqen përjetësisht me dritën e Krishtit.

Besimtarët katolikë e kremtojnë këtë festë sot, ndërsa besimtarët ortodoksë më 15 prill.

(d.b/er.nu/BalkanWeb) Lidhje te tjera Shkodër, Masafra, mesazh për festën e Pashkëve Pashkët, Presidenti Topi uron besimtarët At Nikolla Marku. Pashkët do çlirojnë Kishën nga uzurpatorët grekë VIDEO: Pashkët, Imzot Rrok Mirdita uron besimtarët: Qofshin burim shprese

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›