E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pashkët, Kryepeshkopi Janullatos uron besimtarët

“Çdo vit kremtojmë solemnisht dhe me entuziazëm të shenjtë, “të kremten e të kremteve”. “Pashka hierore na u shfaq neve sot. Pashka e re, Pashka e shenjtë, mistike”, psalim me ngazëllim. Kuptimi fillestar i fjalës pashkë nuk është i qartë por, me kalimin e kohës, ka marrë kuptimin e daljes, kapërcimit, kalimit, eksodit. Kjo e kremte ka si pikënisje eksodin historik të izraelitëve nga skllavërimi i gjatë në Egjipt drejt lirisë. Ky eksod u dha frymëzim, durim dhe shpresë edhe popujve të tjerë në kohë të vështira robërie, për të hedhur tej zgjedhën e huaj dhe për të shkuar drejt një realiteti të ri shoqëror e politik”, thotë Janullatos në mesazhin e tij.

“Kjo e kremte u transformua dhe mori kuptim të ri në historinë mbarëbotërore me jetën, Kryqëzimin dhe Ngjalljen e Krishtit. Vetë Jisui deklaroi se me blatën e Tij shpërblyese kreu Pashkën e re të një rëndësie mbarënjerëzore: Si “Qengj i panjollë” u sakrifikua për hir të njerëzimit dhe përuroi Pashkën “e re”, “të shenjtë” dhe “mistike”, me mesazhin e përhershëm të Sakrificës së Tij, me Ngjalljen e Tij triumfuese, mposhtjen e vdekjes dhe parashijimin e Ardhjes së Tij të dytë, që do të kryhet me fuqi dhe lavdi.

Në këtë mënyrë, ne të krishterët, në vazhdën e 20 shekujve që kaluan, kremtojmë në çdo Pashkë kalimin vendimtar të gjinisë njerëzore “nga vdekja në jetë”, çlirimin nga mëkati dhe prishja. Kështu ne fuqizojmë marrëdhënien tonë, kungohemi me Krishtin e kryqëzuar e të ngjallur, që na fal jetën e përjetshme dhe intensifikojmë pritjen tonë për ardhjen e Tij të dytë të lavdishme. “Ditë e Ngjalljes, le të ndriçohemi, o popuj. Pashka e Zotit, Pashka, sepse nga vdekja në jetë dhe nga toka në qiell, Krishti Perëndi na çoi, duke kënduar himnin e fitores”. Me ngjalljen e Tij, Krishti ngriti bashkë me Veten të gjithë natyrën njerëzore, për t’u bërë Shpëtimtari i përjetshëm, fuqia dhe ngushëllimi i besimtarëve.

“Ditën e Pashkës së shenjtë”, shkruan shën Grigor Theologu, “e konsideroj hyrje mistike në të mirat e përjetshme, sepse është e kremtja e kalimit”. Ajo, pra shpall kalimin nga vdekja në jetë, nga kalimtarja në përjetësi”.

“Vëllezërit e mi, e kremtja e Pashkës na fton dhe njëkohësisht na frymëzon të ecim përpara në një kalim personal, në një dalje nga format e shumta të mundimeve të cilat e zhvlerësojnë qenien njerëzore dhe gjithashtu të punojmë më me dinamizëm për lartësimin e gjithë shoqërisë.

Në përshëndetjen “Gëzuar Pashkët!”, që mbizotëron mes nesh gjatë këtyre ditëve, përmblidhet ftesa për një dalje shpëtimtare: Nga hipokrizia dhe paligjësia, në të vërtetë dhe drejtësi. Nga izolimi i egocentrizmit tonë, në solidaritetin aktiv. Nga shkurajimi dhe frika, në shpresë dhe gëzim paqësor. Nga besimi i pakët, në besim të ndërgjegjshëm.

Pashka shkëlqimprurëse na fton për një dalje vendimtare nga ajo çka jemi në atë që Zoti i ngjallur dëshiron të bëhemi: njerëz që do të shijojmë dashurinë e Tij dhe do ta rrezatojmë atë”, tha Janullatos. /Start/

                                                                                             2012-04-14 13:43
   

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›