E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ethet e Maturës 2012, Gjimnazistët: Preferojmë universitetin publik

Tiranë- Edhe pse universitetet private po përhapen si kërpudhat pas shiut, arsimi publik është më i preferuari. Këtë e pohojnë vetë gjimnazistët pretendentë për tu ulur në auditorët e shkollës së lartë.

Elda, maturante në gjimnazin Sami Frashëri shprehet se Universiteti i Tiranës gjithmonë ka mbartur në vetvete studentët më të mirë të Shqipërisë.

Unë gjithë vitet e mia të gjimnazit jam përpjekur që të kem rezultate sa më të mira dhe do të përpiqem që edhe në provime të dal mirë për të fituar Mjekësinë, degën që kam dashur prej vitesh- tregon ajo.

Gjimnazi është një nga periudhat më të bukura që kalon njeriu në jetë, por për gjimnazistët këto janë javët e ‘ferrit’. Në këtë kohë duhet të vendosin për të ardhmen e tyre, të zgjedhin degën që duan të studiojnë dhe nuk është shumë e lehtë pasi gjithçka varet nga pikët që do të grumbullojnë.

Albano Ismailsi, ashtu siç preferon ta quaj veten ai sepse studion në gjimnazin Ismail Qemali, thotë se ai dhe miqtë e tij i frikësohen gabimeve që mund të bëjnë në zgjedhjet e preferencave.

Flasim gjithnjë me shokët dhe shoqet për çfarë do të vazhdojmë. Ka shumë nga ata që e kanë të vendosur të ardhmen e tyre por ka edhe shumë të tjerë që presin provimet- shprehet Albano.

Ai dëshiron të vazhdojë për Drejtësi, e në rast se nuk i grumbullon pikët na rrëfen se do të shkojë në universitet privat. Nuk ka shumë ndryshim, kam dëgjuar që japin mësim të njëjtët pedagodë- tregon ai duke qeshur.

Kushtet ekonomike janë një faktor kryesor që i shtyjnë gjimnazistët të zgjedhin publikun. Esmeralda tregon me sinqeritet: Unë kam qejf Stomatologjinë por nëse nuk e kap dot këtë degë atëherë do të duhet të zgjedh të bëj një profesion tjetër që nuk e kam qejf, sepse familja nuk më mundëson dot universitetin privat.

Por ka edhe nga ata që i druhen opinionit se të shkosh në universitet privat ke qënë dhe do të jesh student i dobët. Eh do mundohemi të fitojmë ndonjë degë në shtetëror se fillojnë plakat e pallatit pastaj-ironizon Endri duke nxituar për në orën e Anglishtes.

Përvoja dhe tradita e shkollave shtetërore duket se nuk shuhen përpara institucioneve private, të reja dhe pa eksperiencën e duhur në treg mbeten sërish opsioni i dytë i studentëve shqiptarë.

Gentjan Alinani/IDEA/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›