E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pashkët, besimtarët Katolikë festojnë sot ringjalljen e Krishtit

Tiranë- Ditën e sotme të gjithë besimtarët katolikë festojnë Pashkët, ditën e ringjalljes së Krishtit.

Mbajtja e meshës filloi mesnatën e mbrëmshme në katedralen e Tiranës, ku morën pjesë me qindra besimtarë.Mesha u mbajt nga imzot Rrok Mirdita, i cili ka uruar të gjithë besimtarët Katolikë , edhe gjithë shqiptarët.

Ringjallja e Krishtit është në qendër të kulturës së krishterë, që ka edukuar botën me frymën e tolerancës dhe mirëkuptimit ndër shekuj. Ringjallja e Krishtit prek në të vërtetë çdo njeri, të krishterë apo jo, besimtarë apo jo, sepse tek Krishti merr jetë çdo vlerë njerëzore,- deklaroi ai.

Më tej ai ushpreh se kjo festë nuk i përket vetëm të Krishterëve, por gjithë njerzimit, pasi sipas tij Krishti vdiq për të gjithë.

Pashkët nuk janë një ngjarje që i përkasin vetëm krishterimit, por një zbulim hyjnor që prek mbarë njerëzimin në thelbin e tij dhe hedh dritë mbi misterin e vdekjes. Kjo dritë është drita e dashurisë që shpëton. Për dashurinë e njerëzve Zoti është bërë njeri, për dashurinë dhe besnikërinë ndaj nesh ka vdekur në kryq. Pikërisht kjo dashuri besnike e ka mundur vdekjen me ringjalljen e Krishtit. Kush e ka kërkuar të ringjallurin ka njohur dashurinë që shpëton dhe ka themeluar jetën e vet mbi besimin në këtë dashuri.- tha imzot Rrok Mirdita.

Pashkët paraprihen nga një kohë parpërgatitore e agjërimit dhe përkorimit, që zgjat 40 ditë, që quhen Kreshme dhe fillon nga e “Mërkura e Përhimtë” dhe mbaron të Dielën e Palmave (e fundmja para Pashkëve) që përkujton 40 ditët e kaluara në shkretëtirë të Jezusit në lutje e agjërim dhe që sprovohet nga Djalli.

Festa e Pashkëve të krishtera është e lëvizshme, vendoset çdo vit të dielën pasuese, të parën hënë të plotë pas baraznatës (ekuinoksit) të pranverës (21 marsi).

Ky sistem u fiksua përfundimisht në shek. e VI. Në lashtësi mund të kishte përdorime të ndryshme vendore mbi ndjekjen e datës, sidoqoftë të gjitha të lidhura me njehsimin e pashkëve hebraike. Në veçanti disa kisha të Azisë ndiqnin traditën e festimit të pashkëve në të njëjtën ditë me ato hebraike, pa përfilluar të dielën.

Pra data e Pashkëve është përfshirë mes 22 marsit dhe 25 prillit.

Historia e Pashkëve të krishtera

Pashkët e krishtera janë në lidhje të ngushtë me ato hebraiket, në të cilat festohet çlirimi i hebrejve nga Egjipti prej Moisiut. Fjala Pashkë në të vërtetë do të thotë kalim: për hebrenjtë është kalimi nga robëria në liri ndërsa për të krishterët nga vdekja trupore dhe frymore në Jetën e Re të Amshuar.

No related posts.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›