E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pasioni i të vegjëlve afrikanë

Futbolli Fëmijë që braktisin shkollën për t’u bërë futbollistë të mëdhenj, si idhujt e tyre, por fatkeqësisht në pjesën më të madhe të rasteve përfundojnë në duart e përfituesve, të cilët i shfrytëzojnë dhe më pas i hedhin tutje si “plehra”

Duke lënë mënjanë dëshirat e nënave, fëmijët po luajnë ende futboll në rërë. Vrapojnë mes pellgjeve të vogla me ujë dhe gjuajnë topat e grisur e të sajuar me lecka të vjetra. Mbajnë veshur fanella të dala boje, të klubeve sportive europiane më të njohura si: Shalke, Ajaks, Torino dhe Benfika e Lisbonës. Pak më tutje, mbi rrugën e pluhurosur buzë detit të Akras (në Gana), vërehet një poster gjigant i yllit të çelsit, Mikael Esian, që i fton banorët e qytetit “të jenë krenarë”.
Pasdite, pasi të gjithë fëmijët kanë mbaruar shkollën, luajnë futboll. ëndrra e tyre është të bëhen një nga milionerët afrikanë të radhës, duke luajtur në “Champions League” (Ligën e Kampionëve), në skuadrën e çelsit. Fundja, lojërat e tyre nuk do të jenë më kaq të shkujdesura.

Rreth orës 17:00 pasdite, kur i nxehti mbytës ka rënë disi, çdo hapësirë e vogël e kryeqytetit të Ganës është e mbipopulluar nga futbollistët e rinj zezakë. Pjesa më e madhe e tyre frekuentojnë shkolla të jashtëligjshme futbolli, të cilat kanë emra biblikë si “Bijtë e Moisiut” apo “Të dashurit e Krishtit”. Secila prej tyre ka fanellat dhe rregullat e veta. Fëmijët stërviten duke harruar gjithçka dhe në rastin e atyre që janë më të dhënë ndaj sportit, janë të prirur të braktisin tokën dhe të bëhen skllevërit e një vendi tjetër. Me kushtet e vështira të prindërve dhe ëndrrat e mëdha kur janë fëmijë, arabët po blejnë numrin më të madh të futbollistëve të vegjël, duke u premtuar familjeve të tyre një pagë të majme dhe shumë famë. Shpresa është ajo që mbetet për t’u bërë i famshëm. Shpeshherë këta fëmijë shiten me kosto të lartë në Europë. Ky është një sistem shfrytëzimi që po alarmon mjaft organizata bamirëse joqeveritare, si “Karitasin”, apo “Save the children” dhe gjithashtu edhe shërbimet sociale të Parisit, Marsejës e Brukselit.

Këmbëzbathur dhe me fanellë të verdhë, Mafiua Asare vrapon duke dribluar topin. Pavarësisht se gjendet në një tokë të mbushur me dhe të kuq e rërë, ai imagjinon sikur është në stadiumin Bernabeu. Papritur sulmi i tij bllokohet nga një furtunë. Mafia ndalon menjëherë, mbyll sytë dhe qëndron në vend sa të pushojë era. Një djalosh 23-vjeçar, Isaac Aloti (te shkolla “Të pranosh Zotin”) fillon t’i ulërasë Mafiuas me të madhe: “Nuk duhet të ndalosh për asnjë arsye në botë. Djemtë e vërtetë janë ata që nuk dorëzohen lehtë”, thotë ai me pamjen e një padroni. Përkrah tij qëndrojnë Daniel Vijo dhe Imano Buso, dy djem të vegjël 12-vjeçarë.

“Kam kontratat e tyre dhe firmat e prindërve, kur të jenë gati do të shkojnë në Europë për të dhënë provimin. Për ta janë të interesuar Parisi dhe Gjermania. Talentet lindin këtu dhe më pas shkëlqejnë në stadiumet e mëdha europiane”, shprehet 23-vjeçari.

Fëmijët, që për momentin nuk i kuptojnë prapaskenat, luten dhe përsërisin vazhdimisht me zë të ulët emrat e kampionëve të tyre të preferuar: Essien, Kuffur, Appiah, Drogba, Weah.
“Familja ime po mbledh para për udhëtimin tim në Francë. Nëse do t’ia dal mbanë, do ta çoj nënën time në Paris dhe do t’i blej një shtëpi”, thotë i entuziazmuar Danieli.

“Po pres një shpërblim për të gjitha gjërat që u kam mësuar. Nëse Danieli firmos një kontratë si profesionist, dua 50% të shumës”, shton më tej Isaac.

Në Akra ekzistojnë më shumë se 500 shkolla të paligjshme futbolli, mijëra të tjera janë të shpërndara në të gjithë shtetin. Në Afrikën Perëndimore vijnë para nga skuadra si Ajaksi, Fejnordi që drejtojnë akademi joformale në Gana, ndërsa Paris Sanzhërmen dhe Munih kujdesen për talentet e reja. Këto struktura, nëse drejtohen mirë si ajo e Fejnordit, nuk ofrojnë vetëm mësime futbolli, por edhe një edukim. Por, fatkeqësisht ato nuk janë të mjaftueshme, ndërsa në Bregun e Fildishtë situata është edhe më e rëndë.

Në Abidjan biznesmenët libanezë, që dikur i dedikoheshin kontrabandës së diamanteve dhe drurit, po e spostojnë vëmendjen e tyre drejt botës së futbollit, duke themeluar akademi të paligjshme sportive, me qëllim kultivimin e talenteve më të reja, për t’i çuar më pas në klubet e futbollit europian dhe në Lindjen e Mesme. Në një fushë të pluhurosur në periferi të vendit, shumë të rinj me kanotiere blu po ushtrohen për të pasuar topin. Shkolla është pronë e zotit Shalhoub, që në këmbim të kontratave për djemtë jep fanella, topa dhe një pjesë toke, ku 40 fëmijë, disa prej tyre 9-vjeçarë, vrapojnë lart e poshtë duke harruar fletoret. Mes tyre shfaqet edhe Doho Lou Olivier.

“E quajmë Shakala, si magjistari i një filmi të famshëm brazilian”, pohon njëri prej djemve. Dikush kërkon ta blejë. Javën e shkuar këtu erdhi një burrë që tha se ishte një trajner dhe donte ta çonte Dohon në Francë. Kontrata e tij i përket një libanezi dhe ne po e stërvitim. Me pak fjalë po i bëjmë nder atij dhe familjes së tij. Nëse e shesim, të gjithë do të fitojmë diçka.

Shtëpia e Dohos është e mbushur anembanë me postera të futbollistëve të famshëm europianë. Në dy dhoma jetojnë nëntë pjesëtarë të familjes, përfshi motrën me djalin e saj të sapolindur. Aroma e ushqimit të prishur të çan hundët. Nëna e tij është e mërzitur, sepse nuk dëshiron që Doho të largohet nga shtëpia. “E hoqëm nga shkolla për ta bërë një futbollist. Më kanë thënë që është aq i zoti sa duhet të shkojë në Europë. është vetëm 14 vjeç dhe shumë i vogël për ta përballuar jetën. Doho është e ardhmja jonë”, pohon gruaja. Më pas shton: “Na kishin thënë se mund ta shisnim në një klub sportiv maroken për 20 mijë dollarë, nga ku më pas mund të shkonte në Europë. Ne po presim që ta kërkojë një skuadër franceze, aty gjenden me bollëk paratë. Dikush na ofroi që ta dërgonim me gomone në Europë, në këmbim të pagesës së pjesshme të udhëtimit të tij”.

Mon Emanuel, kampioni më i famshëm i Bregut të Fildishtë, pas Didier Drogbas, ka pohuar se të paktën 90% e futbollistëve që braktisin Afrikën Perëndimore largohen në mënyrë të paligjshme dhe pjesa më e madhe e tyre harrohen. Braktisin shkollën, janë të gatshëm të përballojnë edhe udhëtime të rrezikshme, vetëm për të mësuar atë që shpeshherë është një iluzion: të bëhen të famshëm dhe kampionë shumë të paguar.

#

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›