E Shtunë, 31 Tetor 2026

Paskal Milo: Ismail Qemali u diskriminua nga Zogu e nga Berisha

Unë ika nga Shqipëria se kam mbetur me përshtypjen dhe bindjen e plotë se armiq të panjohur e kanë vënë për qëllim që të diskreditojnë dhe të terrorizojnë familjen t’onë duke poshtëruar nderin e saj. Zgjatimi me vjetë i kësaj sjelljeje më mërziti jetën dhe për këtë shkak vendosa të vëjë këtë veprë”. Kështu shprehet i biri i Ismail Qemalit, Qamil Vlora, ndërsa tregon pse vendos të braktisë Shqipërinë, vendin amë që ati i tij themeloi më 1912. Vetëm 20 vite më vonë, Shqipëria-shteti ende kërthi, duket se nuk ka vend për të bijtë të Ismail Beut. Prof. Paskal Milo, historian i njohur dhe autor i një sërë librash studimorë, na ofron një dokument të vitit 1932, pa na mohuar edhe një analizë të tijën mbi të dhe mbi festimet e këtij 100-vjetori të Pavarësisë. Është një letër që vjen nga Legata e Shqipërisë në Beograd dhe tregon një takim të të birit të Ismail Qemalit, Qemal Vlorës, me përfaqësues të kësaj legate. Në të ikur, ai e ka parë me vend të rrëfejë vetë “pse”-në, për të mos lënë vend për ndonjë interpretim të keq...
“Është e ditur se qeveria kishte vendosur që koskat e atit t’em të ndjerë të transferohen në lulishten e Vlorës. Mirë po, autoritetet e këtij qyteti, për shkakë që nuk i di as qi mund t’i kupëtoj, po e zvarin këtë punë qysh prej vjetësh, sa që ajo ka marrë një formë talljeje me eshtrat e atij...”, është një prej radhëve të rrëfimit të pinjollit të arkitektit të Pavarësisë. Dokumenti i gjetur në Arkivin e Ministrisë së Jashtme të Shqipërisë, ofruar nga prof. Milo për “Gazetën Shqiptare” hedh dritë mbi raportet e djemve të Ismail Qemalit me qeverinë e Zogut Mbret. Pse ikën dhe e lanë vendin? Pse shkruante Qemal Vlora se po tallen me eshtrat e të atit? Prof. Paskal Milo analizon trajtimin e qeverisë së Zogut dhe qeverisë së sotme me figurat e ndritura të historisë në intervistën e mëposhtme.
Profesor, ju keni në dorë një dokument që hedh dritë mbi raportet e mbretit Zog me familjen e Ismail Qemalit në vitet 1930. Cila është rëndësia e domethënia e kësaj letre, ose në 100-vjetorin e Pavarësisë?
Dokumenti që po botoni ju sot është i gjetur në Arkivin e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Shqipërisë. Është autentik dhe tregon një pakënaqësi të njërit prej djemve të Ismail Qemalit ndaj trajtimit që i ishte bërë atij dhe gjithë familjes së heroit kombëtar në vitet 1930.
Unë nuk dua të komentoj përmbajtjen sepse ajo flet vetë, por dua të nënvizoj në përgjithësi të tëra regjimet politike në Shqipëri, nuk kanë treguar respekt dhe kujdes të veçantë për familjen e madhe të Ismail Qemalit.
Kjo, për shkak se të gjithë udhëheqësit shqiptarë kanë pretenduar dhe ëndërruar që të ulin figurën e Ismail Qemalit, sepse u ka bërë hije në rrugën e tyre të ardhjes në pushtet dhe të mbajtjes së tij. Ata kanë dashur të kapërcejnë figurën e tij për të bërë një lidhej të drejtpërdrejtë nga Skënderbeu e deri tek personi i tyre.
Në vitet në të cilat është shkruar kjo letër, Ahmet Zogu dhe oborrtarët e tij kanë shkruar me qindra e qindra faqe për të bërë lidhjen midis derës së Matit dhe Skënderbeut. Ata kanë pretenduar që edhe Skënderbeu ishte nga Mati edhe beu i ri Zogolli ishte po prej andej. Kështu, kanë arritur në absurditete të tilla si psh., një nga motrat e Skënderbeut qenkësh martuar me një paraardhës të Ahmet Zogut. Deri këtu arrinte paranoja për të ulur të tjerët e për të ngritur veten artificialisht, me qëllim që të quheshin si pasardhës të Skënderbeut.
Si jetoi Ismail Qemali në vitet e fundit të jetës?
Familja e madhe e Ismail Qemalit, meqë prej tij nuk trashëgoi ndonjë pasuri, kanë qenë edhe gjatë viteve të Luftës së Parë Botërore të nëpërkëmbur. Madje edhe austriakët, edhe italianët në përpjekje për ta mbajtur nën kontroll Ismail Qemalin në fillim e kanë financuar, e kanë mbështetur por në vitet e luftës e braktisën atë dhe familjen e tij. Ka korrespondencë mes zyrave austriake të Ministrisë së Jashtme dhe organeve të tjera të Perandorisë në atë kohë, në të cilën trajtohet çështja e familjes së Ismail Qemalit. I priten edhe ato pak ndihma simbolike që i jepeshin për të mbijetuar vetëm e vetëm sepse tani, Ismail Qemali nuk u shërbente interesave të tyre, mbante qëndrime neutrale si ndaj italianëve, ashtu edhe ndaj austriakëve. Dokumentet janë shumë të qarta kur familja e tij i drejtohet Vjenës dhe i kërkon ndihmë dhe ajo i refuzohet, ose kur vetë ai kërkon të qëndrojë në Vjenë në janar të vitit 1915 i tregojnë derën që duhet të largohet. Dhe po kështu veprojnë edhe italianët e francezët, aq sa nuk i dhanë as një pension këtij njeriu që kishte kontribuar kaq shumë. Përkundrazi, preferuan Esat Pashë Toptanin sepse me atë mund t’i bënin pazaret shumë lehtë, e jo vetëm ata, por edhe serbët.
Po pas vdekjes së tij, çfarë u bë me familjen?
Pas vdekjes së Ismail Qemalit më 26 janar 1919, familja u shpërnda. Djemtë, një pjesë u rikthyen në Shqipëri, e disa të tjerë e gjetën fatin jashtë Shqipërisë. Erdhën në Shqipëri me synimin e mirë për të kontribuar në vendin e tyre, duke pasur parasysh edhe respektin e shqiptarëve për Ismail Qemalin. Por, për fat të keq nuk gjetën ndonjë trajtim ashtu siç e meritonin. Sigurisht që ata do të duhej edhe të punonin vetë, edhe të kontribuonin e të jetonin, por ndoshta ka pasur edhe arsye për ndonjë diferencim, por nga sa kuptohet në letrën që po botohet, vëllezërit kanë qenë të pakënaqur pikërisht se nuk kanë qenë trajtuar si duhet, jo vetëm ata, por edhe vetë figura e Ismail Qemalit. Ai ishte varrosur në vendin e të parëve të vet, në Kaninë, ishin autoritet e kohës që dëshironin që ai të varrosej në lulishten e Sheshit të Flamurit në Vlorë, në tokën e sarajeve të Vlorajve, por që premtimet nuk po mbaheshin (gjithsesi, varrimi iu bë më vonë). Një arsye tjetër ishte se Vlorajt, dëshironin të kishin një veprimtari të lidhur me institucionet shqiptare dhe ishin të përgatitur të kontribuonin, por shiheshin me xhelozi, shiheshin si rivalë, ashtu siç shihej prej Ahmet Zogu edhe Princ Vidi si rival, edhe pse ai nuk jetonte në Shqipëri.
Në një nga radhët e letrës së Qemal Vlorës, ai pranon se të bijtë e Ismail Qemalit kanë qenë kritikë ndaj qeverisjes së Zogut. A mendoni se ka qenë kjo një ndër arsyet e “anashkalimit” të tyre prej qeverisë?
Po, kjo është mëse e vërtetë. Del jo vetëm nga dokumenti, por ka edhe shumë raste të tjera analoge në trajtimin e patriotëve të tjerë që mbanin qëndrime kritike ndaj regjimit të Zogut, është një numër kundërshtarësh politikë të tij, që qëndronin në Evropë ose SHBA që qenë dënuar edhe me 101 vite burg. Ata nuk lejoheshin të shkelnin në Shqipëri. Pra, pasardhësit e Ismail Qemalit, që shkonte kundër idealeve të të atit, kundër aspiratave për bashkim kombëtar. Ata nuk ndiheshin të përfaqësuar në qeverisjen e Ahmet Zogut për shkak të pikëpamjeve demokratike që bartnin.
Pra, është diskriminuar figura e Ismail Qemalit në kohë të ndryshme, po sot?
Ka pasur trajtim diskriminues ndaj familjes dhe vetë Ismail Qemalit, për ta mbajtur në një profil sa më të ulët në raport me udhëheqësit që pretendonin se ishin të kombit e të historisë e që donin të rreshtoheshin pas mitikut Skënderbe. Për fat të keq kemi të njëjtën sjellje këtë 100-vjetor. Në vend që të ngrihet figura e Ismail Qemalit, babait të kombit shqiptar, përpiqen të ngrenë artificialisht një mbret të vetëshpallur, që nuk ka në bilancin e vet të jetës një vlerësim pozitiv, por vetëm e kundërvënë Ismail Qemalin, sepse e para: duan të shtrembërojnë historinë; e dyta: se duan ta përdorin 100-vjetorin për qëllime politike e elektorale dhe e treta: se te figura e I.Qemalit nuk shohin veten e tyre, sepse Ismail Qemali është nga jugu, është rilindas, njeriu i iluminuar, nuk kishte vrarë as edhe një zog dhe ishte njeri që rrezatonte demokraci dhe urtësi. Ndërsa modeli që autoritetet dhe drejtuesit e sotëm në Shqipëri duan të kopjojnë është Ahmet Zogu, sepse ai ishte nga veriu, se ishte satrap, ishte diktator, ai të vriste natën e të qante ditën, fenomene këto që ne i kemi ndeshur në këto 20 vite të tranzicionit të lodhshëm dhe traumatizues.
Nga ky këndvështrim, për të ngritur Ahmet Zogun është lënë në hije Fan Noli në këtë 100-vjetor?
Pa dyshim! S’ka asnjë diskutim. Fan Noli ka qenë kundërshtar i drejtpërdrejtë i Ahmet Zogut, e ka portretizuar më mirë se kushdo tjetër atë. Noli mund të mos ketë qenë qeveritar i mirë po ka shkëlqyere e shkëlqen si meteor në qiellin e historisë, kulturës, artit, diplomacisë, publicistikës dhe politikës shqiptare. Qëllimisht është lënë, se nëse i jep Nolit vendin që i takon, nuk mund të lësh po aty apo me lart Ahmet Zogun. Me të nuk mund të bashkëjetojnë në të njëjtin plan, Ismail Qemali, Fan Noli, Luigj Gurakuqi, Hasan Prishtina, Bajram Curri e shumë patriotë të tjerë, që e kanë pasur bilancin e jetës së tyre shumë pozitiv e pa hije të mëdha. Nuk mund t’i trajtosh në të njëjtin nivel, sepse kontributet e tyre janë të ndryshme. Historia e ka thënë fjalën e vet, Zogu ka atë meritë që duhet t’ia njohim: një monark shtetar, që për pushtetin e vet u përpoq të ndërtojë institucione, të vendosë rregull, të bëjë ligje dhe të investojë për aq sa kishte mundësi. Por nuk ishte monarku që i duhej Shqipërisë e popullit të kohës. Qenë politikat e tij që e lanë vendin mbrapa, me 90% të popullit analfabet, me këneta e sëmundje që bënin kërdinë, me rrugët që kishte hapur ushtria italiane e austriake e Luftës Parë Botërore (me pak ndërhyrje). Ai e la vendin pa arsim të lartë dhe me dritën e kandilit, madje e çoi drejt një protektorati që u kthye në pushtim me armë, e mbreti në vend që të mbante fjalën, se pretendonte se qe burrë i fjalës, iku i pari dhe i la në mëshirë të fatit shqiptarët. Bilanci i historisë për 100-vjetorin duhej të kishte një ekuilibër në trajtim e gjykim. Por duke qenë se janë ende të gjalla pasionet e urrejtjet e marrëdhënieve ndërshqiptare, nuk mund të pretendohet që bilancin ta bëjë politika e Kryeministri, por historianët.
(er.nu/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›