E Diel, 1 Nëntor 2026

Mashtrim me dhi në Polis, për firmat e partisë së Bamir Topit

22-04-2012 / Gazeta 55

Njerëzit e Bamir Topit s’po mundin të mbledhin as firmat për themelimin e partisë. Ata kanë kërkuar ndihmë tek PS-ja, e cila ka dërguar njerëz në komunën Polis, duke fotokopjuar karta identiteti, në shkëmbim të dhurimit të një dhie. Banorët e Polisit thonë se njerëzit janë dërguar nga Taulant Balla dhe protestojnë se firmat po u grabiten për partinë e re të Bamir Topit. Komuna proteston për mashtrimin, ndërkohë që bën përshtypje se si drejtuesi i asaj partie e ka nisur politikën me veterinari dhe me program tufëzash
Fakti/Frika e partisë së Bamirit, sepse nuk plotësohen 3 mijë firmat për themelimin

Është fakt që Presidenti i Republikës, Bamir Topi po mbyll mandatin e tij si rekordmen i dhunimit dhe shkeljes së Kushtetutës. Është fakt që Bamir Topi nuk respektoi peshën dhe moralin institucional të selisë së Presidencës, kur guxoi ta shndërronte atë në strehë të partiçkës së pa-shpallur. Po ashtu, është fakt që Presidenti i Republikës ka dekoruar me dorën e tij, me “Medaljen e Artë”, persekutorët e regjimit komunist. Ajo që s’ishte dëgjuar kurrë, është sa tragjike aq edhe komike. Në asnjë vend të botës demokratike, s’është dëgjuar që Presidenti në detyrë, ndër personalitetet më të larta të vendit, të shkojë në derën e fshatarit dhe t’i kërkojë firmën (ndër firmat e nevojshme për t’u regjistruar në zgjedhje), në këmbim të një Dhie apo Cjapi! Përralla e kecave me ujkun në abetaren tonë, u interpretua në komunën Polis midis Elbasanit dhe Librazhdit, ku ujqërit me dy këmbë mashtruan fshatarët e Mirakës dhe të Gostimës, të cilët më se të bindur vetë-dorëzuan fotokopjet e mbi 4000 mijë kartave të identitetit për të përfituar nga një Dhi apo Cjap. Administrata e Komunës është alarmuar nga qarkullimi nëpër fshatra i personave të paidentifikuar me formularë në dorë dhe stofin e fotokopjeve të kartave të identitetit, ndërsa maskoheshin si dhurues të dhive dhe cjepve. Telenovela e Dhisë-Cjapit dhe Kecave tashmë është refren i tavolinave në lokalet e zonës, është një menu më shumë për humorin e munguar, por edhe një fyerje për më të rinjtë të cilët, duket se u janë qepur keqas këmba-këmbës pas ujqërve me dy këmbë. “I njohim dhe i kujtojmë mirë ata, dashtë zoti na dalin para syve sepse, as ligja dhe as perëndia nuk na ndal dot më?!”- shprehet një nga banorët e fshatit, i ndjerë i fyer mashtrimet e njerëzve të Bamirit, të cilët me propagandën e dhurimit të dhisë dhe cjapit, donin firmën për partinë që pritet të shpallet së shpejti. “Mashtruan të vjetërit tanë me premtime elektorale, por dyshojmë se, me ato fotokopje mund të regjistrojnë edhe ndonjë parti të re në prag fushate, por Polisi dhe zona mbarë nuk do të rijnë duarkryq”- shprehen ata të indinjuar thellë. Kjo sjellje e pa precedentë për një kryetar shteti dëshmon qartë krizën që ka nisur pa startuar ende formacioni i ri politik, pasi siç është shprehur edhe kryeministri Berisha, Bamir Topit s’ia jep votën as vëllai i tij. Gjithçka është në indice të nisjes së fushatës së zgjedhjeve të ardhshme dhe ndryshe nga Kreshniku i Aleancës, i cili pasi abuzoi me detyrën e funksionarit shtetëror dhe u shkarkua nga posti, shpalli menjëherë partinë e tij pasi kishte siguruar prej thuajse 3-4 vitesh 3 000 firmat e regjistrimit në KQZ, Bamir Topi si politikan miop duket i vonuar në këtë aspekt dhe po bën gjithçka që t’i sigurojë ato fotokopje të kartave të identitetit, në këmbim të dhisë dhe cjapit. Jo më kot thamë se janë plot 4 000 banorë të komunës Polis të rrethit të Librazhdit që kanë firmosur në formularët e njerëzve të dërguar nga Taulant Balla, për hesap të Bamir Topit. U zgjodh një komunë e thellë e Librazhdit për të demonstruar maskaradën e turpit, e padëgjuar më parë; një firmë në formular e barabartë me një Dhi apo Cjap (apo e thënë më thjeshtë, një fotokopje e kartës së identitetit e lëshuar nga shtetasi me vullnetin e tij, vlen si shpërblim dhurimin e dhisë). Subjekt i denjë për një fabul groteske, por që Presidenti në detyrë e ka demonstruar haptazi me njerëzit e tij, pikërisht në një fshat të largët, me idenë se banorët e kësaj zone janë aq të pa-emancipuar dhe të pazhvilluar, sa të mashtrohen në mënyrë të verbër se disa “bamirës të Bamirit, po i ndihmojnë me Dhi dhe Cjap”, në mënyrë që organizatorëve të groteskut t’ju shkonte operacioni me sukses dhe të mos merrej vesh turpi i Polisit. Le të shpresojmë që politika miope, mos të na ofrojë surprizat e saj, pas Polisit aty ku paqja dhe puna e mrekullueshme e banorëve të zonës janë shkrirë natyrshëm në bukuritë që ofrohen e gjithë zona, edhe në rajone të tjera të thella të vendit, me alibinë e marrë se banorët kanë nevojë për Dhi dhe Cjep. Sot, Bamiri është objekt barsoletash pasi të gjithë qeshin dhe nënqeshin me këtë marrëzi dhe dëlirit për pushtet, duke u zhveshur nga çdo moral dhe integritet profesional.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›