E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tekstet, gara e përzgjedhjes së titujve

19/02/2009  Rilidhje kontratash për tekstet që vitin e shkuar janë paraqitur me më shumë se tri alternativa

Vetëm për vitet e para të shkollës së mesme është parashikuar futja e teksteve të huaja

Përcaktohen rregulla të reja për zhvillimin e garës përzgjedhëse të teksteve mësimore që do të përdoren në shkollat e arsimit bazë dhe atij të mesëm. Shtëpitë botuese tashmë kanë filluar të depozitojnë alternativat e tyre pranë komisionit të miratimit në Ministrinë e Arsimit. Megjithatë, për këtë vit janë caktuar një sërë ndryshimesh që do të shoqërojnë procedurën e selektimit të titujve që do të përzgjidhen. Kështu, librat që gjatë vitit të shkuar janë shoqëruar me shumë alternativa, këtë vit do të jenë sërish në procesin mësimor, por pa u dashur të përfshihen në garën e përzgjedhjes. Kjo do të thotë se për këto të fundit do të rishlidhen kontratat me shtëpitë e botimit. Rilidhja e këtyre kontratave do të jetë e vlefshme vetëm pasi të jenë korrigjuar gabimet apo defektet që këto tekste kanë pasur gjatë vitit mësimor. Një tjetër ndryshim me të cilin është shoqëruar rregullorja e zgjedhjes së këtyre teksteve është dhe shtimi i alternativave të huaja për disa lëndë.

Përzgjedhja

Sipas ndryshimeve të bëra, thuhet se do të respektohen rezultatet e teksteve që kanë qenë fitues në vitin e kaluar, nga klasa e parë deri në vitin e katër të shkollës së mesme. Tekstet për të cilat janë ofruar 3, 4, 5 apo më shumë alternativa, nuk do të ketë nevojë të përsëriten për këtë vit. Ndërsa për tekstet e lëndëve për të cilat ka pasur vetëm një alternativë ose dy, do të rihapet procesi i kërkesës për tekste të reja alternative, në mënyrë që të ofrohen më shumë tekste për mësuesit gjatë përzgjedhjes. Gjithashtu po operohet edhe me korrigjimin e të gjitha defekteve që janë vënë re në tekste gjatë vitit të shkuar. Për këtë është hapur një rubrikë nga Ministria e Arsimit për mbledhjen e të gjitha vërejtjeve që kanë mësuesit e lëndëve të ndryshme për tekstin që ata kanë përdorur. Synimi kryesor i kësaj procedure është korrigjimi i defekteve në tekstet që vetë mësuesit i kanë konstatuar gjatë punës me to. Procesi i ribërjes së kontratave do të marrë në konsideratë edhe korrigjimin e teksteve të miratuara më parë.

Titujt e huaj

Për të ndihmuar në rritjen e cilësisë së mësimdhënies dhe përshtatjen e tyre me njohuritë që aktualisht shpërndahen edhe në vendet fqinje, është menduar që të shtohen alternativat e teksteve edhe me tituj të huaj. Vetëm për vitin e parë të gjimnazit është menduar që të futen në tregun shqiptar edhe tekste të vendeve të ndryshme evropiane me arsim të konsoliduar, tekste që janë në përputhje me programin e miratuar në Shqipëri. Ndërkohë kjo risi po synohet që të shtrihet edhe për lëndët e shkencave ekzakte, si fizika, biologjia, kimia, matematika, në mënyrë që të arrihet përmirësimi i njohurive të nxënësve shqiptarë.

Tekstet në garë

“Këtë vit ne do të respektojmë rezultatet e teksteve që kanë qenë fituese në vitin e kaluar, nga viti i parë deri në atë të 12-të, duke ofruar 3, 4, 5 apo më shumë alternativa. Për këto tekste nuk do të jetë nevoja të përsëriten për këtë vit. Ndërsa për tekstet e lëndëve për të cilat ka pasur vetëm një alternativë ose dy, do të rihapet procesi i kërkesës për tekste të reja alternative, në mënyrë që të ofrohen më shumë tekste për mësuesit gjatë përzgjedhjes. Tashmë do të jetë Ministria e Arsimit që do ta organizojë këtë me një komision të posaçëm për këtë qëllim.”

Tekstet e huaja

Vetëm për vitin e parë të gjimnazit është menduar të përfshihen në garën e përzgjedhjes edhe tekstet e vendeve të ndryshme evropiane me arsim të konsoliduar, tekste që janë në përputhje me programin e miratuar në Shqipëri. Edhe kjo është një risi dhe grupet e punës po punojnë që të arrihet një gjë e tillë edhe për lëndët e shkencave ekzakte, si fizika, biologjia, kimia, matematika, që të mund të kemi tekste të huaja, gjithmonë në të mirë të përmirësimit të njohurive të nxënësve shqiptarë.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›