Guximi intelektual
Historia njerëzore është e mbushur me shembuj intelektualësh ideologjikë që gjatë karrierës së tyre kanë tradhtuar moralin dhe të vërtetën, por ishin edhe aktivë në projekte për asgjësimin njerëzor. Ka edhe intelektualë jo moralë, të cilët nga frika, përfitimet dhe vetëkënaqësitë kanë ikur nën hijen e mesatares dhe frazeologjisë së përditshme, të cilët gjithashtu shumë qetë kanë asistuar gjatë viktimizimit të pafajshmërisë ose zhvlerësimit të të mirave.
Për intelektualët çdo sistem politik ka “treguar kujdes”, sa më i mbyllur që të ishte sistemi, aq më i madh kujdesi. Dihet, për shembull, historia e sistemit komunist, prej tij nuk janë të përjashtuar as komunistët në Shqipëri, ku Partia e Punës ishte pronare e gjithçkaje. Pasi erdhën në pushtet, ata shkatërruan një nomenklaturë të tërë intelektualësh të kohës dhe filluan të ndërtonin kriterin e ri intelektual, kriter i “mesatares”, duke shpërblyer ose dënuar, për gjithë atë çka duhej bërë, menduar dhe folur. Pra, ndërtuan një personazh specifik, “intelektualin e ndershëm”.
Në të njëjtën mënyrë edhe politikat nacionaliste, por edhe bashkësitë religjioze fondamentale politikaneske, vendosin modele të të menduarit dhe sjelljes së tipit të intelektualit religjioz.
Ajo çka janë profetët brenda religjioneve duhet të jenë edhe intelektualët e vërtetë kritikë në shoqëritë sekulare. Madje, roli i tyre në kohërat kritike duhet të jetë i barabartë, e në rastin më të keq, i përafërt me vetë profetët.
Kjo duhet kërkuar edhe nga intelektualët shqiptarë, të cilët fatkeqësisht çdo ditë e më shumë po bëhen pjesë e oligarkëve politikë dhe zyrtarëve religjiozë, sepse, si duket, i kanë barazuar interesat e tyre mes veti.
Detyrimi profeto-intelektual duhet të jetë detyrë parimore, në radhë të parë për të përcjellë dhe, kur është e nevojshme, të kritikojë politikën aktuale, por në të njëjtën kohë, duhet të jetë shumë e ndërgjegjshme dhe përgjegjëse, sidomos për politikat sociale, shkëputjen e politikës nga morali, e cila në shumicën e rasteve te ne po shfaq dëshirën e pangopur për fuqi. Pasojat dhe qëllimi fondamental i kësaj politike dihen, ato janë kriminaliteti ekonomik dhe nihilizmi.
Për rrugët e vështira të profetëve dimë shumë nga historia, e njëjtë është edhe rruga dhe angazhimi i intelektualit moralist. Ata në shumicën e rasteve cilësohen si disidentë mes përkatësisë së vet, të dyshimtë për të tjerët, shumë të vetmuar, shpeshherë kanë kriza dhe dilema që të tërhiqen nga e gjitha (e pikërisht këtë e duan pushtetarët), ngaqë e keqja me të cilën duhet luftuar shpeshherë iu duket më e fortë dhe e frikshme sesa e mira për të cilën ata angazhohen. Andaj përgjegjësia e tyre është shumë e vështirë, ajo kërkon vigjilencë të përhershme, moskorruptimin e tyre nga politika, moslargimin dhe injorimin nga masa, rrezikun për jetën dhe, në fund ajo më e vështira, përballimin e varfërisë materiale.
Kuptohet, por edhe nga praktika e dimë, se nuk është e mundur që të gjithë intelektualët të obligohen në politikë, por është obligim i intelektualëve që kur aktiviteti politik nënkupton përgjegjësinë morale të bërjes së punës, që atyre u takon si persona publikë, ata e kanë për obligim që të merren me këtë aktivitet.
Intelektuali nuk duhet të bëjë asnjë marrëveshje apo çfarëdo lidhje me politikën amorale dhe të bëhet pjesë brenda politikës konformiste shterpe.
Gjersa në Shqipëri dhe në Kosovë, në qytetet dhe fshatrat tona po mbijnë mësimore ku institucionet religjioze po prodhojnë jo teologë, por apologjetë jo-tolerantë, ku procesi i Bolonjës dhe shkollimi postkomunist të japin shansin e shpejtë që kinse dhe me pará, përgatit specialistë me horizont të ngushtë, atëherë kërkesa për intelektualët e mirëfilltë, vetëkritikë, të vetëdijshëm për kapacitetet e veta, të vendosur dhe të përgjegjshëm në aspektin moral, kurë nuk ka qenë më e madhe se sot.
Për fat të keq, karakteristika e shumicës së intelektualëve të sotëm është se si ta promovojnë veten e tyre dhe si t’i afrohen pushtetit dhe pushtetarëve, si të gjejnë një vend për veti në pushtet e normalisht e gjithë kjo bëhet për ndihmë, përkrahje dhe përfitime materiale.
Por, në të njëjtën kohë, nuk është hiç morale as sjellja e atyre intelektualëve, të cilët mendojnë se është akt heroik që të tërhiqen nga “politika e ndyrë” dhe që me një distancë nga lartësia ta përqeshin politikën dhe politikanët. Kjo dëshmon që shpeshherë është më e lehtë të përkrahësh parimet se përgjegjësitë konkrete. Vetëm ajo çka do ta përkrahte gjykimi i ndërgjegjes – e kuptuar si zëri i lindur apo zëri i Zotit te ne – është vendimi i pazëvendësueshëm për të vërtetën dhe të mirën konkrete edhe përkundër humbjeve dhe jo suksesit.