Privatizimi, koncesioni dhe efektiviteti
Dëgjova me vëmendje emisionin e drejtuar nga Sokol Balla lidhur me problemet që ka sot hekurudha shqiptare dhe prognoza e saj. Nga komentet që bën këshilltarja e kryeministrit, mësohet se po punohet që “mandatin e ardhshëm” do t’i jepet prioritet transportit hekurudhor. Sipas saj, hekurudha do t’i jepet me koncesion dy kompanive që kanë treguar interes për këtë çështje.
Në përgjithësi te ne koncesioni është përdorur për interesa të ngushta nga një grusht njerëzish. Në vendet në zhvillim dhe ato të zhvilluara koncesioni përdoret për sektorët pa efektivitet, me humbje, me kusht që në ato sektorë të investohet në teknologji moderne dhe në kohën që i dorëzohet shtetit norma e amortizimit, të mos jetë më shumë se 50%.
Po marrim si shembull terminalin e ri të Rinasit, i cili është dhënë, të mos gaboj, për 20 vjet me koncesion, me kushtin BOT (merr, shfrytëzo, dorëzo).
Sipas këtij kushti, i bie që logjistika të amortizohet 100% dhe qeverisë shqiptare do t’i duhet të bëjë shpenzime nga fillimi. Çfarë fiton Shqipëria nga këto lloj koncesionesh?
Më 20 dhjetor jepet verdikti për tenderin e kontrollit teknik të automjeteve për 20 vjet. Vendimi për ta dhënë dhe atë sektor me koncesion është mjaft i gabuar, për shkak se ky sektor është me fitim dhe në të është investuar me teknologji moderne dhe objektet thuajse janë të reja. Atëherë, çfarë do të bëjë koncesionari?
Duke e dhënë me koncesion këtë sektor cenohet siguria rrugore, do të shtohen aksidentet me pasojë vdekjet, për shkak se nuk do të paraqiten mijëra automjete për kontroll dhe rastet korruptive në patenta, kontroll, pagesa taksash do të shtohen.
Ky sektor do të administrojë dhe sektorin e taksave duke bërë dhe rolin e agjentit tatimor për taksën e regjistrimit dhe të qarkullimit. Në këtë mënyrë, përqindjet e agjentit tatimor në vend që t’i mbajë shteti, do t’i marrë kompania koncesionare. Bëhet fjalë për miliarda lekë.
Në këtë mënyrë ruhet monopoli i këtij sektori duke mos iu dhënë asnjë shans sektorëve e subjekteve shqiptare që plotësojnë kushtet për të kryer këtë shërbim. Për këtë qëllim u amendua Kodi Rrugor.
Po le të ndalemi te hekurudha dhe emisioni i datës 14 dhjetor që trajtoi këtë çështje.
Është e vërtetë që transporti hekurudhor sot është me humbje, për shkak se është lënë qëllimshëm pa investuar për të arritur argumentin e koncesionit.
Deri në vitin 1990 subvencionet drejtoheshin vetëm në transportin e pasagjerëve, ku të gjithë shtetet e botës zbatojnë politika sociale, kurse transporti i mallrave ka qenë rentabël.
Shqipëria ka më pak se 500 km rrjet hekurudhor, tërësisht i amortizuar, me përjashtim të segmentit Tiranë-Durrës që është rehabilituar me fondet e kooperacionit italian në vitin 1998.
Po të kemi parasysh se Shqipërisë i duhen 5 granitura me vagonë pasagjerësh (një graniturë ka 6 vagonë), dhe rreth 10 granitura me vagonë mallrash, përfshi dhe vagonët e specializuara për mallra të veçanta, investimi i këtij sektori në total nuk shkon më shumë se 250 milionë euro, me kusht që vagonët të merren të rinj. Pa dyshim që unë i kuptoj dhe mundësitë që ka aktualisht qeveria, por strategjia që ka zgjedhur ajo është rruga më e shkurtër dhe me më pak telashe.
Para pak kohësh Rumania mori 400 vagonë me kredi japoneze të aranzhuar nga General Motors. Edhe ne kemi patur të tilla oferta. Pse s’e provojmë njëherë dhe këtë sektor ta administrojë dhe menaxhojë vetë shteti? A e kupton njeri se çdo ditë po shtohet ushtria e të papunëve dhe mungojnë iniciativat për të hartuar politika për punësimin e tyre?
Në vitin 1998 porti detar Durrës, Shëngjin, Sarandë dhe Vlorë u transformuan në SH. A. (shoqëri anonime), me 100 % kapital shtetëror. Reforma tjetër ishte transformimi i tyre në port veglash që do të thotë se ato administrojnë infrastrukturën, superstrukturën, magazinat, elektrovinçat, forkliftat etj., dhe proceset e shërbimeve të ngarkim/shkarkimit i privatizuan duke hapur në këtë mënyrë qindra vende të reja pune.
Le të kthehemi përsëri te hekurudha. Në qoftë se qeveria ka arritur vendosmërisht në përfundimin se ai sektor duhet të jepet me koncesion, atëherë nuk do të ishte keq që sektori i shërbimit për transportin e mallrave të privatizohet (jo me koncesion), si dhe në portet detare dhe për pjesën tjetër të ruhet monopoli në duart e shtetit, në të kundërtën veprimet që lidhen me këtë sektor do të jenë pa efektivitet.
Është gjynah që pjesën e majme të subvencioneve t’ia japësh kompanive të huaja dhe jo shqiptarëve.
Të njëjtat opsione dhe strategji qarkullojnë dhe për aeroportet e brendshme Vlorë, Sarandë, Korçë, të cilat nuk kërkojnë fonde të mëdha.
U privatizuan sektorët ARMO, OSSH etj., dhe të jeni të sigurt se do të kalojnë pak vite dhe do të rezultojnë pa efektivitet.
Të mos nxitohemi në këtë sipërmarrje, se në fund të fundit ata që do të humbasin janë shqiptarët.